Shqipërisë i nevojiten edhe dy ministri:  E vetmisë dhe ajo e miqve të paftuar

48
Sigal

Analizë nga Ilmi Qazimi/ Fqinjësia e mirë nuk do të thotë të shesësh vendin duke firmosur marrëveshje për mbushur Shqipërinë me refugjatë afrikano-veriorë apo aziatikë. Jo pak, por 36 mijë në 1 vit! Le të qajmë së pari hallet tona, ku të rinjtë po largohen në Perëndim, lindjet po pakësohen dhe fshatrat janë kthyer në azile natyrore. Ndaj duhet ajo ministria e vetmisë! Ja disavantazhet e pushtetarwve shqiptar

-Shqipërisë i nevojiten edhe dy ministri: e vetmisë dhe ajo e miqve të paftuar-

Kur të duan e kanë gati strehën në Shëngjin!? Pyes:- A është në vete ky Edi Rama ynë? Shëngjini është truall shqiptar. Derviçani është truall shqiptar po ashtu! Himara është tokë shqiptare prej shekujsh. Ky lloj kryetari kaq bamirës përse nuk iu merr shteteve fqinjë ndonjë copë tokë, bie fjala në Bari të Italisë të kemi edhe ne shqiptarët një truall treqindmijë hektarë me shqiptarë!?

Kryetari ynë i tanishëm i qeverisë shqiptare, kryeministren italiane Meloni, e quan ‘motër’, kryeministrin grek e quan ‘mik’ dhe atë serb po ashtu! Le të rrimë shtrembër e të flasim drejt! Me ‘mikun’ serb presidentinVuçiç, i duket sikur luan basketboll kur ‘jep opsione’ për Kososvën tonë të mrekullueshme, por të sakatuar historikisht nga genocidi serb. Me mikun Qirjakos e ka fjollë aq sa i vendosi edhe bustin e të atit Kostandinos në Derviçan, paçka se ai e shpërfilli e nuk i erdhi atë ditë! Edi Rama ynë e bëri ashtu si dikur Pashiqi serb, që i vendosi bustin Venizellosit (nip i të cilit është Qirjako Mitsotaqis), në Beograd. Jemi plotësisht dakord me fqinjësinë e mirë, por jo të shesësh vendin siç keni bërë me marrëveshjen për afganët, iranianët, ukrainasit; tani edhe italianët. Sipas kësaj marrëveshjeje të fundit, refugjatët e mundshëm afrikanë mund të vijnë këtu, të devijojnë rrugën klandestine drejt Italisë e të kthehen nga brigjet tona. Kur të duan e kanë gati strehën në Shëngjin!? Pyes:- A është në vete ky Edi Rama ynë? Shëngjini është truall shqiptar. Derviçani është truall shqiptar po ashtu! Himara është tokë shqiptare  prej shekujsh. Ky lloj kryetari kaq bamirës përse nuk iu merr shteteve fqinjë ndonjë copë tokë, bie fjala në Bari të Italisë të kemi edhe ne shqiptarët  një truall treqindmijë hektarë me shqiptarë!? Apo në Kavalla, apo Janinë pse të mos kemi edhe ne shqiptarët një pjesë trualli? Ç’po them edhe unë! Kryetari ynë ka frikë ta përmendë Çamërinë e detin Jon e jo më të kërkojë tokë tjetër, le të themi në shkëmbim të asaj që po jep. Më mirë e jep falas se sa të thotë një fjalë për të mbrojtur vendin e vet! Kryetari ynë nuk është i zoti të mbajë atë që ka e jo të marrë  nga të tjerët!?

Le t’iu referohemi shifrave dhe disa fare pak fakteve për llojin e qeverisjes:

Shqipëria me 2,8 milion banorë ka 16 ministri ku çudisin me “punën” e tyre ajo për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, ajo për Marrëdhëniet me Parlamentin ajo e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministër Shteti dhe Kryenegociator! Greqia me 10.4 milion banorë ka 19 ministri ku janë të posaçme ato të Emigracionit dhe Azilit, Qeverisjes Dixhitale, e Zhvillimit Bujqësor dhe Ushqimor dhe Ministria e Krizës Klimaterike dhe Mbrojtjes Civile. Sërbia me 6,7 milion banorë, ka 25 ministri ku veçojmë: Ministrinë për të Drejtat e Minoriteteve dhe Dialogut Social. Ndërkohë që Italia me 60 milion banorë ka 26 ministri ku spikatin ajo e Punës dhe Politikave Sociale, Ministria e Personave me aftësi të kufizuar  dhe Ministri e Familjes, lindshmërisë e mundësive të barabarta.

