SHQIPTARËT, SOT PËRULJE PËRPARA FLAMURIT

672
Nga Ergys Alushi

Ditari i Shpalljes së Pavarësisë
5 tetor 1912/ Në afrimin e Luftës Ballkanike, gazeta “Liri e Shqipërisë” që dilte në Sofje shkruante midis të tjerash: “Të gjithë sa jemi shqiptarë, myslimanë e të krishterë të jemi në një mendje… si një ushtar besnik që ruan gjithë natën pa gjumë, ashtu edhe ne të marrëm armët e të mbrojmë kufitë e mëmëdheut tonë duke kërkuar autonominë e Shqipërisë. Të ngrehim flamurin shqiptar e të kërkojmë të drejtat tona njerëzisht prej Fuqive të Mëdha”.

6 tetor/ Mbledhja e përfaqësuesve të kolonive shqiptare të SH.B.A, duke u nisur nga fakti se, ajo që përbënte në ato moment të keqen më të madhe për shqiptarët nuk ishte më Turqia në shthurje e sipër, e cila kishte qenë detyruar t’u njihte atyre disa të drejta kombëtare në gusht të vitit 1912 si rezultat i kryengritjes së përgjithshme shqiptare, por ishin shtetet e aleancës ballkanike që synonin ta zhduknin Shqipërinë, aprovoi këtë rezolucion të botuar në gazetën “Dielli” të 7 tetorit 1912:“Duke marrë parasysh faktin se po të thyhet Turqia, shtetet ballkanike do ta coptojnë Shqipërinë deklaron: Detyra e patriotëve shqiptarë është të bashkohen plotësisht me qeverinë otomane kundër armiqve të perandorisë”

7 tetor/ Fuqitë e Mëdha nuk ishin të interesuara që të prishej paqja dhe statuskuoja në Ballkan, sepse kishin frikë që konflikti ballkanik mund t’i çonte në një konflikt botëror, për të cilin ato nuk ishin përgatitur akoma. Prandaj ato dënojnë çdo orvatje të shteteve ballkanike për të prishur paqen dhe zotohen të marrin iniciativën për të bërë reforma në Turqinë evropiane.
Në rast lufte të aleatëve ballkanikë me Turqinë ato deklarojnë, se nuk do të pranojnë asnjë ndryshim të statuskuosë territoriale.

8 tetor/ Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë duke i vënë vetes si detyrë pushtimin e sanxhakut të Novi Pazarit dhe të Shkodrës. Kolona e parë iu drejtua qytetit Beran, ndërsa një repart u drejtua kundër Bjellopoljes dhe një kundër Plavës e Gucisë. Kolona e dytë sulmoi në drejtim të Tuzit e të Shkodrës. Kolona e tretë u nis nga Ulqini drejt Shkodrës. Në thirrjen e vet drejtuar popullit malazez ai e ftonte atë t’u jepte dorën “vëllezërve nën zgjedhë të malësisë, që prej më shumë se dy vjetësh luftojnë për të drejtat e lirinë e tyre dhe për bashkimin me Malin e Zi”.

14 tetor/ Në Shkup, në shtëpi të Sali Gjukës nga Peja, u bë mbledhja e përfaqësuesve të “Shoqërisë së zezë për shpëtim” dhe të komitetit “Shpëtimi” nën kryesinë e Nexhip Dragës. Mbledhja pasi shqyrtoi gjendjen e krijuar nga fillimi i luftës ballkanike dhe arriti në përfundimin se Turqia do ta humbiste luftën, vendosi: 

a- T’u drejtohej me një deklaratë Fuqive të Mëdha. 
n- Të dërgohej një delegacion për të shkëputur nga Mali i Zi malësorët e MbiShkodrës, të cilët duke u besuar premtimeve të rreme të Cetinjës, i konsideruan malazezët si aleat e luftuan krahas tyre kundër turqve. 
c- Ky delegacion do të kishte edhe potencë të plotë për t’u marrë vesh me krahina të tjera të Shqipërisë për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i copëtimit.

16 tetor/ Përfaqësimet e 6 Fuqive të Mëdha në Shkup iu dorëzua deklarata e mëposhtme e “Shoqërisë së zezë për shpëtim”: “Shoqnia e zezë për shpëtim”, përfaqësuesja e popullit shqiptar ka nderin me ju lajmue qi i ka kap armët, jo për me forcue dominacionin e Turkies ndër Ballkan, por për me i dalë zot tanësiës tokësore e liriës së Shqipniës. Pra qysh prej sodit ju deklarojmë se, si do që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për 4 vilajete, veçse një formë politike e nji formë sundimi”. Qëndrimi i mbajtur nga “Shoqëria e zezë për shpëtim”, ashtu si edhe ai mbajtur nga “Liria e Shqipërisë” më 5 tetor, ishin qëndrimet më të drejta e më realiste që mund të mbaheshin në rrethana shumë të ndërlikuara e të vështira që krijoi për shqiptarët Lufta e Parë Ballkanike.

