Shqipëria vend origjine në trafikimin e qenieve njerëzore

562
Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë-Soros” ka zbardhur hartën e aktiviteteve kriminale në vend, duke e renditur Shqipërinë si vend origjine të trafikimit të qenieve njerëzore. Trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i armëve, gjobë-vënia, vrasjet me pagesë, pastrimi i parave ishin pikat kryesore në cilat u fokusuar raporti studimor me titull “Vlerësimi i Riskut të Krimit të Organizuar në Shqipëri”, duke evidentuar kështu riskun e veprimtarive kriminale sipas tipologjisë së krimit të organizuar për periudhën 1990-2014. Ky raport sugjeroi të ndërmerren disa hapa konkret, me qëllim që të ketë një luftë sa më efikase kundrejt krimit të organizuar. Për të arritur këtë, u theksua nevoja e nisjes fillimisht të luftës kundër korrupsionit brenda institucioneve ligj-zbatuese. Raporti gjithashtu u përqendrua në veprimtaritë e paligjshme të krimit të organizuar në vend, si dhe ato të kryera nga rrjetet kriminale shqiptare në rajon dhe më gjerë. Të dhënat u publikuan në praninë e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, atij të drejtësisë, shoqërisë civile, akademikëve, agjencive ligj-zbatuese dhe përfaqësuesve të medias. Ndërkohë vazhdon të mbetet shqetësues fakti në lidhje me eficencën e luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pasi mungojnë studimet empirike mbi natyrën dhe veçoritë e tij në Shqipëri, duke ven në pah nevojën për rritje të kapacitetet profesionale të agjencive ligj-zbatuese me ekspertë në fushën e kriminologjisë, ekonomisë, kibernetikës, informatikës, mjekësisë ligjore, si dhe ngritja e një “Njësie të specializuar”. Ky raport synon të informojë e pasurojë debatin publik me gjetje dhe analiza shkencore, si dhe rritjen e bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe institucioneve dhe domosdoshmëri për ngritjen e një “Njësie të specializuar” për luftën kundër krimit të organizuar.
Harta e aktiviteteve kriminale dhe rrugët kryesore të trafikimit të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore.
– Format e trafikimit të heroinës dhe kokainës (drogë e fortë) janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Ato kryhen nëpërmjet detit, tokës dhe ajrit, kryesisht nëpërmjet mjeteve konvencionale të transportit. Ka të paktën tri tipologji grupesh kriminale të përfshira në trafikun e drogës së fortë. Në rritje duket prirja e trafikimit të kanabisit përmes Malit të Zi dhe Kosovës drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Perëndimore. Pavarësisht mungesës së tregut të brendshëm, sasi të amfetaminës dhe eustazisë, janë futur në vend nga Serbia dhe Bullgaria. Raportohet se të rinj të moshës 15-18 vjeç kanë përdorur ekstazi të siguruar në Tiranë.
– Duke iu referuar trafikut të qenieve njerëzore, studiuesi Besfort Lamallari theksoi se, Shqipëria nuk është më vend transiti, por mbetet vend origjine, edhe pse jo në nivelet e dikurshme. Në përpjesëtim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, numri i viktimave të shfrytëzuara brenda vendit konsiderohet shqetësues. Gra dhe vajza nga rajone të ndryshme të vendit shfrytëzohen seksualisht në ambiente të ndryshme si vila, apartamente, hotele, motele, lokale etj. Shqetësuese paraqitet situata e fëmijëve në gjendje rruge, të cilët shfrytëzohen për lypje dhe konsiderohen si viktima të mundshme të trafikimit. Kontrabandimi i migrantëve mbetet shqetësues për sa i përket numrit të shtetasve shqiptarë që transportohen ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA. Vendi ynë po shfrytëzohet nga rrjetet ndërkombëtare të kontrabandës për kalimin transit të shtetasve sirianë, sudanezë, kongolezë dhe nënshtetësive të tjera.
– Studimi cilëson se, aktualisht Shqipëria shërben si vend origjine, për armët automatike të tipit kallashnikov, municione dhe lëndë eksplozive. Rajonet më të prekura në Shqipëri nga trafiku dhe tregtia e paligjshme e armëve janë zonat kufitare si Shkodra dhe Kukësi, qyteti portal i Durrësit dhe kryeqyteti. Fushë-Kruja paraqitet problematike për sa i përket tregtimit të paligjshëm të lëndëve eksplozive.
