Ujësjellësi ‘dënon’ lagjet periferike të Elbasanit

Banorët e lagjes “Mëhallë e Madhe” kërcënojnë me protesta nëse nuk zgjidhet problemi i tyre i mbartur ndër vite

Situatë e pazakontë krijohet me fillimin e stinës së verës në lagjet periferike të qytetit të Elbasanit. Ujësjellësi i këtij qyteti ‘dënon’ pothuajse të gjitha lagjet që nuk janë pjesë e qendrës, duke mos i furnizuar me uji të pijshëm në muajit kur kjo kërkesë është edhe më e madhe për shkak se edhe temperatura e larta bëjnë të vetat dhe nevojat specifike rriten. Kështu banorët e lagjes “Mëhallë e Madhe” ankohen vazhdimisht se janë lënë në harresë. Sipas vëzhgimit të “Telegraf”, në këtë lagje rrugët janë të pashtruara, numri i papunësisë është në shifra të larta dhe në stinën e verës uji i pijshëm në të shumtën e rasteve mungon nëpër të gjitha familjet. Orari i reduktuar që aplikon ujësjellësi për këtë lagje në periferi, nuk përmbush kërkesat e banorëve, të cilët detyrohen të mbushin ujë me bidonë, në zona të tjera të qytetit, ku edhe kostoja është e papërballueshme duke qenë se, uji blihet çdo ditë. Të alarmuar se edhe këtë vit do të kenë të njëjtin fat, ata paralajmërojnë daljen në protestë, për shkak siç thonë edhe vetë të indiferencës së pushtetit vendor. Banorët e pyetur nga gazeta nëse janë pagues të rregullt të faturave të ujit përgjigjen se po, edhe pse nuk marrin shërbimin e kërkuar nga Ujësjellësi. “Kjo që na ndodh neve është e tepër, jemi bërë për të shitur shtëpitë e të ndryshojmë lagje, se kështu nuk shtyhet më. Edhe ne jemi pjesë e këtij qytet, se kuptojmë pse na diskriminojnë kështu, kur mbi të gjitha jemi edhe shlyes të rregull të faturave që na vijnë çdo muaj”, -thotë A. Qosja. Sipas të dhënave ajo që e rëndon edhe më shumë situatën gjatë verës janë edhe shtimi i lavazhove verorë, që hapen kryesisht nga të rinjtë. Por krijimi i këtij biznesi të vogël që punon si i palicencuar thonë banorët, nuk është problemi ynë, me mbylljen e tyre për të ulur humbjet në rrjet duhet të merret Ujësjellësi, por meqenëse lavazhot punojnë gjatë verës ata që e paguajnë jemi ne. Dhe ky vendim që merr kompania për të na ndërprerë ujin e pijshëm nuk është zgjidhje. Po aq problematike mbeten dhe kanalizimet e ujërave të zeza dhe më së shumti banorët e kanë zëvendësuar këtë shërbim social me gropa septike. Drejtuesit në Bashki, ua hedhin fajin drejtuesve të rajoneve, ndërsa këta të fundit ngrenë supet duke thënë se nuk kanë fonde për investime, të cilat sipas tyre kushtojnë shumë.

NOA