17 Tetor/ Serbia dhe Bullgaria i shpallin luftë Turqisë. Armatat serbe morën urdhër të pushtonin, përveç të tjerave, vilajetin e Kosovës, të marshonin në drejtim të Shkodrës dhe të Drinit dhe nëpër luginat e Drinit, Bunës dhe Matit të dilnin në bregun e Adriatikut. Më në jug serbët duhej të zbrisnin deri në pikën e takimit me ushtritë greke, duke caktuar si kufi të përbashkët midis Greqisë e Serbisë, lumin Shkumbin. Kurse në manifestin e vet lëshuar me rastin e fillimit të luftës mbreti i Serbisë deklaronte në mënyrë demagogjike: “Si serbët ashtu i duam edhe shqiptarët, të krishterë e myslimanë, sepse me ta populli ynë ka ndarë gazin e helmin që trembëdhjetë shekuj e tëhu. Ne u sjellim atyre lirinë e plotë dhe barazinë”.

21 Tetor/ Turqit thyhen në Fushën e Kosovës. Ushtria serbe pushton Prishtinën.
22 Tetor/ Me iniciativën e Bajram Currit paria e Pejës mori këtë vendim:“Na të nënshkruemit po vërtetojmë se nuk kemi me pranue kurrë sundimin e Serbve e të Malazezve. Kërkojmë qi vendi i ynë të ket at formë sundimi qi kan me pasë katër vilajetet e Shqipnisë e për këtë Z.Z-(delegacioni i Shoqërisë së zezë për shpëtim S.P.) kan me pasë liri të plotë me veprue në emën tonë”. Përfaqësuesit e Malësisë së Gjakovës dhe Hasit marrin në Cernabreg të njëjtin vendim.

26 Tetor/ Forcat serbe pushtojnë Shkupin dhe Ferizajn. Ushtritë turke të lindjes dhe perëndimit veçohen përfundimisht nga njëra tjetra.

28 Tetor/ Përfaqësuesit e Plavës dhe të Gucisë të mbledhur në Gjakovë marrin të njëjtat vendime që mori Peja e Malësia e Gjakovës.

30 Tetor/ Përparimi i rrufeshëm i ushtrisë të Aleancës ballkanike i kishte bindur Fuqitë e Mëdha mbi pamundësinë e ruajtjes së statuskuosë në Ballkan. Në mbledhjen e drejtuesve të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë u përcaktuan qëllimet dhe taktika e re e AustroHungarisë në lidhje me Luftën e Parë Ballkanike. Vendin kryesor e zuri “Çështja shqiptare”. Gjithë vëmendja e diplomacisë austriake u përqendrua te kjo çështje me qëllim, që duke e kthyer atë në favor të saj të pengonte daljen e Serbisë në Adriatik dhe ta kthente Shqipërinë në një zonë influence austriake. Mbledhja shqyrtoi çështjen e mundësisë së ndarjes së Shqipërisë midis Austro-Hungarisë dhe Italisë ose të vendosjes së një bashkësundimi austro-italian mbi Shqipërinë. Të dy variantet u konsideruan të papërshtatshëm, sepse shihnin mundësinë e një konflikti me Italinë, gjë që nuk ishte në interes të Vjenës. U pranua se krijimi i një Shqipërie autonome nën protektoratin formal ndërkombëtar, që do të prekte vetëm pavarësinë e saj të jashtme pa ndërhyrje në punët e brendshme, dhe u përgjigjej interesave të monarkisë danubiane.

-Repartet serbe pushtojnë Prizrenin.
31 Tetor/ Delegacioni i “Shoqërisë së zezë për shpëtim” arriti në Orosh të Mirditës, ku u mor vesh e vendosi lidhje me parinë e vendit.
4 nëntor/ Ushtritë serbe ndihmojnë malazeztë të pushtojnë Gjakovën. Prej Prizreni dhe Gjakove ata drejtohen për në Adriatik me objektiv Lezhën.
Ditët e para të Nëntorit/ Mbledhja e përgjithshme e parisë së Vlorës vendosi që kuvendi Kombëtar të mblidhet në Vlorë dhe të thirret Ismail Qemali.
5 Nëntor/Pranimi nga ana e Fuqive të Mëdha i pamundësisë për të ruajtur statuskuonë në Ballkan dhe qëndrimi i Fuqive të Lidhjes Tripalëshe si edhe i shtypit të tij në favor të autonomisë së Shqipërisë për iniciativa të reja të personaliteteve politike shqiptare. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi nisen nga Stambolli për në Bukuresht. Mbledhja e përfaqësuesve të kolonisë shqiptare të Bukureshtit e të Konstancës aprovoi propozimet e Ismail Qemalit dhe më 5 Nëntor mori këto vendime:

