Situata e zjarreve në vend, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: Ja vatrat aktive

42
Sigal

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të situatës me zjarret në vend. Mësohet se aktive janë vatrat e zjarrit në Kreshpan, Plyk, në fshatin Hekal si dhe në Buz të Memaliajt.

NJOFTIMI I MINISTRISË

Si rezultat i punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura si dhe nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është arritur të përmirësohet situata në disa vatra zjarri në territorin e vendit. Është fikur zjarri në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH.

Ndërkohë po vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos. Në fshatin Hekal, në Mallakastër situata është nën kontroll dhe po izolohet edhe vatra e fundit aktive. Po vijon operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Vlorë.

E vështirë është puna e forcave të emergjencave për shkak të terrenit në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj. Por përhapja e zjarrit është e dobët, pasi zjarri ndodhet mes dy zallishteve.

Është arritur të izolohet plotësisht zjarri në malin e Gjallicës në njësinë administrative Shtiqen, në Kukës. Po ashtu janë vënë tërësisht nën kontroll flakët dhe vatrat në fshatin Mandaj, në njësinë administrative Helmas në Kavajë.