Shqiptarët blejnë ushqim me lista, inflacioni shkundi xhepat

Fatura e inflacionit thotë eksperti ka zhdukur çdo rritje të pensioneve dhe të pagave të bëra ndër vite, pasi po gërryhen të ardhurat e familjeve nga çmimet.

Gijotina/ Banka e Shqipërisë raporton se rreth 17% e familjeve të pyetura gjatë një ankete të kryer deklarojnë se kanë mallra të blear, që ende nuk i kanë paguar. Ky është një fenomen shqetësues, që bashkëjeton në vend përtej propagandës së mirëqenies ekonomike, familjet në vend marrin ushqime në dyqane me listë. Kjo formë e borxhit nuk është e izoluar nëpër fshatra apo zona periferike, por në qendër të vendit. Borxhet nëpër listat e dyqaneve arrijnë në 20 mijë lekë dhe në raste më të vështira pronarët e dyqaneve kanë dhënë edhe 50 mijë lekë.

Kjo situatë është tejet shqetësuese përsakohë këto ‘lista borxhesh’ janë nëpër dyqanet e lagjeve, që shesin kryesisht ushqime të konsumit të përditshëm.

Sigal

Edhe buka blihet me borxhe!

Në një vëzhgim të bërë në disa rrugë të vendit, Qyteti Studenti, rruga Myslym Keta, Fresku apo dhe në qytetin e Gramshit disa dyqane japin ushqime me listë, dhe shkak për këtë janë bërë vështirësitë ekonomike të familjeve, që e kanë të pamundur të përballojnë kostot e jetesës me pagat që marrin.

“Jap me listë, se më dhimbsen se nuk kanë lekë të blejnë gjërat bazë për të ngrënë. Vijnë e marrin makarona, oriz dhe vaj, ka pasur raste që edhe bukën e kanë blerë me lekë borxh. Çfarë t’i them, nuk të jap dot bukë? Ka vite që jap me listë”,- thotë L.T, pronarja e një dyqani në Tiranë. Pensionistët janë kategoria më e prekur nga vala e çmimeve të larta dhe për të përballuar situatën i drejtohen borxheve.

“Vijnë pensionistë marrin vetëm ushqime, sapo marrin pensionin m’i sjellin. Marrin vlera të vogla, dhe nuk kam frikë se nuk m’i kthejnë. Por ka dhe familje që marrin shumë se kanë kalamaj të vegjël, i sjellin pjesë pjesë”,- thotë shitësja.

Duke dhënë ushqime me listë ka pasur edhe raste që dyqanet kanë humbur. Roza shitësja e një marketi në rrugën Myslym Keta thotë se kanë dhënë më parë, por janë djegur pasi qytetarët nuk ua kanë kthyer lekët.

“Jepnim dhe ne por kishte nga 3 vite që nuk na i kthenin. Shuma më e madhe që kemi dhënë ishte 500 mijë lekë të vjetra por u dogja, se nuk i kthyen disa persona lekët. Për mua janë shumë dëm se dhe vetë jam në prag pensioni dhe punoj për të jetuar”, -thotë shitësja.

Kriza e çmimeve i ka prekur rëndë qytetarët! Shembulli më i thjeshtë është shtrenjtimi i bukës. Një kuintal miell deri në fillim të vitit 2022 ishte 5-6 mijë lekë, ndërsa pas muajit shkurt 2022 arriti në 9-10 mijë lekë, ndërsa aktualisht është mes shifrave 8-9 mijë lekë në varësi të markës.

Nga një monitorim i kryer nëpër supermarkete dhe, jo vetëm për të parë çmimet e produkteve të ndryshme ushqimore, shtrenjtimi është i dukshëm dhe tepër i ndjeshëm për xhepin e konsumatorëve.

Në tabelë janë të listuara 15 produkte kryesore që janë të domosdoshme të blihen, dhe janë të pasqyruara të gjitha ndryshimet, që kanë pësuar në çmime, ku bylmeti, mishi dhe vaji kanë pasur rritjen më të lartë. Ndërkohë kriza e çmimeve mesa duket nuk ka të ndalur pasi vazhdon edhe këtë vit. Sipas një përllogaritje të thjeshtë në bazë të çmimeve të janarit të vitit 2022 dhe shkurtit të këtij viti vihet re se qytetarët për të njëjtat produkte këtë vit duhet të harxhojnë deri në 1800 lekë më shumë se vjet. Por shtrenjtimi nuk është vetëm tek produktet e lartpërmendura pasi edhe zarzavatet dhe frutat kanë pësuar një shtrenjtim të konsiderueshëm në raport me vjet, nën pretekstin se janë rritur kostot e fermerëve dhe të grumbulluesve.

Ndihma shtetërore e pamjaftueshme përballë krizës!

Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj thotë se sfida e jashtëzakonshme e inflacionit kërkon riorganizim të qeverisë për mënyrën sesi po përdoren fondet, pasi të moshuarit dhe familjet në nevojë e kanë të pamundur të përballojnë këtë rritje të çmimeve.

“Problemi më i madh që ka trokitur fort te dera e buxhetit të vendit janë qytetarët e moshuar dhe shtresat në nevojë, të cilët edhe pse kanë marrë një vëmendje pak më të madhe duket se vullneti politik nuk e mbush dot nevojën që ata kanë për më shumë kujdes shëndetësor dhe fonde me shumicë për përballimin e skemave sociale. Këto fonde të emërtuara me shumë emra duket sikur nuk janë më të mundura të përmbushen me skemat aktuale të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Edhe pse me vonesë qeveria duhet te harmonizojë instrumentet politike në funksion të nxitjes së tregut të fondeve private, dhe një rritje të dukshme të fondeve për pensionet si kurrë më parë, duke ribërë strategjinë në përshtatje me rrethanat e ndryshuara”,- thotë Gjokutaj.

Fatura e inflacionit thotë eksperti ka zhdukur çdo rritje të pensioneve dhe të pagave të bëra ndër vite, pasi po gërryhen të ardhurat e familjeve nga çmimet.

“Tashmë, sipas krahasimit të rritjes së çmimeve me rritjen e të ardhurave për pagat, pensionet dhe mbështetjen sociale është fakt i thjeshtë për tu vërejtur se rënia e të ardhurave reale ka zhdukur të gjithë rritjen e pagave që nga viti 2012, si dhe rritjen e pensioneve nga 2002. Për mbështetjen sociale krahasimi nuk vlen, pasi të ardhurat e përfituara mesatarisht për gjithë kategoritë e përfituesve ishin më poshtë se minimumi jetik i llogaritur, jozyrtar. Aktualisht mesatarja e pensionit të pleqërisë qëndron më poshtë se niveli i pagës minimale. Thënë e gjithë kjo në kushtet kur edhe vetë paga minimale (edhe pse e rritur dy herë në 2022) nuk përballon shumë nga kostot e rritura nga inflacioni, informaliteti dhe abuzimi i tregut në mungesë të moskryerjes sa duhet të detyrës nga institucionet mbikqyrëse të tregut”, -pohon Gjokutaj.

Përballimi i kostove të rritura bëhet edhe më i vështirë përsa kohë Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka të përcaktuar minimumin jetik.