1. Duke qenë se qeveria otomane ndodhet sot ne mosmundje të mbajë administrimin e vendit, duhet që shqiptarët të përmbledhin fuqitë e veta dhe të themelojnë një komitet drejtonjës, i cili të marri në dorë qeverimin e vendit e të përpiqet që kombi shqiptar të mos dalë i mundur e rë mos mbetet nën cdo pikëpamje prapa kombeve të tjerë.

2. Të bëhet gati një komision prej shqiptarësh të ditur e të njohur që të dalin në Evropë, kur të jetë nevoja për të mbrojtur në faqe të botës së qytetëruar e të qeverive të mëdha të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar.

3. Shqiptarët e Bukureshtit që kurdoherë kanë qenë të parët në luftën kombëtare, të zgjedhin një komitet prej disa vetash, të cilët të jenë në lidhje me komitetin e brendshëm e me qendrat e tjera të shqiptarëve të jashtëm e të bëjnë atë që u mundet për t’i ndihur e për të mbrojtur atdheun në ditën e sotshme.

Vendimet e Bukureshtit nuk e përcaktojnë akoma qartë, nëse duhej shpallur autonomia apo pavarësia e Shqipërisë, këtë do ta caktonin Ismail Qemali dhe shokët e tij, pasi të bënin një sondazh pranë kancelarive evropiane.

6 Nëntor/ Delegacioni i “Shoqërisë së zezë për shpëtim” mori kontakt në Vakas me aktivistin e lëvizjes, Abdi Toptanin. Kryeministri i Serbisë, Pashiçi, deklaron: ”Shqiptarët qysh prej kohëve që nuk mbahen mend kanë jetuar në miqësi e në marrëveshje me serbët dhe grekët. Prandaj edhe tani duhet t’u lihet kjo çështje serbëve dhe grekëve, të cilët do të dinë të zgjidhin atë në mënyrë racionale” Për shovinistët serbë e grekë zgjidhja racionale e çështjes shqiptare donte të thoshte, likuidimin e Shqipërisë.

10 Nëntor/ Gazetat e Vjenës njoftojnë se krerët shqiptarë së shpejti do të mblidhen në Vlorë dhe do të mblidhen në Vlorë dhe do të zgjedhin një komitet, për të shqyrtuar çështjet kombëtare shqiptare. Ismail Qemali takohet me ambasadorin anglez në Vjenë, te cilin e njofton se “do të nisej së shpejti për në Vlorë për të asistuar në një mbledhje të krerëve shqiptarë, të cilët kanë ndër mend të hartojnë një Memorandum mbi dëshirat e tyre që do t’u a përcjellin fuqive të mëdha”. Diplomati shqiptar i tha ambasadorit anglez se Shqiptarët janë të vendosur të ruajnë vendin e tyre, dmth territori ku në përgjithësi flitej gjuha e tyre nuk duhej t’i inkorporohej një shteti tjetër ballkanik. Ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut sesa të lejonin që vendi i tyre të copëtohej. Në rast se Serbisë do t’i lejohej të godiste një pjesë të madhe të Shqipërisë së Veriut ahere do të pasohej një gjendje e vajtueshme trazirash dhe rebelimesh, gjë që do t’i detyrojë Austrinë dhe Italinë të ndërhynë. 

12 nëntor/ Ismail Qemali takohet me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të AustroHungarisë në Vjenë. Patrioti shqiptar ishte në dijeni të kontradiktave që ekzistonin midis Fuqive të Mëdha në lidhje me Ballkanin dhe, sidomos, të kontradiktave që lindën midis tyre gjatë zhvillimit të Luftës së Parë Ballkanike. Ai diti t’i shfrytëzonte me zgjuarsi këto kontradikta në favor të shqiptarëve. Takimi me personalitetet shqiptare dhe austrohungareze u kërkua nga diplomati shqiptar me qëllim që ky të informohej personalisht mbi qëndrimin që do të mbante Vjena, një nga fuqitë më të interesuara në çështjen shqiptare. Ismail Qemali nuk gëzonte simpatinë e monarkisë së Danubit. Puna ishte se AustroHungaria interesohej për çështjen shqiptare duke u nisur nga interesat e saj imperialiste për të mos lënë Serbinë të dilte në Adriatik dhe për të krijuar një Shqipëri autonome ose të pavarur, të cilën synonte ta fuste në orbitën e saj. Kështu shpjegohet dhe fakti që zyrtarët austrohungarezë e njoftuan patriotin shqiptar, se Vjena do të përkrahte krijimin e një Shqipërie autonome, por, nga ana tjetër, raportonin se Ismail Qemalit “nuk mund t’i zihet besë në asnjë mënyrë”.

