Si në vitin e mbrapshtë ’97: Kriza e koronavirusit godet turizmin në Berat

523
Sigal

Biznesi në lulëzim i turizmit në Berat po përballet me krizën më të madhe të viteve të fundit, ku turistët e huaj anulojnë çdo ditë udhëtimet ndërsa operatorët turistikë llogarisin dëmet.

Edmir Hidërsha, pronar i hostelit “Maja” në lagjen Goricë të Beratit e nis çdo ditë me një klikim në Booking- faqja e njohur e udhëtimeve dhe e rezervimeve për të gjithë botën. Ai nuk e bën këtë ritual për të parë numrin e vizitorëve të rinj.

“Çdo ditë e nis me klikimin e booking për të parë sa prenotime janë anuluar nga vizitorët që prisja këtë vit në hostelin tim, por që nuk mund të vijnë për shkak të krizës së koronavirusit,” thotë Edmiri, që në Berat e njohin të gjithë me shkurtimin e emrit, Miri.

Pas një shkurti të mbarë, Hidërsha përcolli vizitorët e fundit në fillim të marsit dhe më pas u karantinua bashkë me familjen. Si shumë operatorë të tjerë turistikë në Berat, ai po përballet me anulime masive, duke paralajmëruar një vit të vështirë për qytetin e Beratit.

Vitet e fundit, qyteti me një kala ende të banueshme dhe me një ansambël të lagjeve muzeale ku ndërthuren së bashku besimet fetare, mitet, historia dhe gastronomia po tërhiqte gjithmonë e më shumë vizitorë të huaj nga të katërta anët e botës.

Faqja Booking.com ishte kthyer në pikën lidhëse mes operatorëve turistikë lokalë dhe turistëve të huaj, duke e çuar numrin e shtëpive pritëse në 60.

Sipas Zyrës së Turizmit në Bashkinë e Beratit, vitin e kaluar ky qytet e mbylli me 139 558 vizitorë, e përllogaritur kjo me numrin e biletave të shitura për hyrjen në lagjen simbol “Kala”.

Por ndërsa operatorët turistikë po bëheshin gati për një numër më të lartë vizitorësh për këtë vit, për shkak të krizës së koronavirusit, Berati po përjeton braktisjen më të madhe prej dekadash.

Rruga kryesore dhe e vetme mes dy lagjeve simbolike “Mangalem” dhe “Goricë”  është e boshatisur, ende pa shkuar ora 13:00 e ndalim-qarkullimit. Në rrugë sheh vetëm ndonjë makinë shërbimi ose ndonjë kalimtar që nxiton të mbarojë punët e domosdoshme dhe të mbyllet në shtëpi.

“Është për të ardhur keq. Kështu qytetin e kam parë vetëm në ditët e mbrapshta të ’97-s”, thotë Kozma Nova, 75 vjeç, një ndër banorët e hershëm të lagjes “Kala”.

Nova i tha BIRN se këto ditë nuk del në qytet, jo vetëm për shkak të moshës dhe rrezikut nga COVID-19, por edhe se i dhimbset qyteti dhe nuk preferon ta shohë në këtë gjendje.

“Duket se asgjë nuk lëviz më në lagjen “Kala”, gjithçka ka mbetur pezull dhe ajo çfarë mund të bëjmë është që t’i lutemi Zotit që gjithçka të mbarojë shumë shpejt. Ndryshe Berati do ta ketë shumë në vështirë, pasi e gjithë e ardhmja e këtij qyteti është e lidhur me turizmin,” tha përmes telefonit 75-vjeçari.

Goditje për turizmit

Pas pauzës së dimrit, operatorët turistikë të Beratit ishin në pritje të pranverës për t’u rikthyer në biznes, por planet e tyre kanë mbetur tashmë pezull. Ndërkohë, kriza e koronavirusit nuk ka prekur vetëm shtëpitë pritëse, por edhe biznesin e shërbimeve apo dhjetra të rinj, të cilët punojnë si guidë për turistët e huaj.

Ndërsa drejton prej disa vitesh hostelin “Maja” në lagjen “Goricë”, të cilën e ka marrë me qira, Edmir Hidërsha po bëhej gati të hapte një të dytë në të njëjtën lagje, por puna i ka mbetur në mes. Ndërsa numëron mbi 70% të prenotimeve të anuluara, ai po mendon të heqë dorë nga planet për zgjerimin e biznesit.

“Mendoja që me të ardhurat e këtij viti të mundësoja rikonstruksionin e shtëpisë që kam blerë, të cilën dua ta vë në shërbim të turizimit, por kështu siç po shkojnë gjërat, po mendoj që të prish kontratën e qirasë për hostel “Maja”, sepse nuk kam se si ta paguaj,” tha Edmiri.

Me vështirësi të ngjashme po përballet edhe Remon Nova, i cili menaxhon prej vitesh bashkë me familjarët hotel-restorantin “Nova” në lagjen Kala. Ai i tha BIRN se ky është viti më fatal turistik që mund të ketë pasur ndonjëherë Berati.

