Shqipëria promovohet  në Panairin e Londrës

563
Sigal

Shqipëria mori  pjesë në Panairin Botëror të Turizmit, World Travel Market, që u mbajt  në Londër, nga data 3-6 nëntor 2014. Vendi  ynë përfaqësohej nga një delegacion i kryesuar nga  Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe 16 bizese private që operojnë në fushën në turizmit.  Në tre ditët e tij, panairi shërbeu si një mundësi  e shkëlqyer për promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik që u ofron turistëve  dhe investitorëve gjithçka, në të katërt stinët e vitit.

Në ditën e parë të vizitës së saj zyrtare në Londër , axhenda e Ministres Gjermeni  nisi  me takime të zhvilluara në stendën e Shqipërisë, ku operatorë turistikë, përfaqësues e gazetarë të rrjeteve televizive prestigjoze botërore shfaqën një interes të madh.  Në takimin që pati me përfaqësues të medias prestigjoze britanike BBC, znj. Gjermeni diskutoi mbi mundësinë e promovimit të Shqipërisë në këtë platformë mediatike .“Promovimi i Shqipërisë në BBC do të mundësonte njohjen më të mirë  të vendit si një destinacion turistik dhe  do të shërbente si një mundësi shumë e mirë për investime në fushën e turizmit”, u shpreh ajo.  Edhe në intervistën e dhënë për “Eurosport” Ministrja e vuri theksin tek protencialet turistike të vendit tek burimet e pafundme ujore, malet dhe bregdeti si një mundësi e jashtëzakonshme për  praktimin e aktiviteteve sportive si rafting, aplinizëm, hedhje me parashutë, aktivitete sportive ujore etj.

“Produkti i turizmit të aventurës dhe turizmit sportiv në përgjithësi është tashmë pjesë e vizionit dhe strategjisë së qeverisë Shqiptare. Ne jemi duke punuar intensivisht për përmirësimin e infrastrukturës turistike sportive”- deklaroi Gjermeni. Të njejtat objektiva zj. Gjermeni i  theksoi edhe në intervistën për televizionin “Check INN TV” me z. Syed Tajamul Hussain, drejtuesi i Talk Show “Travel Talk” dhe President i Institutit Ndërkombëtar për Paqe përmes Turizmit në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut për ta njohur  Shqipërinë si destinacion turistik në vendet e Lindjes së Mesme, Gjirit Persik dhe Afrikës Veriore.  Takimet e ditës së parë vijuan me  përfaqësues të “British Airways” znj. Lucie Wesley dhe z. Oliver Atkinson, ku Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, shprehu interesin per përfshirjen e artikujve promocionalë mbi Shqipërinë si destinacion turistik në revistën “On Board” të British Airways. Axhenda e takimeve në ditën e dytë të panairit  të Londrës  nisi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të delegacionit  shqiptar në samitin e ministrave të turizmit  organizuar nga OBT. Fjala e hapjes u mbajt nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, z. Taleb Rifai. “ Turizmi është një fenomen global i ngritur mbi çdo ulje-ngritje të ekonomisë dhe si i tillë do të ecë përpara duke na bashkuar. Ndaj mesazhi që duhet të përçojmë është: Të flasim të gjithë të njëjtën gjuhë për zhvillmin e turizmit”. Ky samit cilësohet si një nga eventet më të mëdha për botën e turizmit.

Po në ditën e dytë të panairit, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, mori  pjesë në Forumin e Investimeve dhe Tregtisë Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar ku prezantoi përpara 150 të ftuarve platformën e investimeve në turizëm.

Qëllimi kryesor i këtij forumi ishte prezantimi i sektorit të turizmit në Shqipëri, si një sektor prioritar për Qeverinë Shqiptare, në të cilin janë të nevojshme investimet e huaja direkte dhe mbi të gjitha, investitorët e huaj janë të mirëpritur.

Në fjalën e saj znj. Gjermeni theksoi se “Qeveria Shqiptare e konsideron turizmin një aset publik”. Ajo çka ne propozojmë,- vijoi Gjermeni,- është një strategji dhe vizion i ri, ku rritja ekonomike e sektorit të turizmit vjen si rezultat i partneritetit publik – privat dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet ndërkombëtare.” Ajo përmendi reformat e ndërrmara në sektorin e turizmit, gjatë këtij viti  të cilat lidhen ngushtësisht me vendosjen e standardeve, duke garantuar qëndrueshmëri, rritje të numrit të turistëve, rritje të numrit të netëqëndrimeve,  gjenerim të të ardhurave ekonomike në nivel kombëtar dhe lokal, por dhe rritje të numrit të të punësuarve në këtë sector.

Sipas Ministres Gjermeni rishikimi i legjislacionit në sektorin e turizmit dhe harmonizimi me ligjin për investime strategjike në turizëm dhe ligjin e partneritetit publik – privat, do të ofrojë mundësi të reja për investime me procedura të përshpejtuara dhe mbi të gjitha, investime të sigurta.

