Si e vlerësonte Ismail Qemali, Naim Frashërin?

1134
Gëzim Llojdia*

Vdekja e Naimit
Ditari i Zenelit, të birit të Zaim Brahimaj është një dritare. Prej andej vrojton ngjarje,që mjegullat i kanë rrafshuar. Naimi ishte i vetmi,poet, që u shua në motin e çuditshëm 1900. Vdiq në vjeshtë. Në mëngjesin e vjeshtës, mushkëria nuk i ndjente sëmbimet e zemrës. Çajupi vuri kujën: “Vdiq Naimi, vdiq Naimi, moj e mjera Shqipëri… Rrëzuar ishin gjethet e para të vjeshtës, në 19 tetor. Shenjë pikëlluese. Por vdekja e Naimit lexohet edhe ndryshe. Shpirti i tij vërtetë e braktiste poetin tonë, duke rrugëtuar drejt pamatësisë. Naimi mbylli sytë në një mot të veçantisë. Zbardhni shifrat. Viti 1900. Ç’do të thotë në mistikë, numerologjia 1-9? Nga hapi i parë në gradat e epërme të shpirtit. Shpirti i Naimit ,që nxori diamante, nga toka shqiptare, e braktisi në vjeshtën e vitit 1900. Ikja e Naimit, pra varrimi i tij në teqenë e Madriven Qojt, pranë Abdylit, ato ditë i vuri në zi studentët shqiptarë në Stamboll. “Në senen 1900, lexohet në ditarin Zaim Brahimajt, u dha mandati se pushoi zemra e poetit, burrit më të shquar të Shqipërisë, Naimit. Të gjithë, ne që ishim atje në Stamboll, vendosëm shenjën e zisë në krahë. Për të respektuar, largimin përgjithmonë të poetit të bukurisë shqiptare,ne kishim tre ditë, që nuk shkonim në studim”ka shkruar ai.
Ismail Qemali: Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë
Ismail Qemal Vlora personalitet i spikatur për vlerat patriotike. Figura e tij tërë rrezatim dhe buzëqeshur rrezatonte në shpirt vrull patriotizmi. Dëshmitë saktësojnë se Z. Brahimi, gjatë kohës së studimeve në Stamboll është njohur me Ismail Qemalin. Rrethanat, për të zhbiruar këtë njohje nuk janë përcaktuar. Mirëpo njihet fakti, që Zaimi ka qenë pjesëmarrës në ngritjen e Flamurit., burojnë nga njohja në Stamboll. Z. Brahimaj e bën prezent këtë fakt, njohjen më plakun e Vlorës, që siç mund të jenë shfaqur rrethanat, ka ngjarë në kohën e vdekjes së poetit Naim Frashëri. Përse kjo vjeshtë argjendore e 1900-s tek shqiptarët e Stambollit ruante ngjyrën e zezë? Sqarimi, që mundohet të japë Zaimi është, se pikërisht ato ditë përkujtohej 8 vjetori i vdekjes së Abdyl beut, vëllait të madh të Naimit, që ishte larguar në 1892-shin. Ndërkohë vjeshta e vitit 1900, tregoi se një tjetër yllësi nga frashëllinjtë u shkëput. Kuptohet,që shuarja e tyre, përkohësisht në zemrat e shqiptarëve do të krijonte eklips.
Ismail Qemali në ditarin e Zaimit
“…Vjen madhëria Ismail Qemal Vlora. U mblodhëm pranë tij. Ai burrë i madh na foli më një buzëqeshje të mbyllur. Ai e kishte mësuar se neve kishim 2- 3 ditë,që nuk vinim në studim, mbasi kishim ditën përkujtimore të Abdyl bej Frashërit. “Djem -foli Ismail Qemali -nesër në sabah të vini në shkollë, atje keni Abdylin,dhe Naimin. Se po nuk vajtët, do t’ju qortoj.” Filloi të na hiqte shenjat e zisë. Zaimi thotë më tej: “Unë e mora shiritin e zisë, e vura në xhepin e brendshëm të palltos. Ai më shikoi plotë sytë dhe më përqafoi. -Ti Zaim, mbaje se e ke nga vendi i lindjes, Përmet. Por dëgjo, o Zaim, Naimi hapi një plagë të rëndë në zemrat e shqiptarëve, – dhe iu mbushën sytë me lot. Ne u përqafuam. Ai na mori të gjithëve dhe na dha kafe. -Dëgjoni,djem, tha ai, Naimi ka punuar për të mos vdekur kurrë,as Naimi,as Shqipëria… Zaimi i ka rrëfyer të atit Muharremit se edhe vdekja e Samiut në katër vite ishte e rëndë. Nuk i harroj ato vite të hidhura, që kalova në Stamboll…

