Thellohet skandali i abuzimit me paratë e klientëve te Intesa San Paolo Bank

595
Sigal

OPERACIONI “AUTORIZIMI I RREMË”/ Vihët në pranga punonjësi i sigurisë Halit Vata, pasi vodhi llogaritë e 20 klientëve

Tronditet opinioni publik shqiptar, pasi po krijohet klimë pasigurie për sistemin bankar dhe veçanërisht për bankën Intesa San Paolo Bank, pasi aty sipas Policisë së Shtetit janë vjedhur paratë e klientëve. Dhe për më tepër policia deklaron se klientët janë vjedhur brenda këtij viti dy herë nga punonjës të kësaj banke private që dikur njihej si Banka Italo-Shqiptare, më tej Banka Amerikane dhe sot Intesa San Paolo Bank.

Kronika

Skandali financiar me abuzim me paratë e klientëve nuk ka të ndalur në bankën Intesa San Paolo në Tiranë. Një tjetër person është zbuluar dhe arrestuar, pasi kryente vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe bënte mashtrim me shuma të mëdha në bankën e nivelit të dytë Intesa San Paolo. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila bën me dije se mbrëmjen e së hënës në orën 20:30, nga shërbimet e Seksionit Kundër Korrupsionit në kuadër të operacionit të koduar “Autorizimi i rremë” u bë arrestimi i shtetasit Kujtim Halit Vata, 53 vjeç, lindur në Burrel e banues në Tiranë. Mësohet se arrestimi i Kujtim Vatës u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin të datës 30.03.2013, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për të, për veprat penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Mashtrimit” me shuma të mëdha, duke mashtruar e kryer transaksione në Bankën “Intesa San Paolo” më shumë se një herë. Burimet nga policia thanë se dyshohet se këtë veprimtari Kujtim Vata e ka kryer në bashkëpunim me persona të tjerë gjeneralitetet, e të cilëve nuk bëhen të ditur. Kujtim Vata duke qenë punonjës Security në Bankën “Intesa San Paolo” u ka kërkuar punonjësve të bankës autorizime me anë të së cilave ka tërhequr para në llogaritë e më shumë se 20 klientëve, duke shkaktuar një dem në shumën e mbi 20 mijë eurove. Policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprat penale të parashikuara nga nenet 135 dhe 143/3 të Kodit Penal.