Në Shqipëri zbatohet vetëm statusi i deputetit!

921
Përparim HALILI

Ligjërisht, shumë kategori sociale në Shqipëri, trajtohen sipas statuseve të posaçme, ku janë përfshirë si shtresime profesionale, moshore, shëndetësore, historike, arsimore, kulturore e të çdo sektori. Këto statuse, përcaktojnë të drejta të veçanta. Po sa zbatohen këto statuse sociale? Në Shqipëri, janë miratuar 20 statuse për 20 kategori shoqërore, që realisht nuk zbatohen fare ose zbatohen pjesë-pjesë! Këto ditë, po flitet për Statusin e Naftëtarit. Ky status u miratua dhe hyri në fuqi, disa ditë para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. U tha se ishte vendim për përfitime elektorale, po kjo akuzë u kundërshtua, mbasi u deklarua se institucionet dhe ndërmarrjet e sektorit të naftës, kishin nisur aplikimet me formularët përkatës! Realisht, procedurat janë bllokuar dhe punonjësit e naftës që përfitojnë këtë Status, po ankohen përditë, mbasi nuk u plotësohen dokumentet nëpër zyra! Po kështu, prej 20 vitesh është miratuar Statusi i Minatorit, por është anuluar, rishikuar, plotësuar, e miratuar përsëri. Por nuk po zbatohet, ndërkohë që minatorët nuk përfitojnë asnjë të drejtë të përcaktuar në këtë Status! Nga 20 Statuset e miratuara me ligj, në Shqipëri zbatohet vetëm Statusi i Deputetit. vetëm këta përfitojnë të 20 privilegjet që u njeh ky status. ndërkohë që statuset e kategorive të tjera nuk zbatohen, paçka se bëhen procese gjyqësore në të gjithë shkallët e drejtësisë, bëhen protesta, bëhen presione për mos pjesëmarrje në votime, bllokohen rrugë, protestohet përpara kryeministrisë, parlamentit, ministrive të linjës. Por deputetët që kanë hartuar dhe miratuar këtë Statuse, nuk reagojnë, përkundrazi i shpërfillin veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, ish-ushtarakët ët cilëve po i hiqen edhe pensionet, invalidët, mësuesit, jetimët, gratë e dhunuara, nëpunësit civil e këdo shtresë shoqërore që trajtohet me Status social-ekonomik! Deputeti përfiton furnizim me karburant, me shërbim telefonik dhe i jepen faktikisht, ndërsa invalidit, megjithëse i jepet me status, nuk u jepet realisht as karburanti, as shërbimi telefonik, as udhëtimi falas, as kompensimi i bukës dhe energjisë elektrike. Deputeti trajtohet me strehim me kredi pa interes, ndërsa të verbrit, familjet e ushtarakëve të vrarë ë detyrë, jetimët dhe gratë e dhunuara nuk trajtohen, megjithëse e kanë me Status që të trajtohen me kredi për banesa sociale! Me Status të posaçëm, trajtohet ligjërisht edhe punonjësi i SHISH, por praktikisht nuk i japin asnjë të drejtë që i jep ligji! Nëpunësi Civil, ka Status ligjor, por nuk zbatohet, madje hidhet në rrugë nga çdo pushtet politik dhe nuk zbatohet ky status as nga drejtësia, kur padrejtësitë ankimohen prej tyre! As Statusi i Gazetarit nuk zbatohet! Madje në Shqipëri, nuk zbatohet as Statusi i Gjyqtarit dhe Prokurorit! Ndërsa, për deputetët, Statusi zbatohet në çdo pikë të përcaktuar nga ligji, që nga paga e lartë, pensioni suplementar, pagesa pas largimit nga funksioni si deputet, strehimi, e drejta për të mos jap llogari për çdo veprim që kryen, pajisja me automjet, furnizimi me karburant, pagesat e udhëtimit, fjetjes, ushqimit, shërbimit telefonik, siguria e jetës dhe paprekshmëria nga policia! 
Ja 20 statuset e miratuar, por të pazbatuar
1. Statusi i Gazetarit
2. Statusi Veteranit të Luftës Nacional-Çlirimtare
3. Statusi i Familjeve të dëshmorëve
4. Statusi i Ish-të përndjekurve politikë
5. Statusi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve
6. Statusi i Ushtarakëve në Lirim
7. Statusi i Ushtarakut aktiv
8. Statusi i Policëve
9. Statusi i Grave të dhunuara
10. Statusi i Jetimëve
11. Statusi i Invalidit të Punës
12. Statusi i të Verbërve
13. Statusi i Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë
14. Statusi i Familjarëve të Ushtarakëve të Vrarë në Detyrë
15. Stausi i Minatorit
16. Statusi i Naftëtarit
17. Statusi i Nëpunësit Civil
18. Statusi i Bashkëpunëtorit të Drejtësisë
19. Statusi i Policëve të Liruar
20. Statusi i Punonjësit të Shërbimit Informativ
—————————–
Ja Statusi i Deputetit, që zbatohet plotësisht
1. Paga e deputetit: 156 mijë e 750 lekë (22 ditë). 
2. Deputeti i grupit parlamentar me 10 deputetë: 15% shtesë page.
3. Kryetari i grupit parlamentar me më pak se 10 deputetë: 5% shtesë page.
4. Kryetarët e komisioneve parlamentare: 5% shtesë page. 
5. Për 1 mbledhje komisioni: 2 mijë lekë të reja (12 mbledhje në muaj).
6. Deputeti përfiton: 20 shpërblime mujore, me nga 2 mijë lekë të reja.
7. Kryetari i komisionit parlamentar: 2500 lekë të reja për çdo mbledhje.
8. N/kryetari komisionit parlamentar: 2200 lekë të reja për çdo mbledhje. 
9. Deputeti përfiton: 24 mijë lekë të reja në muaj, për pjesëmarrje në sesionet normale. 
10. Deputeti përfiton: 40 mijë lekë të reja në muaj për mbledhjet në komisione të veçanta. 
11. Për çdo mbledhje të konferencës së kryetarëve: 2500 lekë të reja pagesë.
12. Për dietat brenda vendit: 4% e pagës, ose 6271 lekë për çdo ditë shërbim në zonën ku është deputet.
13. Deputeti përfiton: 6 dieta në muaj me nga 6271 lekë të reja, ose 38 mijë lekë të reja në muaj. 
14. Deputeti që nuk është banor i Tiranës, përfiton: 12 dieta mujore në muaj me 6271 lekë të reja, ose 75 mijë e 252 lekë në muaj.
15. Deputeti kur del nga Tirana: 3 mijë lekë të reja për çdo natë fjetjeje në hotel, deri në 12 net fjetjeje.
16. Pagesë telefoni për kryetarët e komisioneve dhe grupeve parlamentare: 20 mijë lekë të reja në muaj.
17. Pagesë telefoni për deputetin: 17 mijë lekë në muaj.
18. Deputeti përfiton: 35 mijë lekë në muaj, për transport publik.
19. Punësim në institucionet shtetërore për bashkëshortet/ët. 
20. Punësim në institucionet shtetërore për familjarët që jetojnë me ta.
21. Pagesë 2% të pagës mujore, për çdo vit pune të siguruar
22. Kredi strehimi me vlerë 50 milionë lekë, me 0% interes
Sigal