Skandal, Delvina pa ujë, deputetët gënjejnë banorët për mbështetje

586
Sigal

Deputetët e PS-së braktisin qytetarët në protestën e organizuar, të zhgënjyer ata apelojnë: Do të shihemi ditën e zgjedhjeve!

Mesditën e së martës, ora 12:00, banorë të qytetit të Delvinës kanë bllokuar për rreth 30 minuta qarkullimin rrugor që lidh qytetin e Sarandës me atë të Delvinës në urën e Vrionit. Ky veprim i qytetarëve të qytetit të Delvinës është bërë në shenjë proteste për mosmarrjen e masave disamujore për pastrimin e ujit të pijshëm, i cili është ndotur me ujërat e zeza dhe substanca lubrifikante nga ish-ndërmarrja e naftës Delvinë. Gazeta “Telegraf”, ka qenë e para që këtë shqetësim e ka përcjellë në faqet e saj në muajin dhjetor 2012, duke ju referuar burimeve të n/prefekturës së Sarandës. Por ende situata nuk ka njohur zgjidhje, ç’ka ka detyruar banorët e këtij qyteti të ndërmarrin këtë protestë të paralajmëruar, ku pritej të merrnin pjesë edhe deputet të PS-së në mbështetje të shqetësimit të tyre. Por asnjë deputet nuk ka qenë i pranishëm në protestën e tyre dhe banorët të zhgënjyer e të mbetur pa mbështetjen e premtuar, pas 30 minutash kanë zhbllokuar qarkullimin dhe janë shpërndarë në drejtimet e halleve të tyre, por të pashpresë tek zgjidhja e hallit të përbashkët. Të revoltuar të gjithë të pranishmit në këtë protestë kanë deklaruar se ndëshkimin e tyre të gjithë do ta marrin në ditën e zgjedhjeve. Policia ka qenë e pranishme dhe nuk ka patur konfrontime dhe përplasje fizike midis protestuesve dhe forcave blu.

Situata

Hidrokarburet e puseve të naftës ndotin ujin e pijshëm në Delvinë. Fakti që ka dhënë alarmin ka qenë informacioni se nga analizat e fundit higjienike del se uji i pijshëm i qytetit të Delvinës është i pakonsumueshëm për qytetarët për shkak të shkallës së lartë të ndotjes që është përcaktuar nga analizat laboratorike të Drejtorisë së Higjienës, duke përcaktuar edhe shkakun e prejardhjes së kësaj ndotjeje nga shfrytëzimi pa kriter dhe jashtë kushteve tekniko-shkencore i puseve të naftës që ndodhen në periferi të qytetit. Hidrokarburet e lëna pothuaj në mëshirë të fatit, janë bërë shkak që uji i pijshëm i qytetit të mos jetë më me këtë etiketim për konsumatorët e Delvinës, duke u shtuar edhe riskun që tani e tutje duhet të blejnë edhe ujin e pijshëm. Hidrokarburet e lëna pothuaj në mëshirë të fatit, janë bërë shkak që uji i pijshëm i qytetit të mos jetë më i përdorshëm për konsumatorët e Delvinës, duke u shtuar edhe riskun e shfaqjes së infeksioneve të ndryshme.