Shqipëria rrezikohet nga fenomeni zinxhir i tërmeteve deri në fund të nëntorit

1028
Sigal

Flet Profesor Doktor Dëfrim Shkupi: Në çdo 35 vjet rreziku i tërmeteve 7 ballsh është tepër i lartë

Shqipëria është zonë me rrezikshmëri të lartë rrezikohet nga tërmetet, deri në fund të nëntorit”. Kështu kanë konkluduar disa nga shkencëtarët shqiptarë. I pyetur për këtë argument, gjeologu dhe Presidenti at AAEGG (Albanian National Group of IAEG), Prof. Dr  Dëfrim Shkupi, konfirmoi rrezikun real të mundësisë së rënies së tërmeteve në Shqipëri për disa arsye, ku renditet fenomeni zinxhir, pllaka nëntokësore e detit Jon, periodiciteti i tërmeteve që riciklohen në cdo 35 vjet, si edhe trajtimi mizor që i kanë bërë shqiptarët natyrës mbitokësore, nëntokësore dhe shkatërrimit të inerteve lumore.

 Si paraqitet Shqipëria ndaj rreziqeve të tërmeteve?

Ne jemi një zonë mesdhetare sizmike, që domethënë se jemi zona e Mesdheut, që është e lidhur direkt me brezin nëntokësor që shkon deri në Himalajë, Iran, Tuqi, Spanjë, Greqi, Itali. Afganistan dhe Indi. Ky është një brez me sizmicitet aktiv, prandaj, në të gjithë vendet që përshkruan ky brez, rreziku i tërmeteve është i lartë. Pra, ndodhin tërmete nga shkalla të vogla deri në ato karastrofike.

Çfarë mund të thoni pas tërmetit që ra para 6 ditësh në ishullin e Kretës. A rrezikohet Shqipëria nga kjo gjë?

Po sigurisht Shqipëria është një vend i rrezikuar vazhdimsht, nga tërmetet,. Ndërsa, në këtë rast, ndodh një reaksion zinxhir, ku tërmeti transferohet në zonat rreth e rrotull. Pra, mund të themi se në zonat pranë, ndodh efekti domino. Prandaj, kujdesi i shtetit duhet të jetë shumë i madh.

Përse e thoni këtë?

Sepse duke qenë brenda një pllake, rreziku është pjesë e ngjarjes. Kur të vijë radha, tërmeti kalon edhe në zonën e Shqipërisë.

A mendoni ashtu si shumë shkencëtarë të tjerë, se radha e tërmetit mund të jetë deri në fund të nëntorit?

Ndofta edhe më parë. Sepse konkretisht, pllaka e detit Jon është në zhvendosje pas tërmetit që u shkaktua në Kretë. Dhe natyrisht, në zonën e Jonit, apo më gjerë priten jo një, por disa tërmete të tjerë.

Pse ndodhin këto tërmete?

Tani problemi është që Shqipëria, sikurse Greqia dhe Italia është një tokë e re, tokë që i përket brezit të njëjtë dhe ndodhet në buzën e takimit të pllakës së Afrikës, me pllakën e Evropës. Pra, fondamenti i detit Jon dhe Adriatik nuk janë pjesë e kontinentit evropian, por është pjesë e kontinentit afrikan, pra është pjesë e pllakës afrikane. Kështu pllaka afrikane hyn si pykë në det. Kjo ngjeshje e këtyre pllakave prish kohezionin e formacioneve shkëmbore dhe natyrisht, kjo prishje kur arrin një pikë kritike, çliron një energji kolosale e cila është e barabartë me mijra bomba atom,mike dhe ajo jep përçimin e saj edhe në sipërfaqe. Duke lëvizur, apo tronditur tokën dhe kjo pasohet edhe nga lëvizje të ndryshme që janë pasoja të saj, ku ndodhin lëvizje, apo rrëshqitje dherash të ndryshme.

A janë studiuar këto fenomene nga shkencëtarët?

Po. Për hir të së vërtetës këto janë studiuar më së miri nga shkencëtarët e huaj, por edhe nga shkencëtarët shqiptarë. Në plan të parë të këtij shërbimi ka qenë Instituti Sizmiologjik, ishte një institut serioz dhe profesional, i standartit ndërkombëtar, me një nivel shkencor teper të lartë. Kjo i atribuohet disa shkencëtarëve që e kanë krijuar, por që më vonë shteti i abandonoi. Në mënyrë të vecantë do të përmendja Prof.Dr Betim Muçon, i cili sot, punon me sukses në këtë zanat edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbaj mend se kur ai bëri aplikimin për anëtar të Akademisë, përzgjedhja i mohoi të drejtën.

A ishte në gjendje Betim Muço të parashikonte tërmetet?

