Shqiptarët ”nuk i zë shtëpia”, numërohen 135 mijë aplikime për leje lëvizje

134

Qeveria  ka marrë masa të forta si rrugë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Shqiptarët ”nuk i zë shtëpia”. Qytetarët vërshuan mëngjesin e së hënës në të gjitha rrugët dhe tregjet duke mos respektuar distancën sociale dhe duke qarkulluar në grupe.

Të gjitha këshillat u injoruan ndëkohë policia vijoi të ndëshkojë drejtuesit e automjeteve që qarkullonin pa autorizim të veçantë.

Në drejtorinë e Përgjithshme të policisë vijuan radhët për tu pajisur me leje lëvizjeje. Numri në total ka arritur në 135 mijë aplikime.

Kush lejohet të qarkullojë

Me fashën e re të orarit të lëvizjes 05.00 me 13.00 që do të zgjasë gjatë gjithë kësaj jave, Policia e Shtetit njofton se lejohen të qarkullojnë me automjete për të shkuar në punë duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit të gjithë punonjësit e administratës dhe biznesit në oraret 05:00 deri në orën 08:00 dhe për kthim nga ora 12:00 deri në orën 13:00.

Përjashtohen nga ky kufizim të gjitha automjetet e transportit të mallrave, produkteve ushqimore, fruta-perimeve dhe atyre blegtorale, me qëllim furnizimin e marketeve dhe minimarketeve dhe dyqaneve ushqimore. Nuk lejohet asnjë qytetar që të lëvizë me automjet pa plotësuar formularin e vetdeklarimit dhe pa marrë konfirmim për lëvizje.

Pas orës 13:00 nuk lejohet të lëvizë asnjë qytetar, përjashtuar kthimin për në banesë të punonjësve të linjave prodhuese, të Shëndetësisë, Ushtrisë, Policisë së Burgjeve, SHPSF, të atyre personave që janë të përfshirë në listat e shërbimeve të bashkive dhe shërbimeve në banesë. Pas orës 13:00 nuk lejohet të jenë hapur asnjë market, minimarket, apo farmaci.

Përjashtohen nga ky kufizim vetëm linjat e prodhimit të bukës, ushqimoreve, prodhimit të mishit dhe atyre blegtorale vetëm për të prodhuar, por jo për të tregëtuar. Nuk lejohet lëvizja e këmbësorëve për shëtitje, sport e çdo aktivitet që nuk ka lidhje me furnizmimin me produkte për konsum.