Shqiptaro-amerikanët: Asnjë regjim nuk është sjellë kështu me Frashëllinjtë

754
Ministria e Kulturës e kësaj qeverie dhe kjo ministre, do të mbahen mend gjatë në kujtesën e çdo shqiptari, si institucioni më i përfolur, më i paaftë dhe më shkatërrimtari i vlerave të çdo aseti dhe trashëgimie kulturore që ka mbetur aktualisht sot në çdo cep të vendit. Zonja Kumbaro, nuk do ta kisha menduar kurrë, që një ministre e cila ka patur fatin të dalë herët jashtë dhe që ka parë se si vlerat e trashëgimisë kulturore ruhen me aq fanatizëm (edhe në Francë), të kishte kaq neglizhencë dhe përgjumje për kulturën e vendit të saj. Nuk po flas për kalatë, sepse edhe ato në këto tre vite e gjysmë, ju i latë në dorën e Zotit, nuk po flas për përmendoret dhe lapidarët e heronjve dhe dëshmorëve, sepse edhe ato i keni lënë në dorën e Zotit dhe që shpesh vendin e tyre e kanë zënë lokalet e ndonjë të forti fshati ose qyteti. Po flas për Frashërin dhe tre korifenjtë e Rilindjes Kombëtare, që kanë mbetur në mëshirën e fatit. Në Ministrinë e Kulturës, që t’i drejton prej 3 vitesh e gjysmë, kanë ardhur mbi 20 letra, peticione dhe kërkesa të vazhdueshme qysh nga dhjetori 2013 deri sot, të firmosura dhe vulosura, nga shoqata, individë dhe grupime të tjera shoqërore, ku të kërkojnë të rimëkëmbësh muzeun e Samiut, Abdylit dhe Naimit, të rehabilitosh atë vlerë kombëtare që e kanë degraduar vitet, dhe dora e njeriut. 

Por ti ke heshtur, nuk u ke kthyer përgjigje qoftë edhe për kortezi, një letre, një kërkese dhe një peticioni, të nënshkruar nga afro 11 mijë qytetarë të cilët kanë origjinën nga Frashëri dhe u dhimbset historia e vendlindjes. Qeveria aktuale nuk ka vëmendje fare për vlerat historike, dhe kjo duket hapur tek degradimi i tyre, tek shembja e tyre çdo ditë, tek vjedhja e tyre, tek shitja dhe blerja e tyre për të ngritur pallate, vila, pishina, komplekse turistike, apo edhe vende ku prodhohen madje edhe lëndë narkotike. Të “harrosh” vlerat e një kombi, shenjat e gjalla të historisë tij siç janë objektet e mbetura deri sot, do të thotë të zbatosh më e pakta një strategji të rrezikshme për eliminimin dhe fshirjen e kujtesës së kombit”- ka thënë një shkrimtari ynë i madh. Duke u ndalur tek Frashëri, një nga fshatrat që emrin e ka në arkivat e ish-Perandorisë Osmane dhe në të gjitha arkivat e kancelarive europiane, mendoj se kjo qeveri ka mëkatet e saj. Për të qenë realistë, duhet të themi se “koha e diktaturës” e vlerësoi maksimalisht fshatin dhe emrin e tre vëllezërve që janë nderuar si “Nderi Kombit”. Ishte ai sistem, që i rindërtoi atyre shtëpinë në qendër të Frashërit, që u ngriti bustet, u botoi në shqip gjithë veprat e tyre të çmuara, që i rreshtoi emrin në librat e historisë Shqipërisë. Tre burrat e Frashërit, u shkrinë për Shqipërinë, u tretën për vatanin, punuan dhe luftuan për gjuhën dhe pavarësinë e atdheut të tyre. 

