Shqiptarët “hanë” ilaçe të skaduara e “vrasëse” dhe 3-7 herë më të shtrenjta, se sa në 28 vendet e BE

1103
Shqiptarët e dinë mirë, se sa kushtojnë ilaçet në Shqipëri e sa kushtojnë në Itali, Gjermani, Francë, Spanjë, Turqi, Greqi, Austri, Holandë, Belgjikë, Norvegji, Danimarkë e madje edhe në SHBA, mbasi për shkak të çmimeve tepër të larta e për shkak se janë të pasigurta dhe pa efektshmëri kuruese, kanë nisur t’i blejnë ato në vendet e BE. Nga 10.4 miliardë lekë rimbursim ilaçesh, pacientët shqiptarë përfitojnë vetëm 4.2 miliardë lekë rimbursim, mbasi nëpër farmaci, atyre nuk u jepen gjithë ilaçet e listuara për rimbursim, por u shiten me çmim të plotë tregu edhe pse nuk gjenden nëpër farmaci me kontratë rimbursimi, por që “çuditërisht” gjenden me bollëk nëpër farmacitë pa kontratë rimbursimi! 
Seanca e fundit parlamentare e cila u mbyll ditën e hënë për shkak të nisjes së pushimeve verore prej deputetëve e ministrave, kishte si “dekor” edhe një mashtrim të përsëritur e të dalë boje, të bërë prej ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe prej “korit” të “rilindjes”, lidhur me çmimin e ilaçeve në Shqipëri. Ministri dhe shokët e tij deputetë, deklaruan për të miliontën herë, se çmimet e ilaçeve në Shqipëri janë më të ulëta dhe sigurta si në vendet e BE e të rajonit. I zhytur në korrupsionin e tregut të ilaçeve të importit, i urdhëruar prej grosistëve vendas e të huaj që e komandojnë dhe e kanë joshur me ryshfete, ministri Beqja gënjeu turpshëm për çmimin e ilaçeve. Pse? Sepse çmimet e ilaçeve në Shqipëri, janë jo vetëm më të larta se tarifat që përmendi ministri, por edhe 4,5,7 e 10 herë më të larta se edhe në vendet e BE. Por, sa a herë që ministri akuzohet për afera me tregun e ilaçeve të importit dhe në tregun brenda vendit, ai del e gënjen shqiptarët, të cilët janë blerës të këtyre ilaçeve. Shqiptarët e dinë mirë, se sa kushtojnë ilaçet në Shqipëri dhe sa kushtojnë në Itali, Gjermani, Francë, Spanjë, Turqi, Greqi, Austri, Holandë, Belgjikë, Norvegji, Danimarkë e madje edhe në SHBA. Shqiptarët e dinë se sa të sigurta janë ilaçet që futen në Shqipëri e sa të sigurta janë ilaçet në 28 vendet e BE dhe në disa vende të rajonit. Sepse i kanë provuar dhe rezulton se në spitalet dhe farmacitë në Shqipëri, futen, tregtohen e përdoren ilaçe të skaduara por edhe ilaçe “vrasëse”, të cilat janë biznes i grosistëve të lidhur me shtetarët dhe bizneset farmaceutike e spitalore të disa familjeve të shtetarëve e politikanëve! Këto ilaçe “allci, gëlqere e ujë”, madje edhe “pambuk e garza dysheku konvikti” që futen si medikamente mjekësore në Shqipëri, nuk kontrollohen qëllimisht, mbasi janë biznese e burim përfitimesh ilegale të atyre që duhet të kontrollojnë, por që nuk kontrollojnë! 


Këto ilaçe me çmime që merren në depot farmaceutike të botës si “mbeturina për groposje”, por futen në Shqipëri si ilaçe “tepër të sigurta” me letra false dhe shiten me çmime 3-7 herë më të larta se në 28 vendet e BE, duke u lejuar nga shteti, duke u licencuar e certifikuar nga ministria e Shëndetësisë, duke u mbrojtur nga ministri dhe shtetarët e tjerë! Loja tjetër me çmimet, bëhet me taksën tatimore TVSH. Si është e mundur, që ilaçet në tregjet farmaceutike në 28 vendet e BE, të rajonit e në shumë vende të tjera të botës, të cilat edhe pse kanë në fuqi taksën e plotë TVSH, përsëri janë nga 3, 5, 7 e 10 herë më të ulëta se në tregun shqiptar?! Ministri Beqja, thotë se çmimet rëndohen nga taksa 10% TVSH. Edhe vendet e BE kanë taksë TVSH e përsëri çmimet i kanë shumë herë më të ulëta, se çmimet në Shqipëri. Psh, në Austri TVSH-ja është 10% mbi ilaçet dhe 20 % mbi para-ilaçet. Në Francë, TVSH-ja është 7% mbi ilaçet dhe 19.6% mbi para-ilaçet. Në Itali me të cilën bëmë krahasimet e çmimeve, TVSH-ja është 10% mbi ilaçet dhe 21% mbi para-ilaçet. Në Irlandë, TVSH-ja është 13.5% mbi ilaçet dhe 23% mbi para-ilaçet. Dhe siç dihet, në këto vende ilaçet janë disa herë më lirë se në Shqipëri, ku pagat e pensionet janë nga 10 herë më të ulëta se në vendet e BE e të rajonit!
Ligji jep 10 miliardë lekë rimbursim ilaçesh, ministria jep vetëm 4.2 miliardë lekë 
Një tjetër masakër financiare kundër pacientëve shqiptarë bëhet edhe me rimbursimin e ilaçeve. Sipas listës së rimbursimit të ilaçeve, janë shtuar edhe 75 medikamente të reja që rimbursohen nga shteti, duke çuar numrin e medikamenteve të rimbursuara në 493. Me këtë shtesë futen në trajtim farmaceutik me rimbursim edhe 600 pacientë të tjerë me sëmundje të rënda e kronike. Sipas llogarive, rezulton se vlera totale e ilaçeve të rimbursuara që lehtëson pacientët është 10.4 miliardë lekë, llogaritur në fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Por këtë vlerë rimbursimi nuk e përfitojnë 100% pacientët shqiptarë, mbasi nuk marrin gjithë listën e ilaçeve që u rimbursohen, sepse nëpër farmaci thuhet që mungojnë, nuk kanë ardhur nga importi, nuk na njihet rimbursimi nga ministria e shumë justifikime të tjera, që në fund kanë këtë tregues: pacientët nuk rimbursohen për ilaçet e plota që parashikon ligji, por vetëm për një pjesë të tyre. Pjesën tjetër edhe pse thuhet se mungon nëpër farmaci, ato gjenden në disa farmaci që “i dinë mjekët”! Konkretisht, nga 10.4 miliardë lekë rimbursim ilaçesh, pacientët shqiptarë përfitojnë vetëm 4.2 miliardë lekë rimbursim, mbasi nëpër farmaci, atyre nuk u jepen gjithë ilaçet e listuara për rimbursim por u shiten me çmim të plotë tregu edhe pse nuk gjenden nëpër farmaci me kontratë rimbursimi, por që “çuditërisht” gjenden me bollëk nëpër farmacitë pa kontratë rimbursimi! 
Sigal