Felaj në Kuçovë: “PS do të investojë në zhvillimin e industrisë së naftës”

535
Sigal

TAKIMET/ Kandidatja për deputet e Partisë Socialiste në rast fitoreje ka premtuar ndryshime dhe investime në qytet

Kandidatja për deputet e Partisë Socialiste në Qarkun e Beratit, Ermonela Felaj ka vijuar takimet në rrethin e Kuçovës si në qytet ashtu dhe nëpër fshatrat e kësaj zone. Felaj është shprehur në këto takime se pas 23 Qershorit kur e majta të vijë në pushtet do të mbështetet rrethi i Kuçovës me fonde për të ndërtuar një infrastrukturë model dhe do të investohet në zhvillimin e industrisë së naftës në këtë qytet. Më tej ajo është shprehur se, Kuçova është një qytet që ka industrinë më të madhe në shkallë vendi, por ‘regjimi’ i Berishës e ka lënë atë në pikë të hallit. Ajo ka theksuar se në qytetin e Kuçovës kanë qenë në efiçencë të plotë 12 ndërmarrje, ku punonin rreth 12 mijë punëtorë. Por të gjitha këto ndërmarrje janë shkatërruar nga persona të ndryshëm për interesat përfituese. “Por ne nuk do ta lëmë në këtë gjendje popullin e Kuçovës. Qeveria socialiste do të investojë në të gjitha sferat, ku është më e nevojshme”, ka thënë Felaj. Në të gjitha takimet e zhvilluara kandidatja për deputete ka dëgjuar me kujdes ankesat dhe sugjerimet e banorëve, të cilët me shpresën e fitores të Partisë Socialiste do t’i rikthehet besimi i humbur prej shumë vjetësh. Në takimet e zhvilluara me elektoratin në lagjen “1 Maj”, ku në sheshin e kësaj lagjeje e prisnin rreth 1000 veta, u zhvillua një takim shumë dashamirës dhe me premtime të mëdha se të gjitha votat do t’ia japin Partisë Socialiste. Felaj iu ka premtuar këtyre njerëzve të vuajtur prej 8 vjetësh nga regjimi i Berishës se qeveria socialiste do të bëjë të mundur zbutjen e varfërisë në këtë qytet. Madje, ne,- ka thënë ajo, -do të punësojmë qindra vetë, pasi mundësitë janë të mëdha dhe do të zgjerojmë industrinë e naftës dhe atë mekanike që historikisht në këtë qytet ato kanë punuar me kapacitet të madh. Më pas takimet kanë vijuar edhe në lagjet e tjera të qytetit si në lagjen “Tafil Skëndo”, “11 Janari”, “Llukan Prifti” si dhe në shumë fshatra të Komunës Perondi dhe Kozare.