Në rrugë në këtë kohë të pandemisë, përveç qytetarëve që dalin me leje për një orë, në rrugë non stop janë Policia dhe Ushtria. Lidhur me këtë situatë të vështirë, Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë i kërkon kryeministrit Edi Rama që të shpërblejë sa 50% e pagës neto mujore efektivët e policisë që janë në krye të detyrës. Kreu i Sindikatës Valentin Macaj, thotë se policët e rendit dhe të burgjeve janë përballë e në kontakt me virusin në çdo moment e pa masa mbrojtëse sipas standardeve të OBSH. Për të suksesi në këto ditë varet nga mjekësia dhe policia e jo nga shpenzimi i tepërt në karburant prej blindave ushtarake, që sipas tij po tromaksin fëmijët.
“Krahas mjekësisë që është e mbërthyer nëpër spitale e ambulanca, paskemi edhe mijëra bijë e bija nënash që nën uniformë policie, janë përballë e në kontakt me virusin në çdo moment e pa masa mbrojtëse sipas standardeve të O.B.SH. Janë shërbime të instaluara kudo, si në tregje, kryqëzime,rrugica, autostrada, dogana, porte, aeroporte, spitale, burgje e ambiente publike. Ndaj, qeveria duhet të mendojë seriozisht e të shpërbleje mundin e mijëra punonjësve të policisë në rend e burgje, sepse suksesi në këto ditë varet nga Mjekësia dhe Policia e jo nga shpenzimi i tepërt në karburant prej blindave ushtarake, që më shumë tromaksin fëmijët e ngujuar, sesa disiplinojnë 5%-shin e qytetarëve abuzues me oraret. Një shpërblim sa 50% e pagës neto mujore nuk cënon aspak buxhetin e shtetit, pasi është një e drejtë e mohuar prej 30 vitesh në pagën e 13-të, të cilën e garanton Kodi i Punës në fuqi. Ndërsa qytetarët, ashtu siç brohoritën bluzat e bardha të mjekësisë, duhet të bëjnë një gjest të tillë falenderues edhe për këmishat blu të ligjit, të cilët po sakrifikojnë për sigurinë e tyre”.






















