Monopoli i kontrollit të automjeteve vazhdon të grabisë qytetarët shqiptarë

634
Sigal

Viti i dytë i qeverisjes së Rilindjes, drejtuesit e automjeteve: Kur do të liberalizohet kolaudimi?

Rilindja ka hyrë tashmë në vitin e dytë të qeverisjes së saj, por megjithatë koncensionet e dhëna nga qeveria “Berisha” vazhdojnë të lulëzojnë ende, edhe pse u premtua për anulimin e tyre nga qeveria aktuale. Monopoli më shumë i përfolur si korruptiv dhe arbitrar është ai i kolaudimit të mjeteve motorike. Dhënia me koncesion e kolaudimit të automjeteve kompanisë zvicerane “SGS Automotive Albania” në vitin 2009, i hoqi përfitime prej miliona eurosh sektorit publik, nëse ky shërbim do të administrohej nga shteti, siç në fakt rezulton të jetë në shumë shtete të tjera. Kolaudimi, është një proces kontrolli i përvitshëm që në bazë të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë është i detyrueshëm një herë në vit për çdo automjet që është i regjistruar në vendin tonë. Por, ky shërbim njihet si një nga monopolet më korruptive, më arbitrare dhe më rrënuese për shqiptarët. Skema e ryshfetit dhe e korrupsionit, që shkreton ekonominë e mijërave familjeve, tashmë është e njohur për të gjithë. Miliona euro shkojnë për llogari të kompanisë që ka shërbimin monopol, falë lidhjeve klienteliste me qeverinë e kaluar, por, mesa duket edhe me elementë të pushtetit aktual. Aktualisht, siç edhe ka premtuar vetë Kryeministri Edi Rama, ky treg po i nënshtrohet një ekspertize ligjore, ndërsa thuhet se disa kompani kanë shprehur interesin për të ofruar këtë shërbim. Porse, edhe kompania monopol po lëviz çdo gur, deri në instancat e larta, për të ruajtur pozitat absolute në treg. Që nga viti 2009 ky shërbim ka pjellë vetëm problematika, kryesisht në tarifa dhe shërbim, për drejtuesit e automjeteve, të cilët me të drejtë (falë edhe komunikimit me jashtë) bëjnë krahasime me vendet e tjera:

Së pari, drejtuesit e automjeteve nuk janë dakord me tarifat e shërbimit. Që nga shtatori i vitit të kaluar të gjithë ata që kryejnë kolaudimin e makinës paguajnë 1960 lekë, nga 1800 lekë që ishte më parë. Rritja prej 160 lekësh ndoshta është e pakët për çdo individ, por është një shifër e majme për kompaninë koncensionare, ku bëhet kolaudimi i detyrueshëm i makinës. Në Shqipëri ka rreth 600 mijë mjete transporti, ndaj rritja e tarifës së kolaudimit me 160 lekë jep një rezultat shumë të majmë për koncesionarin që zotëron tregun e detyrueshëm.

Së dyti, rritja e tarifës erdhi për një shërbim që as nuk i afrohet normalitetit. Jemi dëshmitarë të radhëve të gjata dhe pritjeve me orë të tëra në pikën e kolaudimit të kryeqytetit. Ky nuk është një shërbim normal nga koncesionari, të cilit i është dhënë e drejta të përfitojë nga një shërbim monopol (kontrolli teknik është i detyrueshëm).

Së treti, ajo çka rrit artificialisht koston e shërbimit të kolaudimit janë dhe kilometrat që duhet të bëjë një drejtues automjeti, për shembull në periferi të Tiranës (Kërrabë), i cili duhet të bëjë rrugën vajtje-ardhje për të bërë kontrollin e detyrueshëm dhe askush nuk ia llogarit këtë kosto. Kjo, se firma koncesionare nuk rrit kapacitetet e saj.

Së katërti, drejtuesit e automjeteve nuk janë dakord me kontrollin e përvitshëm të automjetit të tyre, ndërsa në vendet fqinje kolaudimi bëhet një herë në 2 vjet. Kjo gjë sjell dhe rritjen automatike të pagesave vjetore që duhet të bëjë një drejtues automjeti.