“Ne e fillojmë mbarë me prenotimet që për festat e marsit dhe kjo është një nisje e mirë, pasi lulëzon puna,” kujtoi Nova.  “Çdo ditë ka anulime prenotimesh. Çdo ditë, agjencitë kontaktojnë duke dhënë lajmin se edhe një grup tjetër aziatik apo amerikan anuloi vizitat,” shtoi ai.

Remon Nova i tha BIRN se ia doli të shlyente në mars pagesat e tre-mujorit si dhe pagat për katër punonjësit e tij –ndonëse ditët e punës ishin të pakëta.

“Po për muajin prill çfarë do të bëjnë, si do t’i paguajmë taksat vendore,” pyet ai, ndërsa i ka kthyer sytë tek ndihma që mund t’u ofrohet në këto ditë të vështira.

Zhvillimi i qytetit përmes turizmit është strategjia kryesore e Bashkisë së Beratit dhe ndonëse nuk ka një pasqyrim të qartë të ardhurash, ky sektor është gjeneratori i vetëm i punësimit dhe mban qindra familje me bukë.

E pyetur nga BIRN për ndikimin e krizës, një zyrtar i Bashkisë së Beratit tha se janë duke analizuar dëmet e shkaktuara nga COVID-19 në turizëm dhe më pas do të vendoset se çdo të bëhet.

Për Remon Novën dhe operatorët e tjerë turistikë, Berati po humbet këtë vit burimin kryesor për mbijetesë.

“Turizmi po i jepte jetë qytetit, pasi veç fasonerisë këtu, asgjë tjetër nuk ofrohet dhe nëse turizmi pëson goditje, është njësoj goditje edhe për qytetin,” tha ai.

Shpresa të vakëta

Sektori i turizmit gjeneron punësim kryesisht për të rinjtë, të cilët e shohin jo vetëm si mundësi për të ardhura, por edhe për një jetë sociale të gjallë, në kushtet ku Berati nuk ofron asnjë argëtim. Dhjetra të rinj vetëofrohen si guida turistike në këtë qytet dhe vera është për ta periudha më e bukur e vitit.

Bona Xhafa, profesioniste në fushën e guidave dhe menaxhimit të turizmit në qytet, e humbi punën e parë të planifikuar për këtë vit.

“Në 28 mars kisha grupin e parë turistik. Më pas, kisha një guidë izraelite dhe një amerikane, të gjitha janë anuluar. [Janë anuluar] edhe ato të muajit qershor si pasojë e koronavirusit,” tha Xhafa.

Veç guidave që ofron për vizitorët që vijnë me grupe, Xhafa menaxhon edhe një shtëpi pritëse dhe një hotel të njohur në dalje të qytetit.

“Në të dyja rastet, gati çdo ditë shoh anulime të rezervimeve. Grupe amerikane, aziatike, por dhe individë që janë të dashuruar me qytetin dhe bujtinën “Kodikët” që unë menaxhoj bëjnë anulime dhe kjo është për të ardhur keq, pasi turizmi po rritej me ritme të shpejta dhe tashmë nuk dimë se si do të shkojë,” shtoi Xhafa.

Të prekura nga situata janë dhe bujtinat në periferi të qytetit të Beratit, të cilat falë pozicionit gjeografik, klimës, ushqimeve bio apo prodhimit të verës ishin shndërruar në “oaze pritëse” për vizitorët shqiptarë, që preferojnë natyrën, por dhe të huajt që duan të eksplorojnë pjesë të panjohura të Shqipërisë.

Fshati Roshnik është njëri prej tyre, por ditët e fundit vëmendja është përqendruar në rastin e parë dhe të vetëm me COVID-19 në bashkinë e Beratit. E prekura është një 44-vjeçare e cila jeton në Tiranë, por që u kthye në fshatin e lindjes pa mbylljes së aktiviteteve. Ajo u konfirmua me COVID-19 më 24 mars.

Gati dy javë pas zbulimit të këtij rasti, banorët e Roshnikut kanë nisur të marrin frymë më të lehtësuar dhe po presin me shpresë rinisjen e jetës normale dhe të turizmit.

Nikolin dhe Ardit Fiska, dy vëllezër që punojnë së bashku me prindërit në restorantin e familjes në Roshnik janë në pritje të ditëve më të mira për biznesin e tyre.

“Rezervimet janë anuluar dhe tani presim që situata të normalizohet për të rinisur nga puna, pasi çdo gjë e kemi gati, perimet e stinës, mishin e qingjit,  verën dhe çdo gjë tjetër,” tha Nikolin Fiska, duke shtuar se po u gëzohej rrezeve të diellit pas shumë ditësh karantinë.

Ndryshe nga shumë të tjerë, Fiska jeton me shpresën se gjërat do të rregullohen.

“Për fat të mirë, nuk dimë që në fshat të ketë raste të tjera, veç rastit të parë dhe tani mbrojmë familjen dhe veten, qëndrojmë në karantinë. Vetëm sot dolëm pak, dhe jemi  gjithë shpresë se gjërat do të rregullohen,” përfundoi ai.