Një ditë tjetër Ismail Qemali u kishte thënë: Por ruhuni nga murtati dhe mynafikët, ata janë të pa besë,po s’u ruajtët nga të tillët do të na kushtojë shtrenjtë punët tona se neve na dolën shumë punë,që kemi përpara. Madhëria e tij I. Qemali na tha: Djem mësoni,por Shqipërinë mos e harroni se po na dalin telashe,por unë me ju dhe shumë të tjerë do ta bëjmë Shqipërinë,ashtu siç e duam ne…Të madhit I. Qemali e përqafuam dhe i puthëm dorën, atij burri të madh, atij burri të mençur, atij burri patriot… Ndërkohë muza poetike e Zaim Brahimit ka nxjerrë vargje xhevahire, për Ismail Qemalin. Ato duhet t’i përkasin vitit 1913, si krijim. 

Ismail Qemal bej Vlora
I bardhë si dëbora
Ç’të tha mendja e s’ta bëri dora.
Dora jote, dorë burri
Lart e ngriti Flamurin!
Gëzove gjithë Shqipërinë,
I dhe shpresë vegjëlisë,
Ç’të them i madhi i Vlorës,
Në Stamboll ti më ndihmoje.
Më flisje dhe më qortoje
Më thoshje si të mësoja
Burrë i madh dhe i ditur
Çdo punë e bëre të ndritur!
KUJTIME TË ZAIM BRAHIMAJT
Ditari. 
Seneja (viti) 1899, Stamboll
Ja kush janë përmetarët. Libri i madhërisë Sami Bej Frashëri: “Shqipëria, çka qenë ,ç’është dhe çdo të bëhet”.e lexoja dhe përsëri e lexoja…
Në sabah takoj madhërinë Ismail Qemali dhe i thashë, që kam lexuar këtë libër, ai qeshi, më ra krahëve dhe më tha: “Zaim lexoje shumë herë që të kënaqesh, se këto janë rrënjët e kombit tonë…”

Ditari: seneja 1914 mars.
Nuk i harroj sa të vdes thëniet e Ismail Qemalit, kur pinin kafe një sabah në Stamboll në senen 1901. “Zaim, po të shkon ndërmend që të jesh i ditur, je i ditur. Po të mendosh, që të jesh patriot, je patriot, po mendon që je trim, je trim këto janë ndjenjat e një shqiptari të vërtetë.” më tha plaku i urtë….
KËNGA PËR FRASHËLLINJTË
Potenca, me dimensionet njerëzore në poezinë e N. Frashërit, ka gdhendur në labirintet e zemrës të Zaim Brahimajt. Frymëzuar nga pena e florinjtë e Naimit, në Stamboll Z, Brahimi dhe një bashkëstudent shqiptar nga Progonati i Tepelenës, vendosën, që të ngrenë këngë për Frashëllinjtë. Pse këngë? Kënga këndohej, shtohej, përhapej, dhe sigurisht, që mbetej. Mirëpo në formë kënge në Shqipëri, poezitë e Naimit ishin përhapur si këngë, dhe po në këtë formë ruheshin. Kështu në Stamboll në një konvikt katedësh, Zaimi dhe një progonatas,u futën në detin e këngës. Kënga e Zaimit, bëri që të dridheshin prej dhimbjes shpirtrat e trazuar të studentëve shqiptarë. Tekstin e këngës, Muharremi, i ati e skaliti në mendje. “Zaimi ma këndoi në shtëpi mes disa miqve gjirokastritë”, ka rrëfyer ai.