– Gjobëvënia nuk është një dukuri e përhapur, por e zhvilluar nga pikëpamja cilësore. Format e përdorura sa vijnë dhe sofistikohen. Në vendin tonë, vihet re se, ka dy kategori grupesh kriminale që vendosin gjoba (grupe të vogla të paorganizuara dhe grupe të mirë-organizuara). Vihet re, gjithashtu se, janë krijuar lidhje midis bizneseve të fuqishme dhe grupeve kriminale, të cilat përdorin njëri-tjetrin për qëllime të paligjshme përfitimi. Ka një rritje të gjobëvënies nga grupe të miturish, që imitojnë skema dhe mekanizma të ngjashme me ato të grupeve kriminale të të rriturve.
– Studimi nxjerr në pah se, pas viteve 2011, vihet re një sofistikim i vrasësve me pagesë. Kategoria më problematike janë “vrasësit profesionistë”. Kjo kategori vrasësish po merr gradualisht trajta organizative në formën e një rrjeti kriminal, ku struktura e “ndërmjetësve” duket se është struktura më e organizuar. Ka një rritje të bashkëpunimit midis bizneseve dhe vrasësve me pagesë. Këta të fundit, përdoren nga bizneset për çështje sigurie apo për të asgjësuar konkurrentët e tyre.
Krimi kibernetikë sa vjen dhe po konsolidohet në forma të strukturuara. Grupimet e krimit kibernetikë janë mjaft fluide dhe formësohen në varësi të veprimtarisë kriminale. Ka një ndërthurje të veprimtarive kriminale online me ato offline. Ekziston rreziku që rrjetet kriminale ndërkombëtare të përfshira në administrimin e materialeve pornografike për të mitur në internet të kontraktojnë pedofilë banues në Shqipëri për të prodhuar materiale pornografike me të mitur shqiptarë.
– Fushat kryesore ku investohen paratë me origjinë kriminale janë industria e ndërtimit, fabrikat moderne përpunuese, bizneset e lojërave të fatit, minierat, karburantet, prodhimi i energjisë, agjencitë turistike, si dhe përfitimi i licencave dhe koncesioneve të ndryshme nga shteti. Mënyrat më tipike të paraqitjes së të ardhurave kriminale në ekonominë e ligjshme janë transaksionet e shumta në bankat e nivelit të dytë, kreditë e marra nga këto institucione, veprimet përmes agjencive të transfertave të parave, dhe përdorimi i identitetit të familjarëve dhe të afërmve.
Të pranishëm në prezantimin e raportit Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Soros, Andi Dobrushi dhe Dr. Fabian Zhilla drejtues i “Njësisë Kërkimore mbi Studimin e Krimit të Organizuar” pranë këtij fondacioni, renditën synimet e këtij raporti. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Soros, theksoi se: “Ky Raport Studimor sjell një kontribut në mbushjen e boshllëkut informativ që vihet re në Shqipëri lidhur me Krimin e Organizuar. Lufta kundër tij duhet të mbështetet në studime serioze, për vetë natyrën e sofistikuar të tij dhe rrezikshmërinë e lartë që paraqet për shtetin ligjor dhe demokracinë në vend. Për më tepër, kjo kërkon një bashkëpunim efikas midis shoqërisë civile dhe institucioneve publike. Gjatë hartimit të këtij Raporti u konstatua se ka vend për përmirësim për sa i përket transparencës dhe gatishmërisë të institucioneve shtetërore për bashkëpunim lidhur me kërkime specifike të kësaj natyre”. Ndërsa Dr. Fabian Zhilla, drejtues i “Njësisë Kërkimore mbi Studimin e Krimit të Organizuar” pranë Fondacionit Soros, cilësoi se: Një ndër synimet e këtij Raporti ishte përfshirja në të e sa më shumë aktorëve dhe sidomos pjesës akademike. Në kontekstin e këtij studimi, ky ndërveprim i gjallë midis shoqërisë civile dhe aktivitetit shkencor është orientuar në ofrimin e analizave konkrete, të cilat do të ndihmojnë agjencitë ligjzbatuese në hartimin e politikave efikase të luftës kundër krimit të organizuar
Sigal