Shtyhet afati për ligjin e investimeve strategjike deri në fund të vitit 2024

21
Sigal

Afati për ligjin e investimeve strategjike është shtyrë deri në fund të vitit 2024, plani fillestar ishte fundi i vitit 2027. Brenda këtij afati Ministria e Financave duhet të propozojë një ligj të ri.

“Kemi dëgjuar deklarata të ndryshme të përfaqësuesve të qeverisë mbi hartimin, nisjen e një ligji të ri prej kohe. Komisioni i Ligjeve ashtu si dhe një grup tjetër deputetësh në komisione të tjera sugjeruan  dhe miratuan propozimin për shtyrjen e afatit në fuqi dhe në fund të vitit 2027, por në fund të 2024”, deklaroi deputeti Eduard Shalsi.

U shfuqizuan edhe kriteret e reja për shumën e investimit minimal, ndërsa më herët Shalsi kishte propozuar që kjo vlerë investimi të rritet, ku shuma minimale e një projekti të propozuar për t’u kualifikuar si investim potencial strategjik të jetë mbi 50 milionë euro, në sektor ose të krijojë minimalisht 300 vende pune. Ndërkohë që nëse subjekti synon procedurën në sektor, vlera e investimit të jetë e barabartë ose më e madhe se 100 milionë euro ose investimi të krijoje minimalisht 500 (pesëqind) vende te reja pune.

Me votat e mazhorancës zgjatja e afatit për ligjin e investimeve strategjike kaloi në të dyja komisionet, në atë të Veprimtarisë Prodhuese dhe të Ligjeve, ndërsa pritet që të kalojë në seancë plenare.

Ligji për investimet strategjike i miratuar nga viti 2015, është shtyrë disa herë, ndërsa përfundoi efektet më 31 dhjetor 2023. Në total nga viti 2016 e deri më sot të paktën 88 projekte investimi kanë kërkuar që të përfitojnë statusin e investimit apo investitorit strategjik. Nga këta 40 prej tyre e kanë përfituar atë ndërkohë që 14 projekte janë refuzuar dhe 34 janë në fazë vlerësimi.

Ligji për investimet strategjike parashikon masa mbështetëse, nxitëse apo lehtësuese për projekte që parashikojnë vlera të konsiderueshme investimi apo sjellje të markave ndërkombëtare./ Revista “Monitor”