Shtohen 45 linja transporti/Udhëzimi i Gjiknurit, pas debatit mbi rrjetin e miratuar nga ish-ministri

715
Sigal

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar shtimin e 45 linjave të reja për transportin ndërqytetës të pasagjerëve. Gjithçka përcaktohet në një udhëzim të ministrit, Damian Gjiknuri me datë 9 maj 2018, ku saktësohen të gjithë itineraret e rinj. Për nisjet nga Tirana janë shtuar 9 linja të reja, që do të bëjnë transport udhëtarësh drejt Konispolit, Maliqit, Memaliajit, Patosit, Roskovecit apo Dropullit. Për Qarkun e Tiranës është shtuar edhe linja Tiranë-Vorë-Tiranë, si dhe 2 linja nga Kamza drejt Gramshit dhe Pogradecit. Për Bashkinë Durrës do të operojnë 2 linja të reja me itinerar Durrës-Golem-Durrës dhe Golem-Durrës-Golem. Ndërkohë që, linja të reja janë edhe Elbasan-Shkodër-Elbasan apo Përmet-Durrës-Përmet. Ndërkaq, udhëzimi i Gjiknurit saktëson se transporti në linjat kryesore, por edhe ato ushqyese duhet të kryhet pa ndalime për hipjen apo zbritjen e udhëtarëve gjatë itinerarit të linjës. Rrjeti i ri i linjave vjen pas shumë debatesh, të nisura prej vitit të kaluar, kur ish-ministri Sokol Dervishaj në ditët e fundit të mandatit miratoi shtimin e 80 linjave të reja. Ai u cilësua si abuziv nga Shoqata e Transportit Kombëtar Interurban, çka solli shfuqizimin e tij me ardhjen e ministrit Gjiknuri. Por, pavarësisht shfuqizimit të këtij vendimit përfaqësues të ministrisë thonë se shtimi i linjave është i domosdoshëm për shkak të kërkesave dhe nevojave të udhëtarëve. Ndërkohë që, me herët shoqata rikundërshtoi përpjekjen për shtimin e këtyre linjave, pasi sipas saj nuk u bashkëpunua për të parë nëse këto linja janë realisht të nevojshme apo jo.(SCAN)