Shtyu drejt greminës në Dajt gazetaren dhe operatorin, pezullohet nga detyra efektivi i policisë

174
Sigal

Efektivi i policisë që shty gazetaren dhe një operator drejt një greminë në Dajt është pezulluar nga detyra.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njofton mbrëmjen e së shtunës se punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.

NJOFTIMI

“Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë pasditen së sotme me disa gazetarë, në Qafë Mollë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e policisë Sh.T. Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit. Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës police që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cënimit të marrëdhënieve me mediat e qytetarët.”

Kujtojmë se incidenti ndodhi këtë pasdite në Qafë Mollë, në vendin ku u gjet i pajetë trupi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Terreni ku u gjet trupi i viktimës është disi i vështirë dhe efektivi i policisë ka rrezikuar edhe jetën e gazetares dhe operatorit të saj që ndodheshin pranë shiritit të verdhë.