Shqiptarët përfitojnë 61 milionë euro për vitin 2020

242
Sigal

Pandemia e Covid 19 dhe tërmetet e 2019-ës kanë rritur dëmet e paguara të kompanive të sigurimit në vend. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare për vitin 2020, kompanitë e sigurimeve në Shqipëri kanë paguar 61 milionë euro dëme, shifër kjo e lartë referuar tregut të vogël të sigurimeve në vend, ku për vitin 2020 primet bruto kapën shifrën rreth 1 miliardë lekë dhe penetrimi i sigurimeve është 35 euro për banor.

Krahasuar me vitin 2019 vlera e dëmeve të paguara është rritur me 18.55%. Rritje kjo e ndikuar kryesisht nga dëmet e ardhura si pasojë e dy tërmeteve të vitit 2019, pagesa e të cilave u shtri përgjatë vitit 2020, si dhe pandemia e Covid-19 që ka ndikuar kryesisht në uljen e primeve të sigurimeve të aksidenteve dhe shëndetit.

Nga të dhënat e AMF rezulton që kompania e cila ka paguar më tepër dëme në sigurimet e jetës është Sigal Uniqa Group Austria, me 55.68% të tregut ose 143 milionë lekë.

Në krahasim me vitin 2019, Sigal Uniqa Group Austria ka shënuar një rritje të pagesës së dëmeve në këtë klasë sigurimi me 8.21%.

Kompania Sigal renditet si kompania më e madhe në Shqipëri, që prej vitit 2001, për pasojë duke patur edhe pjesën më të madhe të tregut paguan edhe dëmet më të mëdha çdo vit.

Kjo kompani është e vetmja në Shqipëri e cila primet më të mëdha të aktivitetit të saj i grumbullon nga sigurimet vullnetare, rreth 60%, ndërsa pothuaj të gjitha kompanitë e tjera mbahen kryesisht nga sigurimet e detyrueshme.

Pandemia e Covid 19 ka ndikuar edhe tek sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, ku vihet një ulje e primeve të sigurimeve në këtë sektor me rreth 132 milionë lekë krahasuar me vitin 2019.

Sa i përket dëmeve në sigurimet e shëndetit, sërish Sigal Uniqa Group Austria ka paguar pjesën më të madhe të dëmeve të gjithë tregut me 46.40% ose e konvertuar në vlerë rezulton në mbi 230 milionë lekë.

Edhe për vitin 2020, tregu i sigurimeve vazhdoi të udhëhiqet nga sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ku sigurisht pjesën më të madhe e zunë sigurimet motorike.

Në Shqipëri përllogariten të qarkullojnë rreth 580 mijë automjete, prej të cilave rreth 402 mijë rezultojnë që kanë kryer procedurat e kontrollit teknik dhe pagesën e taksave, për pasojë janë pajisur edhe me siguracionin e detyrueshëm, ndërsa rreth 178 mijë automjete nuk janë të siguruar dhe as nuk kanë kryer kontroll teknik dhe nuk kanë paguar taksat.