Pa shiko sa interesante qënka ministria e dialogut? Paçka se serbët nuk bëjnë kurrë dialog për njohje të Kosovës dhe problemeve të koklavitura midis tyre. Por më e bukur është kjo; zgjidhja italiane, e cila ka një ministri për famijljen dhe lindje-vdekjet? Përse të mos kemi edhe në një ministri të tillë? Ne i kemi edhe më të mprehta këto probleme se sa Italia. E përse na duhet ministria e mbrojtjes kur ushtarë nuk ka gjëkundi? Oficerët janë kompjuterikë dhe mbrojtja e vendit i është lënë në dorë NATO-s që do të vijë (po qe se do të vijë ndonjëherë për qëllime mbrojtjeje). Me plot të drejtë shprehet i shqetësuar shkrimtari Sh.Topollaj, kur thotë “na ka marrë malli që të shohim një ushtar me uniformë!” Ata pak ushtarërrogëtarë, që kemi janë vetëm për të shuar ndonjë zjarr të vogël e për të pastruar mbeturinat e plazheve! Ne paskemi edhe Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit,  dhe mburremi me të! E pse? E ku spikat kjo lloj ministrie? Apo në mbulimin e akteve korruptive?

Pa le pastaj që paguajmë edhe rrogat e majme për një të quajtur Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin! Pikërisht me atë parlament ku deputetët hyjnë nga penxherja për të zënë vendin, që nuk u takon-se janë dënuar- në sallën e mbledhjes! Turp mbi turpe! Pikërisht me atë parlament ku deputeti ish-ministër i Brendshëm futet në ndërtesën e ligjvënësve duke kapërcyer gardhin e hekurave me majë!! T’i marrësh të keqen majmunërisë indiane, se kjo është çmenduri shpellare primitive! Të tillë deputetë japin shembullin “më të mirë” të mundshëm se si duhet të veprojnë të rinjtë, fëmijët dhe pleqtë për të zgjidhur problemet. Jo vetëm kaq por edhe qytetarët e huaj mund të kryejnë të tilla veprime pa frikë; ata tashmë janë shtuar shumë si banorë të rregullt në trojet tona, kështu le të mësojnë nga kësi lloj deputetësh si Noka, Salianji, Berisha etj.! Mirëpo paskemi edhe një “Ministër Shteti dhe Kryenegociator”! Çudi, risi apo  marrëzi!

Të krijohet përshtypja sikur,-larg qoftë e kurrë mos u mendoftë-, sikur ka një ndërveprim të paramenduar e koordinuar midis dy krerëve partiakë pozitë-opozitë. Pozita shet, fal e tjetërson, por nuk ble troje; opozita kërcen gardhe për të zënë ‘troje’ në parlament!? Sapo hyri S.Berisha zgjat dy gishtat sikur ka triumfuar mbi Edi Ramën, njësoj sikur të kish hyrë në Kremlin! Kur akoma nuk janë shuar ehot e batutave ‘spak’, ‘aspak’, ‘skap’, ‘kaps’ etj., të kryetarit të qeverisë në folësen e atij parlamenti ku thyhen karrige e hidhen shashka tymuese blu! Njëri do të mbrojë veten nga mbytja e sigurt për zullumet, që ka bërë karshi këtij vendi për 33 vjet, e tjetri bën ‘gallatë’ me batuta, duke fshehur realitetin e hidhur! Njëri tërheq vëmendjen me protohuliganizma, tjetri heshturazi, sikur s’ka ndodhur asgjë me rëndësi, hedh firmën për lëshim hapësirash jetike për miqtë e paftuar, por me që ka nevojë ‘motra’ ne po sakrifikojmë! Këtu ka edhe erë të rëndë qenërie. Firmoset nga kryetari i qeverisë një marrveshje ogurzezë për të ngritur në territorin e Shqipërisë kampe e qendra të vendosjes së refugjatëve afrikano-veriorë apo aziatikë. Jo pak, por për 36 mijë vetë! Çmenduri apo tradhti  është kjo?

Le të qajmë së pari hallet tona që jemi shtet i vogël, vend i zilishëm nga superfuqitë, popull i vuajtur dhe në pakësim të shfrenuar të numurit të banorëve; me rrënim  e vjedhje të pasurive aq të çmuara të dhuruara nga natyra dhe nga paraardhësit tanë. Kemi edhe një disavantazh të madh që kryetarët e qeverive nuk i kemi atdhedashës, por herë atdhevrasës e herë  shpërfillës të zellshëm ndaj  plagëve që ka marrë trupi i kombit. Plagë që po ia shkaktojnë më shumë se të gjithë, vetë qeveritarët, deputetët, dikasteret. Në vendin tonë për ditë  gjëmon media se Shqipëria po plaket. Numuri i lindjeve po pakësohet. Të rinjtë po largohen për një jetë, demek, më të mirë në perëndim. Fshatrat janë kthyer në azile natyrore për pleq e plaka. Diku gjen edhe plaka me qen ose pleq me mace. Në qytet ka edhe të moshuar që merren me zogj në kafaze, ashtu siç janë vetë.

Por mos pandehni se shumica i kanë qejf qentë!? Joo! I mbajnë për shoqërim, për bisedim, për moskeqkuptim. Nuk janë të paktë edhe rastet kur plaku i vdekur në vetmi zbulohet vetëm nga aroma e trupit të dekompozuar! Ndaj duhet ajo ministria e vetmisë! Dhe ajo e miqve të paftuar!

Ka ardhur koha që ta ngrejmë zërin të gjithë deri në qiell, se po na ikën kombi, toka, trualli, gjuha, emri,…