SKANDAL/ Komision deri në 50 %/ Konkurrenca: Si i rrjep Raiffeisen qytetarët me komisionet e sigurimit të kredisë

 Raiffeisen  mban nga qytetarët gjysmën e policës së sigurimit duke i ngarkuar ata me një kosto zhvatje

Një hetim i thelluar i Autoritetit të Konkurrencës ka hedhur dritë mbi një skemë zhvatje, që disa banka kanë ndërtuar me komisionet e sigurimit të kredisë. Rasti më i rëndë është ai i Raiffeisenit, e cila u mban qytetarëve komision ndërmjetësimi deri në 50 për qind të policës së sigurimit të kredive konsumatore. “Niveli i lartë i komisioneve të ndërmjetësimit të aplikuara në këtë treg ngre dyshime mbi shfrytëzimin e pozitës dominuese në dëm të konsumatorit” thotë Autoriteti i Konkurrencës duke sqaruar me footnote se komisionet e ndërmjetësimit, që Raiffeisen aplikon si broker arrijnë deri në 50 për qind të policës për kreditë konsumatore. Në bankat e tjera komisioni i ndërmjetësimit luhatet rreth nivelit 25 për qind e policës.

Sigal

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

Hetimi i Konkurrencës ka zbuluar se Raiffeisen kishte një marrëveshje ekskluzive me shoqërinë e sigurimeve, ku orientonte të gjithë qytetarët që merrnin kredi konsumatorë ta blinin policën e sigurimit tek kjo shoqëri duke ngritur kështu një monopol të mbyllur. Vetë Raiffeisen në rolin e brokerit mbante nga qytetarët gjysmën e policës së sigurimit duke i ngarkuar ata me një kosto zhvatje. “Marrëveshja ekskluzive e konstatuar për segmentin e kredive konsumatore me shoqërinë Sigal Life, krijon indicie mbi mundësinë që sjellja e bankës të ketë prodhuar efekte kufizuese të konkurrencës dhe t’i ketë orientuar qytetarët drejt shoqërisë së preferuar të bankës,” thuhet në hetim. Autoriteti i Konkurrencës vendosi të mos e gjobisë Raiffeisenin pavarësisht praktikave zhvatëse të aplikuara nga banka, por ndërhyri duke e detyruar atë që të përpilojë një formular të vetëm me të gjitha ofertat e shoqërive të sigurimit duke i lënë qytetarët të vendosin vet se ku duan të sigurohen. Paralelisht Konkurrenca urdhëroi bankën të ndryshojë nenin 10 të kontratës standard të kredisë duke i cilësuar kredimarrësit të drejtën për të siguruar jetën në secilën nga shoqëritë e sigurimit të liçencuara nga AMF, shkruan kapitali.al. Por Raiffeisen nuk është banka e vetme që ka zbatuar praktika antiligjore në tregun e sigurimit të kredive. UBA Bank dhe Union kishin krijuar po ashtu një rreth të mbyllur monopoli brenda vetes, ndërkohë që në banka të tjera ka dyshime për orientimin e klientëve drejt shoqërive të preferuara të sigurimit. Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës nuk gjobiti asnjë prej bankave, por ndërhyri përmes urdhrave administrative, duke ndaluar marrëveshjet ekskluzive si dhe duke ndryshuar praktikat përmes të cilave bankat kufizojnë konkurrencën në këtë treg.