“O Halid, o Emine
Lum si ju djemtë që ke!
Muarrën dije në teqe,
Në teqe të Baba Alushit,
Plot me dije seç i mbushi. 
Ata djem, ata viganë
Në Stamboll atje qëndruan,
Atje mësuan, atje punuan
Nga Zoti janë dhuruar. 
Lum si ti, moj zonjë Emine,
Për qumshtin e ëmbël që ke!
Rrite djem për mëmëdhe. 
Abdyl, Naim, Sami
Janë të mirë porsi ti…
Të qofshim falë, o Perëndi!
I dhe e i more ti,
Që të tre djem të ri,
53-54 vite i le…
Ata u plakën shumë,
Se ti i le pa gjumë,
I zure shumë me punë,
Punuan bashkë me Perëndinë,
për të mbrojtur Shqipërinë…”
KËNGË PËR ABDYL BEJ FRASHËRIN
Abdyl Frashëri me nam,
Në Prizren seç u mbluadhë,
me njëqind dhjetë luanë,
Flet bilbili ynë i rrallë
Abdyl Frashëri, o djalë!
Fillove punë të mbarë,
Bashkove burrat e parë.
Shkruar dhe kënduar nga Zaim Brahimaj.
Citime nga Zaim Brahimaj, seneja 1900
Dituria ka vlerë. Padituria është e mjerë.
Të lexosh se ç’thotë Abdyli. Të mbushesh me erë si zymbyli. 
Të lexosh se ç’thotë Naimi, të vjen mëndja dhe fiqiri. 
Sami Frashëri të mbush me shpresë dhe i jep jetë Shqipërisë. 
Sami bej Frashëri të ngroh zemrën, ë shton jetën, të ngroh shpirtin.
Të dëgjosh fjalët e Ismail Qemalit, të pastron gjakun dhe shpirtin…..
Cili ishte Zaim Brahimaj nga Katundishta e Përmetit?
90 vjet, qëndroi i baltosur, nën dheun e Drizarit, atdhetari Zaim Muharrem Brahimaj. Pothuajse i harruar. Nën dheun e ftohtë. Nëpër kohë stinësh. Në këtë ndërtesë të përkohshme. Nën peshën e rëndë të gurëve. Nën harresën e madhe të kohës. Nën dhimbjen e madhe të familjes. Mirëpo ka një të vërtetë. Njeriu ikën,vërtetë nga kjo botë,por emri i mirë përjetësohet. Çka do të shqyrtohet ruhet e s’vdes emri i atyre patriotëve shqiptarë që, gur pas guri vendosën themele të rënda për kombin. Dhe për këtë Shqipëri, ata u martirizuan. Një gur në këto themele, vendosi edhe atdhetari Zaim Brahimaj i Katundishtës. Kështu në mendjet e të afërmve të tij ishte ruajtur emri i Zaim Brahimajt. Por varrin e tij, djali që ishte rritur, burrëruar dhe deri sa vdiq, ndonëse bëri diçka dhe kësaj familje nuk i munguan përpjekjet, mirëpo rezultati ishte tepër drithërues. Asgjë nuk sollën në shteg përpjekjet për ta rikthyer në vendlindje, ndonëse shteti në kahun e tij të kundërt filloi hakmarrjen primitive karshi familjes Brahimaj, ndërkaq pinjolli i shquar i saj, Zaim Brahimaj vrarë nga shovenët ende qëndronte i shtrirë në një varr të fshatit Drizar, kushedi se ku, për 90 vjet. Ndoshta arsye mbetet koha, që ishte treguar kaq e pamëshirshme me fatin e këtij atdhetari. Ndoshta edhe regjimi,që vuri këmbën pas vitit 1945, krijoi një grackë heshtjeje. Mirëpo distancat kohore thyejnë një ditë muret e rënda të viteve harresës. Itinerari kohë, mbërrin me 90 vite vonesë ose pragu, i një shekulli, distancë. Në Katundishtë engjëjt zgjuan, flautin e ëndrrës fortësisht të çuditshme, tek Zaim Brahimaj për të gjetur dije, me shtegtimin ditë-netësh i heshtur në muzg të kohës 1898, ku karvani i shtegtarëve zgjatej drejt kryeqendrës së Perandorisë, Stambollit. Një përballje me faktin. Lexohet dëshmia e të birit. Zaim Brahimi shtegtoi në Stamboll në përballjen e parë me dijen. Dëshmitë e disa banorëve më të moshuar të Katundishtës, zbardhin këtë pohim se ky shtegtim i gjatë drejt Stambollit do të ishte njëkohësisht ndryshim i frekuencës së tij. Shkollimi i Z. Brahimajt ishte i orientuar në shkollat ushtarake. Kohë shkollimi, sigurisht që zë një hapësirë kohe të gjatë. Flitet, për një periudhë,që përkon me vitet 1898 si hap i parë, ka zgjatur 9 vjet afërsisht. Është mbyllur definitivisht në 1907. Z. Brahimaj ka qëndruar në Stamboll 9 vjet, rrëfejnë dëshmitë ditët e rrokullisura në kryeqendren osmane të Stambollit.
Sigal