Shqiptarët festojnë në shtëpi, të guximshmit udhëtojnë jashtë

271
Sigal

Që festa e Vitit të Ri këtë fundviti do të gjejë shumicën e shqiptarëve në shtëpi, në kontrast me zgjedhjet që kanë bërë vitet e tjera, e pohon pjesa më e madhe e agjencive turistike.

“Është një vit ku pjesa më e madhe e vendeve janë të mbyllur, kërkohet testi i Covid-19, dhe situata është e njëjtë dhe atje ku do të shkosh, sërish do të rrish mbyllur në hotel edhe në disa shtete ku mund të udhëtohet”, thotë Besnik Vathi.

Por ka dhe grupe të cilët kanë zgjedhur të festojnë në mënyra të ndryshme, sidomos të rinjtë. Trendi më i përhapur në periudhën e pandemisë, është marrja me qira e vilave, ku mund të festohet qetësisht me familjarë, apo edhe shoqërinë.

“Që prej nisjes së pandemisë kërkesa për rezervimin e vilave ka qenë e lartë, dhe po ashtu kemi të rezervuara edhe netët e vitit të ri dhe ato të ditëve të janarit”, shprehet Besart Cuko.

Rezervimi i vilave, ofron një komoditet dhe lirshmëri ndryshe nga hoteli, thotë Besart Cuko.

“Është një tjetër lloj mënyre se si të pushosh dhe të kalosh kohën me miqtë e tu ose me familjarët”, shton ai

Agjencitë turistike thonë se ka edhe një tendencë të rritur në festa, nga grupe kryesisht të rinjsh për të udhëtuar brenda vendit, në destinacione si Korça, Gjirokastra, Vlora, Durrësi e Shkodra. Një pjesë tjetër më e guximshme kanë zgjedhur të pushojnë në Turqi dhe Sharm el Sheik.

“Janë grupe të vogla, nuk mund të flasim për tendenca si një vit më parë, por po organizojmë një grup për në Turqi dhe një për Sharm el Sheik.”

Ata që kanë zgjedhur të pushojnë brenda vendit, këtë vit i kanë më të reduktuara ditët e qëndrimit, duke shmangur periudhat e gjata e duke përshtatur rezervimet mesatarsisht për 2 deri në 3 net.