Ai ishte një specialist i vërtetë dhe drejtor i Institutit Sizmiologjik. Ai ka arritur të ketë një bashkëpunim shumë të gjerë me shkencëtarë evropaninë dhe botërorë, duke thithur prej tyre të rejat më të fundit të shkencës sizmiologjike. Ndërsa qeveria që iku i shkatërroi padrejtësisht, institutet dhe sidomos Institutin e Sizmiologjisë.

Le të kthehemi te tërmetet, si mund të parashikohen ato?

Në mënyrë të përpiktë për orën dhe ditën e rënies së tërmetit, askush nuk mund të parashikojë ndonjë gjë të saktë. Por ka disa parametra matës.

Cilat janë këto parametra?

Në çdo vend ekziston një hartë e pikave delikate me sismologji të lartë. Dhe një broshurë e vlefshme dhe e hartuar nga eksperiancat kohore, ku tregohet se pas rënies së tërmetit në një zonë, ajo mund të përësëritet përsëri pas 6 orësh, ose të nesërmen, apo të pasnesërmen. Por pastaj cikli i tërmetit rikthehet përsëri, pas një viti me një shkallë të vogël ballësh, apo me një shkallë rreziku të vogël. Pastaj, pas 4 vjetësh rrezikshëmria rritet në 4-5 ballë, deri sa pas 35 vjetësh, kjo rrezikshmëri shkon në 6-7 ballë.

Kjo do të thotë se tani, pas 35 vjetësh këtu mund të pritet një tërmet me 6-7 ballë?

Po, por nuk përjashtohet edhe me 5 ballë. Unë them se risku i Shqipërisë është i madh, për asrye të masakrës njerëzore mbi natyrën. Këtu mjafton të përmendim lumenjtë, ku marrja e inerteve ka deformuar fare brigjet lumore. Pastaj, gërmimet pa kriter nën tokë dhe mungesa e studimeve gjeologjike për minierat. Duke e ditur që ne jemi zonë e rrezikshme sizmike, duhet t’i jepet përparësi studimeve gjeologjike, ashtu siç e ka Gjermania që brenda ekipit gjeologjik ka edhe grupin sizmik. Kjo duhet pasur parasyshm, përpara se të jetë vonë. Por këtu po ju them një deklaratë serioze: Në rast tërmeti, shtëpitë e ngrituar buzë detit do të kenë pasoja katastrofike.

Tërmeti 6.4 ballë në Kretë

Para 5-6 ditësh një tërmet i fuqishëm është regjistruar në orën 16:11 minuta (ora lokale) në veriperëndim të ishullit grek të Kretës. Sipas Institutit Mesdhetar, fuqia e tij ka qenë 6,4 ballë e shkallës Rihter, ndërsa sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës ka qenë 6.2 ballë. Epiqendra e tij është regjistruar 64 kilometra në perëndim të qytetit Hania të ishullit, në një thellësi prej 23 kilometrash. Lëkundjet e tij kanë qenë aq të fuqishme sa kanë shkaktuar panik tek banorët, pasi ka pasur dhe një kohëzgjatje të madhe rreth dhjetë sekonda, madje ato janë ndjerë edhe prej drejtuesve të makinave që në atë moment kanë qenë në lëvizje. Për fat të mirë tërmeti ka ndodhur në zonën detare pranë ishullit, megjithatë ai është ndjerë pothuajse në gjysmën e Greqisë, sidomos në Athinë, Patra dhe ishujt Kikladhes. Deri tani mediat greke flasin për dëme të vogla materiale në dyqane dhe shtëpi, kryesisht nga rënia e objekteve si dhe për disa rrëshqitje dheu. Pas këtij tërmeti janë regjistruar edhe tre lëkundje të tjera nga 2.8 deri në 3.1 ballë të shkallës Rihter në të njëjtën zonë. Dhe priten që të regjistrohen akoma e dhe më shuëm tërmete në të gjithë zonën.

Shkupi: Mos u trembi nga paralajmërimet, por mos i nënvleftësoni

Mos u trembi nga paralajmërimet, por mos i nënvleftësoni”. Kështu u shpreh, zoti Shkupi, i cili vuri në dukje se duhen marrë masa mbrojtëse për banesat dhe më gjerë. Nuk duhet lejuar asnjë pallat, apo vilë në bregdet se këto pallate janë të parët që do të shemben”, shtoi ai duke porositur gjithashtu, që askush të mos lejohet për të marrë inertet e lumenjve.  Më tej, zoti shkupi shtoi: “Deri tani sa herë që është bërë ndonjë paralajmërim për tërmetet, ai ka rënë”. Sipas Profesor Doktor Dëfrim Shkupit, në pamjen e parë duket si diçka e pavërtetë, por një pjesë e saj është krejt e vërtetë, ndërsa pjesa tjetër, duhet verifikuar me mjetet që njerëzimi disponon, Sipas tij, rreziku nga tërmetet ekziston jashtë njeriut, por ka edhe faktorë ndihmës për shtimin apo afrimin e tërmeteve në një zonë. Këto janë transformimet pa kriter që i bëhen natyrës.