Çelet Konferenca “Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva” organizuar nga Akademia e Shkencave të  Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës

46
Sigal

Sot në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u çel Konferenca Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva organizuar nga nga Akademia e Shkencave të  Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Konferencën e çeli Prof.Dr. Gëzim Hoxha , Kryetari i Seksionit te Shkencave Shoqërore Albanologjike në Akademinë e Shkencave së Shqipërisë, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve. Më andej Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi mbajti fjalën përshëndetëse. Pasi ju uroj mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, ai vuri në dukje lidhjet e hershme të arkeologjisë me humanizmin në territoret shqiptare, fazat e zhvillimit të interesit arkeologjik në oborrin e  Ali pashë Tepelenës, të interesit arkeologjik të  shkollës italiane të arkeologjisë, me Luigi Ugolinin e Domenico Mustilli-n; shkollës franceze, me Leon Rey-n; shkollës austriake me Karl Patch-in, Camillo Praschniker-in dhe me baronin Franz Nopsca si dhe fillimi i gërmimit sistematik për zbulimin e kulturës materiale në sitet kryesore që lidheshin me periudhën prehistorike parailire, si kulturat e Maliqit dhe Matit; me periudhën e qytetërimit ilir si qytetet Amantia, Bylis, Lissus, Shkodra etj nga arkeologët shqiptarë.

Arkeologjia shqiptare –theksoi akad.Gjinushi-u institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948, me ngritjen e të parit muze arkeologjik të vendit, që shenjon edhe kthimin e saj në vendin e vet. Me këtë vendim arkeologjia shqiptare u shndërrua në një shkencë të vërtetë dhe brenda dy dekadash u kapërcyen si romantizmi shkencor nga njëra anë, ashtu dhe shfrytëzimi i nëntokës shqiptare për të pasuruar muzet e vendeve të mëdha, siç kishte ndodhur më parë me kulturën greke, egjiptiane, hebreje dhe hetite. Mbështetja e interesimi për institucionalizimin e kërkimeve arkeologjike u rrit më tej me ngritjen e institutit, bashkimin e institutive të albanologjisë e formimin e Akademisë së Shkencave . Më andej akad. Gjinushi foli për brezat e studiuesve të njohur arkeologë në Shqipëri. Brezi i parë i ndritur i themeluesve të arkeologjisë shqiptare,-theksoi akad.Gjinushi- me Hasan Cekën, Selim Islamin, Frano Prendin e Skënder Anamalin, ka meritën historike që jo vetëm e mori në duart e veta zbulimin e qytetërimeve të lashta, por, siç u vlerësua prej studiuesve të huaj të ftuar në konferencën e dytë albanologjike kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit (1968), me arritjet e veta, bëri që arkeologjia shqiptare të hynte në shkencën arkeologjike europiane nga porta e madhe.  Ndërsa Eqrem Çabej, në Kuvendin I të Studimeve Ilire (1972), do të pohonte se arritja më e madhe e atij kuvendi ishte që u provua se arkeologjia e re shqiptare po ofronte me sukses argumente bindëse në favor të vërtetimit të tezave të mbrojtura në gjuhësi për lashtësinë e shqipes, burimin ilir të saj dhe vazhdimësinë historike-territoriale të pandërprerë këtu ku jemi. Brezi i dytë i arkeologëve,-vazhdoi akad.Gjinushi- me personalitete të tillë si Muzafer Korkuti, Bep Jubani, Neritan Ceka, Aleksandra Mano, Aleksandër Dhima, Apollon Baçe e Aleksandër Meksi, ka meritën që jo vetëm e lartësoi me tej arkeologjinë si dije, si shkencë konkurruese me albanologjinë që zhvillohej në Botë, e njëherësh si promovuese të vlerave të qytetërimit iliro-shqiptar jashtë vendit në një kohë izolimi, por, edhe, që ia ndërroi vendin e rolin arkeologjisë në kuadër të disiplinave të tjera albanologjike. Tashmë arkeologjia nuk është thjesht një mbështetëse e tezave me bazë gjuhësore për etnogjenezën e shqiptarëve e identitetin e tyre apo një argumentuese e rolit dhënës të kulturës së tyre, por ka shkuar qartazi në drejtimin e ndryshimit të hierarkisë mes tyre, duke marre edhe rol pararendës, pasi arkeologjia shkon shpesh edhe atje ku gjuha nuk arrin të shkojë. Duke vlerësuar arkeolgët aktualë, akad Gjinushi vuri në dukje se një brez i tretë i arkeologëve shqiptar, i formuar e i vetëformuar me kërkesa akademike europiane, me lidhje të jashtme bashkëpunimi me jashtë dhe me teknologji të reja zbulimi, është duke e shpërfaqur në mënyrë të argumentuar në tërësi hartën arkeologjike të vendit, duke e shndërruar gjithnjë e më shumë hinterlandin, deri vonë disi të harruar, në përparësi të kërkimit. Këta tre breza, që përbëjnë historinë e arkeologjisë, do të nderohen në çdo jubile, sot e në të ardhmen, do të nderohen edhe prej brezave që vijnë, të cilëve do t’u duhet më shumë vullnet e formim për të kapërcyer arritjet e tyre.

Më andej akad.Gjinushi foli për ndërthurrjen disiplinare të arkeologjisë me antripogjenetikën dhe analizat e ADN-së, filogjenetikën dhe inteligjencë artificiale që synojnë të shkojnë deri në burim të qytetërimeve, gjuhëve dhe kulturave; vlerësimi i kësaj përvoje, përvetësimi i saj dhe përditësimi me dijet bashkëkohore, është kusht për të mos mbetur prapa. Kjo konferencë me siguri do të parashtrojë pyetje e zgjidhje edhe për këtë realitet të ri.