Së pesti, një tjetër shqetësim është ndryshimi i tarifave duke iu referuar vitit të prodhimit të makinave. Ndërkohë që mendohet se më e drejtë do të ishte të shihej kilometrazhi, pasi një makinë mund të jetë më e re në vit prodhimi, por në fakt është më e vjetër në kilometrazh. Dhe meqenëse drejtuesit e automjeteve taksohen edhe te karburanti do të ishte e mjaftueshme që diferencimi të bëhej pikërisht në këto taksa, ku ai që do ta përdorë më shumë automjetin e tij (pra, për pasojë edhe ndotja e ambientit do të jetë më e madhe) do të furnizohet më shumë me karburant ( ku edhe taksat janë të përfshira).

Së gjashti, drejtuesve të automjeteve nuk u duken të drejta tarifat e rikontrollit. Kështu, në rast rikontrolli tarifa për t’u paguar është 40 % e tarifës fillestare për rikontrollin e parë dhe 50 % e tarifës fillestare për të gjitha rikontrollet e mëvonshme. Ndërsa, për makinat që kanë mangësi në sinjalistikë, tarifat janë sa 20 % e tarifës fillestare. Por, në rast se pas një muaji nga data e kontrollit, shoferi nuk paraqitet për rikontroll, atëherë pagesa e kolaudimit bëhet e plotë.

Së shtati, drejtuesit e automjeteve mendojnë se derisa firmat kryesore të automjeteve kanë përfaqësuesit e tyre në vendin tonë, atëherë edhe kolaudimin ta bëjnë në firmën së cilës i përket automjeti i tyre.

Hetimi i Autoritetit të Konkurrencës

Duke u nisur nga këto problematika si dhe nga kërkesa e Komisionit të Ekonomisë për hetim të disa prej koncesioneve, Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar veprimtarinë e kompanisë koncesionare. Nga hetimi i këtij aktiviteti, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në qershor të këtij viti, që të merren masa sa i përket kontrollit teknik të mjeteve. Autoriteti jep një sërë sugjerimesh në vendimin e tij, duke shkuar deri te liberalizmi i shërbimit. Konkurrenca në vendim ndalet në dy zgjidhje që mund t’i shërbejnë përmirësimit të shërbimit për qytetarët. I pari është që në rast se koncesioni do t’i mbetet një kompanie, të sigurohet që të ketë më shumë pika për qytete të mëdha si Tirana, në mënyrë që të shmanget edhe radha. Por edhe pse si mundësi, kjo është në kundërshtim me linjën që sugjeron Konkurrenca për të mos pasur monopole. Kështu që si sugjerim i dytë vjen edhe mundësia e liberalizmit të shërbimit, duke lënë kështu kompani të tjera të bëhen pjesë e tregut.

Rama: Kolaudimi i makinave, jo më monopol

 Në janar të këtij viti, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi liberalizimin e sistemit të kolaudimit të automjeteve, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e anulimit të koncesionit në këtë drejtim, të cilin e cilësoi si një sistem korruptiv. Rritja e standardit teknik të automjeteve është një tjetër masë për sigurinë rrugore, ka deklaruar kryeministri Rama.

“Ministria e Transportit ka qenë e qartë për t’u thënë qytetarëve që mbajnë radhë për të kolauduar automjetet dhe i paguajnë kohë e shumë para, jo vetëm nga buxheti i shtetit dhe xhepi i tyre, një koncesioni korruptiv, arbitrar. Ky është koncesion në shqyrtim. Do të bëhet anulimi apo relativizimi i këtyre koncesioneve monopol. Por ky nuk është proces që bëhet partizançe, por kërkon ekspertizë ligjore. Në fund të këtij procesi ne do të vendosim se çfarë do të bëjmë, ose do ta relativizojmë sistemin ose do e liberalizojmë atë”, ka thënë Rama gjatë një takimi kombëtar për sigurinë rrugore.

 Ledjana Saliu