Shqiptarët në burgun e Kumanovës prej dy ditësh në grevë urie: S’kemi ujë dhe ngrohje

614
Sigal

Pasiguria në burgje dhe kushtet jo optimale të jetesës janë bërë shkak i humbjes së jetës së disa shqiptarëve në burgjet jashtë Shqipërisë. Rasti i bujshëm në vitin 2014 i Ilia Karelit, i cili humbi jetën në Greqi nga torturat e gardianëve të burgut, tre shqiptarët e vdekur në burgun e Korydallosit në Greqi, vdekjet në burgjet e Anglisë dhe Francës, janë disa nga rastet ku është denoncuar siguria në burgje për të cilën përgjegjësia bie drejtpërdrejtë mbi autoritetet shtetërore duke marrë parasysh se për institucionet e vuajtjes së dënimit shpenzohet nga buxheti i shtetit për të garantuar jetën e të dënuarve.

Rasti më i fundit që bëri bujë në media ishte vdekja e Mentor Rexhës në një burg në Francë pasi ai kishte udhëtuar atje në kërkim të azilit. Autoritetet franceze e raportuan vdekjen si vetëvrasje ndërsa familjarët e të ndjerit thonë se ai është vrarë duke u nisur edhe nga shenjat që ai ka në trup të cilat sipas tyre nuk mund t’ja ketë shkaktuar vetes. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është se trupi i të riut nuk është marrë përsipër të kthehet në atdhe nga ambasada shqiptare në Paris pasi në përgjigjen e tyre ata thonë se nuk kanë fonde të mjaftueshme.

NOA

Ndërkohë një denoncim tjetër vjen nga burgu i Kumanovës, në Maqedoninë e Veriut. Një grup prej 29 të burgosurish, kryesisht shqiptarë, kanë hyrë prej dy ditësh në grevë urie. Sipas tyre ata po trajtohen në kushte çnjerëzore, pasi ka mungesë të ujit të pijshëm, ngrohjes si dhe infrastrukturës bazë.

Ata i referohen nenit 3 dhe 14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut (ndalimi i torturës dhe ndalimi i diskriminimit) për ti bërë thirrje zyrtare Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe Ministrisë së Jashtme dhe për ti vënë në dijeni të situatës. Megjithatë sipas tyre këto thirrje kanë mbetur pa përgjigje.