Në vitet ‘60 “sistemi diktatorial” ndërtoi atje në Frashër rrugën e re automobilistike dhe shtëpinë e Samiut, Abdylit dhe Naimit, duke e shpallur “Monument Kulture” dhe u ngriti atyre edhe bustet. Fshati ku lindën dhe u rritën tre vëllezërit Frashëri, është braktisur, është mbuluar nga ferrat, shkurret dhe gërmadhat e banesave të dikurshme të banorëve. Fshati me emër të mirë dhe me histori të madhe, ndodhet vetëm 1 orë larg nga qyteti Përmetit, dikur një qendër e madhe banimi dhe kulture. Ky fshat para 72 vitesh ka qenë komunë -qendër dhe sipas dokumenteve zyrtare Frashëri kishte rreth 800 shtëpi dhe rreth 1200 banorë, kishte një rrjet me dyqane, ambulancë, mami, mjekë, xhandarmëri, etj. Edhe ish-Mbreti Zog i kishte krijuar me vendim të veçantë kushte normale jetese frashëllinjve, dhe kjo për nderim të tre rilindasve që shkrinë jetën dhe pasurinë e tyre për Shqipërinë. Gjallërinë Frashëri e mori gjatë 45 viteve të ish-sistemit socialist, u dyfishua popullsia e tij, u zgjeruan shërbimet, u ngritën 2 shkolla të reja, kishte rrjet ujësjellësi, por edhe një spital me 10 shtretër. Çdo vit Frashëri priste dhe përcillte mbi 2 mijë turistë vendas dhe të huaj, që shkonin posaçërisht për të parë, fotografuar dhe mësuar nga ciceroni mbi jetën dhe veprën e tre rilindësve, por edhe Teqenë e famshme. Por çfarë ngjau me Frashërin pas vitit 1992? Ashtu si edhe me shumë fshatra të tjera të vendit, edhe Frashëri pësoi ndryshime dhe shkatërrime, braktisje dhe rrënime të gjithçkaje që ishte jetësore, historike, njerëzore. U braktisën dhjetëra e qindra shtëpi, toka mbeti djerr, lagjet e fshatit u mbuluan nga ferrat, shkurret, banesat e mbetura bosh u mbushëm me kafshë të egra. Kësaj kataklizmoje nuk do ti shpëtonte edhe vlera më madhe e kombit, simbolika e historisë, shtëpia e tre rilindasve. Edhe ajo u bastis, u vodhën sendet e tyre personale dhe familjare të cilat kishin ardhur me porosi të Enver Hoxhës nga Stambolli, për tu vendosur në shtëpinë e tyre muze. U dhunuan bustet e tyre, u shkulën deri pllakat e gurit të oborrit të shtëpisë tyre muze, u shkretua gjithçka. Dukej sikur po vinte fundi botës. 

Lavdia e dikurshme e Frashërit

Komuna e dikurshme e Frashërit, ka patur 10 lagje të mëdha, dhe ishte një qendër e rëndësishme bektashiane, ku vlen të veçojmë se nga gjysma e dytë e shekullit XIX, teqeja e Baba Alushit ishte vendi ku piqeshin patriotët e zonës. Vepra e shkruar nga Dalip Frashëri, me titull “Hadikaja”, në 1842, me 65 mijë vargje, ishte i pari epos në gjuhën tonë me shkronja arabisht. Ndoshta këtu e gjeti frymëzimin edhe Naim Frashëri për hartimin më vonë të dy episodeve të tij. Naim Frashëri, në poemën e tij “Bagëti e bujqësi” është frymëzuar pikërisht nga natyra e rrallë, nga fushat pjellore të Frashërit. Të tolerosh shkatërrimin e vlerave dhe kontributeve të tre rilindasve, është më shumë se mëkat dhe shkelje ligjore. Zonja Kumbaro, në 11 korrik të këtij viti, erdhën nga SHBA, dy shqiptaro-amerikanë, (farefisi im) që kishin origjinën nga Frashëri. Pasi takuan dhe u përmalluan me motrat dhe vëllezërit e tyre në Tiranë dhe Elbasan, me nipërit dhe mbesat, kërkuan të shkonin në fshatin e origjinës. Ata vajtën, por atje mallin e shuan me indinjatën dhe urrejtjen për Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Transporteve, e para nuk ishte kujtuar qoftë edhe për lyerjen me bojë të muzeut të frashëllinjve, dhe e dyta që nuk kishte shtruar me asfalt qoftë e një metër rrugë, nga Përmeti drejt Frashërit. Një pjesë rruge e bënë madje me mushka. Kishin ikur para 60 vitesh nga Shqipëria, dhe ishte hera e tretë që vinin në vendlindje, dy herë në “kohën e diktaturës”, dhe tani në atë të demokracisë. Por e di çfarë thanë ata zonja ministre “kur erdhëm në atë kohë, zemra na u mbush me gëzim, fshati kishte zhurma, gaz e hare, shtëpia e tre rilindasve ishte bërë e re, edhe muzeu i tyre, kurse sot qenka shkretuar gjithçka, ç’tu themi nipërve në Amerikë”. Ata qëndruan për afro 1 muaj në Shqipëri dhe besoj se kur janë kthyer të trishtuar, sepse nuk bënë asnjë fotografi në fshatin e të parëve, ku të tregohej se kishte jetë, kishte shtet dhe aq më pak …. kishte Ministri Kulture. 
Sigal