14 Nëntor/ Komanda e batalionit të rezervave të Lushnjës që ndodhej në Vlorë mori nga depot 500 armë për t’ua shpërndarë ushtarëve rezervistë, por ajo i shpërndau në popull.

16 Nëntor/ ,Forcat malazeze pushtojnë Shëngjinin, duke plotësuar rrethimin e Shkodrës.

18 Nëntor/ Ismail Qemali i drejton komisionit përgatitor në Vlorë telegramin e mëposhtëm: “Përpara së premtes jam atje, Mbledhja e Përfaqësuesve në Durrës ose në Vlorë është krejt e nevojshme. I thirrni të gjithë. Gjer sa të arrij unë, mbani qetësinë e bashkimit. Çështja jonë u sigurua fare”. Komisioni përgatitor ua njoftoi këtë telegram të gjitha qyteteve të Shqipërisë dhe kërkoi që të dërgohen përfaqësuesit në Vlorë “duke bërë natën ditë”. Serbët pushtojnë Lezhën. Ushtritë serbe, malazeze e më vonë ato greke e shoqëruan marshimin e tyre me vrasje, djegie, persekutime të shqiptarëve pa marrë parasysh moshën e seksin. Populli shqiptar rrëmben armët për të mbrojtur truallin e tij nga pushtuesit e rinj. Në reparte vullnetare popullore u bashkuan qysh në fillim ushtarët shqiptarë që dezertuan në masë nga radhët e ushtrisë turke. Në njoftimet e komandantëve të ushtrive të aleancës Ballkanike, dërguar shtabeve të tyre, vihet në dukje se në anën e kundërshtarëve shqiptarë janë gjetur edhe gra e fëmijë të vdekur me armë në dorë.

19 nëntor/ Përfaqësues të kolonisë shqiptare të Stambollit, u drejtojnë Fuqive të Mëdha një memorandum në të cilin, midis të tjerash thuhet : “…Ne deklarojmë se populli shqiptar nuk do të lejojë asnjë ndryshim të statuskuosë tokësore në Turqinë europiane që të cënojnë të drejtat e tij. Ai nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje nga ana e shteteve ballkanike në administrimin e vendit, i cili i përket si trashëgim nga të parët e tij. Populli shqiptar dëshiron të ruajë zakonet e tij, të zhvillojë sipas koncepteve të tij sociale politike dhe të jetë zot i fateve të tij. Duke dashur të bashkëpunojë edhe ai për përparimin e përgjithshëm dhe të mbajë vendin e tij në familjen e popujve të qytetëruar kërkon me këmbëngulje nga Fuqitë e Mëdha që këto t’i garantojnë ekzistencën e tij etnike e politike.” Ismail Qemali, në pragun e nisjes së tij për në Shqipëri nga Trieste, deklaroi korrespodentit të gazetës austriake “Nojë, frajë, Presë” se ai shpresonte të arrinte në Durrës para ardhjes atje të serbëve dhe se menjëherë pas mbërritjes së tij do të shpallej pavarësia e Shqipërisë, dhe do të caktohet një qeveri e përkohshme për ta vënë Evropën përpara një fakti të kryer. Forcat greke zbarkuan në Himarë dhe pushtuan bashkë me një varg fshatrash përreth. 

20 nëntor/ Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Pandeli Cala, dhe patriot të tjerë nisën nga Trieste për në Durrës. Kristo Luarasi nga Sofja i shkruan A. Pashkos dhe J. Vretos në Misir : “Turqinë e futën në varr fqinjët tanë, frika është se me të vdekurin është ngjitur dhe fat’ i Shqipërisë…sot të shohim a do të ketë bij Shqipëria të dalin si Garibaldi e si Mazzini i’Italisë për të përmbledhur Shqipërinë…”

21 Nëntor/ Grupi i patriotëve, i kryesuar nga Ismail Qemali, qëndron në Durrës. Autoritetet turke të ndihmuar nga dhespot Jakovi u orvatën të sabotonin planin e Ismail Qemalit dhe njoftuan komandën turke në Janinë. Komandanti turk në Janinë, Esat Pashë Janina u jep urdhër autoriteteve turke në Shqipëri që ato të kapin Ismail Qemalin dhe shokët e tij. -Kapiteni turk Petref beu me një repart ushtarak niset nga Lushnja për në Grenish me qëllim që të presë Ismail Qemalin e ta arrestojë për të zbatuar urdhrin e komandës së Janinës.