“Me qëllimin e vetëm kthimin e Shqipërisë në një destinacion konkurrues në tregun ndërkombëtar të turizmit dhe krijimin e kushteve lehtësuese për rritjen ekonomike të sektorit,- kemi hartuar Strategjinë e Zhvillimit të Turizmit 2014 – 2020 dhe në bashkëpunim me Universitetin e Harvard jemi në procesin e finalizimit të Paketës me Masa Administrative dhe Fiskale për sektorin”, tha më tej ministrja në fjalën e saj. Njohja e Shqipërisë si destinacion turistik,- nënëvizoi Gjermeni,- është një tjetër sfidë e jona. Ndaj, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, sektorin privat, trupin diplomatik të akredituar jashtë vendit kemi intensifikuar prezantimin e Shqipërisë si një destinacion turistik i detit, kulturës, turizmit të aventurës, turizmit rural dhe malor nëpërmjet pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare, organizimit të media tour – eve dhe fam tour – eve.  Në fund të fjalës së saj në këtë forum  Ministrja Gjermeni i ftoi të gjithë të vizitojnë  Shqipërinë dhe ta konsiderojnë atë  si një vend potencial për investime në fushën e turizmit.  Mbyllja e  vizitës së Ministres Gjermeni në Londër u pasua nga konferenca për shtyp me temë “Shqipëria destinacioni juaj për Turizëm dhe Investime” për mediat britanike dhe ato ndërkombëtare të akredituara në panair.

E  shoqëruar nga Drejtori Ekzekutiv i Organizatës Botërore të Turizmit z. Carlos Vogeler dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Turizmit pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Sonia Popa , znj. Gjermeni bëri të ditur për mediat e pranishme në konferencën për shtyp nismat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe ministria që ajo drejton në sektorin e turizmit. “ Këtë vit Shqipëria vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit u vizitua nga mbi 1 milion turistë dhe krahasuar me të njëjtën periudhë në 2013 numri i turistëve ka pasur një rritje me 24%. Ajo çka bie në sy është një rritje e konsiderueshme e turistëve nga Polonia me rreth 14,000, vendet Skandinave me rreth 12,000 dhe Britania e Madhe me rreth 27,000 vizitorë. Synimi ynë është njohja e Shqipërisë si një destinacion turistik”, u shpreh Ministrja.

Edhe Carlos Vogeler në fjalën e tij theksoi mbështetjen e OBT për zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri duke përgëzuar punën që po bën qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit në promovimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit. “Ne jemi të kënaqur, me të gjithë nismat e ndërmarra nga qeveria Shqiptare dhe ndihem i kënaqur që Shqipëria është tashmë një destinacion në hartën botërore të turizmit”, tha ai.

Rritja e numrit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri në sektorin e turizmit, përmirësimi infrastrukturës turistike dhe rritja e cilësisë së shërbimit janë pjesë integrale e një seri politikash dhe nismash ligjore të ndërmarra rishtazi në funksion të industrisë së turizmit.

 “ E gjithë qeveria është e angazhuar për të rritur investimet publike në sektorë të ndryshëm si bujqësia, zhvillimi urban, infrastruktura të cilët në mënyrë direkte japin impakte pozitiv në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të turizmit”, deklaroi Ministrja.

Zj. Gjermeni   prezantoi para gazetrëve edhe mënyrën e promovimit të shqipërisë në të ardhmen.  “Njohja e Shqipërisë si destinacion turistik është një tjetër sfidë e jona ndaj në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, sektorin privat dhe ambasadat tona kemi intensifikuar prezantimin e Shqipërisë si një destinacion turistik i detit, kulturës, turizmit të aventurës, turizmit rural dhe malor.  Gjatë këtij viti potencialet turistike të vendit janë promovuar nëpërmjet pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare, medias sociale, diplomacisë dixhitale, organizimit të media tour – eve dhe fam tour – eve.   Së bashku me kompaninë Amerikane Strawberry Frog fituese e konkursit ndërkombëtar Branding Albania të zhvilluar në Maj jemi duke bashkëpunuar për hartimin e një Strategjie për Brandimin e Shqipërisë”, tha ajo.

E pyetur nga gazetarët e Travel Channel dhe Euronews mbi çka e bënë Shqipërinë një vend tërheqës për vizitorët e huaj Gjermeni nënvizoi se – “Shqipëria edhe pse një vend i vogël në zemër të Ballkanit ofron për vizitorët pushime aktive, një ndërthurje të turizmit të detit dhe rërës me turizmin e kulturës dhe aktiviteteve sportive rekreative. Mikpritja, dhe kuzhina e pasur janë një arsye më tepër për të vizituar dhe njohur Shqipërinë”. Pjesëmarrja në Panairin Botëror të Turizmit    ishte një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për të promovuar Shqipërinë në tregun botëror të turizmit, por edhe për të zhvilluar takime, për të vendosur kontakte dhe shkëmbyer ide me kompani të rëndësishme në fushën e turizmit operatorë turistikë të vendeve të tjera, gazetarë, etj.

Panairi i Londrës, së bashku me atë të Berlinit, vlerësohen si dy nga eventet më të rëndësishme në kalendarin vjetor të panaireve të turizmit në Evropë.