Përmbledhtas,-përfundoi akad. Gjinushi- pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka kërkimi shkencor tek ne, qoftë prej kufizimeve ideologjike apo nga labirinthet e tranzicionit, në këtë 75-vjetor mund të themi me bindje të plotë se ky kontribut dhjetëravjeçar i Institutit të Arkeologjisë e i arkeologëve të të gjitha brezave, në bashkëpunim edhe me qendra nga më të njohurat dhe specialistë po aq të vlerësuar të arkeologjisë europiane, ka bërë që shkenca shqiptare jo thjesht të dëshirojë e të pohojë vjetërsinë e lashtësinë mijëravjeçare të origjinës së popullit shqiptar, por t’i bazojë e vërtetojë ato me fakte e artifakte shkencore, në vend të afirmimeve entuziaste e amplifikuese amatoreske; ka bërë që të dominojnë argumentet shkencore të bazuara mbi gjetjet shumëvjeçare arkeologjike për tërë periudhat: që nga ato prehistorike; për vazhdimësinë e lidhjet midis tyre që nga parailirët, ilirët e arbërit deri tek shqiptarët; duke i kthyer në argumente të pakontestuara e të pranuara gjithnjë e më gjerë nga albanologjia botërore. Janë këto arritje, veçanërisht ato përgjatë 10-vjeçarëve të fundit, që përbëjnë burimin e risive shkencore, njëherësh dhe shkakun e nevojën për hartimin e një historie të sintetizuar të shqiptarëve nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim të ngushtë me institutet e albanologjisë e departamentet e shkollave të larta.

 

Konferencën e përshëndëti dhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja. Pasi përshendeti të pranishmit-akad.Mehmet Kraja uroi përvjetorin e fillimit institucional të arkeologjisë shqiptare, që lidhet me themelimin e institutit përkatës, një nga institucionet më të vlefshme të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Kosova-vazhdoi akad.Kraja, në këtë rast Akademia, por arkeologët e Kosovës në rend të parë, janë bashkuar me ju, për ta njohur punën institucionale në fushën e arkeologjisë si një nga punët më të vyera që ka bërë shteti shqiptar, duke i dhënë vlerë dhe argumente shkencore tezave dhe hipotezave që deri vonë rrinin pezull, jo vetëm në dijen shqiptare dhe ballkanike, por edhe në atë botërore. Më shumë se çdokujt tjetër,-theksoi akad.Kraja,  neve shqiptarëve na është dashur që të vërtetat tona t’i nxjerrim nga dheu. Këtë e ka bërë tashmë arkeologjia shqiptare. Respekt për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë zbuluar se në këtë hapësirë, edhe përkundër furtunave dhe erozioneve të mëdha, toka flet shqip!

Më andej akad.Kraja u ndal në përshkrimin e arkeologjisë në Kosovë, ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë ilire-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologu hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës që dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi ilire-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje.

Më andej akad.Kraja u ndal në kontributin e At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi,-theksoi akad.Kraja, sikundër e dini, ka lindur në Janjevë, ku më pas, gjatë kohës që unë mbaj mend, jetonte një komunitet i krishterë katolik. Shtëpia e tij e lindjes gjendet atje edhe sot, vetëm se pushteti jugosllav, ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh, nuk e desh Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as nderet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjinit. Nga kjo foltore dua të falënderoj komunën e Lipjanit, e cila pas luftës së vitit 1999 shtëpinë e shkatërruar dhe të lënë në harresë të atë Shtjefën Gjeçovit në Janjevë e meremetoi, e rinovoi dhe shpalli shtëpi-muze.

Po nga kjo foltore dua t’ju bëj me dije se Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit”. Tashmë ne e kemi përfshirë në programin e pujës sonë një konferencë shkencore për Shtjefën Gjeçovin, në tetor të vitit të ardhshëm, që i bie me qenë muaji i lindjes dhe i vdekjes së Shtjefën Gjeçovit.  Kjo është më e pakta që mund të bëjmë në respekt të atij që i pari ndër shqiptarët dëgjoi zërat nga thellësia tokës sonë që flet.

Konferenca do të vazhdojë punimet për dy ditë me radhë, ku arkeologë, studiues të trashëgimisë kulturore do të flasin për arritjet, risitë dhe perspektivat e arkeologjisë shqiptare. Në konferencë ligjërojnë akademikë dhe profesorët të shquar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut  e të huaj si Muzafer Korkuti, Adem Bunguri, Neritan Ceka, Apollon Baçe, Gëzim Hoxha, Skënder Muçaj, Belisa Muka, Arben Hajdari, Sha Gashi, Milot Berisha, Kemajl Luçi, Luan Përzhita, Rovena Kurti, Muhamet Bela, Skënder Aliu, Ervin Kujtila, Brikena Shkodra-Rrugia, Eduard Shehi, omas Maurer, Elvana Metalla, Olgita Ceka, Jamarbër Buzo, Roberto Perna, Sabina Veseli, bana Meta, Julian Bogdani, Jean-Luc Lamboley, Elisabeth Deniaux, Dhimitër Çondi, David Hernandez, Kriledjan Çipa, Mariglen Meshini, Olsi Lafe, Errikos Maniotis, Skënder Bushi, Lida Miraj, Damian Komata, Suela Xhyheri, Skënder Muçaj, Era Xhaferaj, Tomor Kastrati, Shafi Gashi, Arianit Buçinca, Premtim Alaj, Sedat Baraliu, Burim Rexhepi, Ilir Culaj, Mixhahit Pollozhani, Jelldëz Asani.