– patriotët lushnjarë, me t’u njoftuar mbi këtë veprim, mobilizojnë forca të armatosura nga popullsia dhe i dërgojnë kundër Petref Beut për të shpëtuar Ismail Qemalin. Shqiptarët e Ohrit dhe Dibra nisin përfaqësuesit e tyre për në Vlorë.

22 Nëntor
-Ismail Qemali, u jep nga Durrësi, me anë telegramesh, udhëzime qyteteve të ndryshme të vendit për masat që duhej të merrnin e për dërgimin e delegatëve në Vlorë.
– Esat Pashë Janina, i trembur nga pasojat që do të kishte në Shqipëri arrestimi i Ismail Qemalit dhe për të evituar një konflikt të armatosur me shqiptarët në një kohë kur e vetmja rrugë tërheqjeje në lindje për ushtrinë turke ishte Shqipëria, anulon urdhrin e parë dhe me një urdhër të ri kërkon që Ismail Qemali të pritet e të nderohet.

-Në Durrës zgjidhen delegatët për në Vlorë.

23 Nëntor
Ismail Qemali me shokë, të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës e Krujës nisen për në Kavajë, e prej andej për në Çermë.
-Elbasani nis delegatët për në Vlorë.

24 Nëntor
Patriotët e kryesuar nga Ismail Qemali nisen nga Çerma për në Libofshë e prej andej në Fier.

25 Nëntor
Fieri përshëndet përfaqësuesit e popullit shqiptar. Duke u ndodhur përpara rrezikut të pushtimit serb, Elbasani, sipas udhëzimeve të marra nga Fieri prej Ismail Qemalit, shpalli i pari Pavarësinë. Në telegramin drejtuar Ismail Qemalit në emër të popullsisë së Elbasanit, thuhej: “Gjithë populli ynë, muslimanë e të krishterë njëzëri kanë pranuar pavarësinë e Shqipërisë”

-Pashiqi deklaron se Serbia është gati të bëjë çdo sakrificë për të siguruar Serbinë e vjetër, e cila sipas tij shtrihej deri në Kosovë, Shëngjin, Durrës dhe Ohër.

26 Nëntor
-Ismail Qemali, i shoqëruar nga delegatë të krahinave të ndryshme të vendit, pritet me entuziazëm nga popullsia e Vlorës, “Një zjarr i shenjtë patriotizmi , shkruan Ismail Qemali, në kujtimet e tij, kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”. Në Vlorë Ismail Qemali merr menjëherë masa për organizimin e forcave të armatosura.-Të ndodhur përpara kërcënimit të pushtimit serb, Durrësi dhe Tirana shpallën pavarësinë. Në telegramin dërguar nga Durrësi qyteteve të tjera të vendit, thuhej : “Ju japim lajmin e gëzueshëm se me hirin e perëndisë së lartë tashti shpallim pavarësinë në emër të Kombësisë sonë të shenjtë e të gjithë Shqipërisë”. Nga memorandumet që u shkruan njëri iu dha konsullit t’Austrisë, tjetri konsullit të Francës dhe i treti po atij t’Austrisë. Tirana ua njoftonte ngjarjen e shënuar përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Ismail Qemalit me këtë telegram: “Tashti shpallëm pavarësinë në emër të Shqipërisë. Kërkojmë e lutemi që të ruhen të drejtat e pamohueshme të pavarësisë sonë”. Ushtritë serbe pushtojnë Krujën.

27 Nëntor/ Ushtritë serbe pushtuan Dibrën. Ismail Qemali zhvilloi një veprimtari të gjerë politike dhe organizative në Vlorë. Delegatët e mbledhur në Vlorë, ndonëse nuk kishin ardhur akoma përfaqësues nga disa krahina, vendosën që të nesërmen të hapej kuvendi kombëtar. Kavaja, Peqini, Lushnja shpallën pavarësinë. Tirana dërgon një komision pranë komandës serbe në Krujë për ta njoftuar mbi shpalljen e Pavarësisë.

28 Nëntor/ Ora 14. Hapet kuvendi Kombëtar ku marrin pjesë 37 delegatë të ardhur nga krahina të ndryshme të vendit.

Shqyrtohen akt-përfaqësimet e delegatëve, të cilat gjenden në rregull
Sigal