Shqipëria prezantohet në Berlin nën stendën e Turqisë (FOTO)

Shqipëria prej më shumë se një jave ka marrë pjesë në Panairin e Turizmit që po mbahet në Berlin, por ndryshe nga sa mburrej ministri Blendi Klosi, përfaqësimi i vendit tonë duket se lë për të dëshiruar.

Arsyen pse, e shpjegon më së miri videoja e mëposhtme, e cila na tregon se si stenda e Shqipërisë ndodhet tek ajo e Turqisë dhe për më tepër me diferenca të mëdha, pasi është lënë e barabartë me një operator turistik turk.

NOA

Aktivisti Martin Gjonaj ka publikuar videon në rrjetet sociale, ku shpjegon se si  Shqipëria ka marrë vetëm një stendë shumë të vogël nga hapësira e Turqisë, për t’u prezantuar në këtë panair.

“Prezantimi i Shqipërisë në Berlin, si vilajet i Turqisë!

Qeveria Rama, dhe Ministria e Turizmit propagandojnë me të madhe se turizmin e kanë një nga prioritet kryesore të qeverisjes. Se sa prioritet i japin në të vërtetë, e tregon menyra se si prezantojnë Shqipërinë nëpër panairet ndërkombëtare, që është më e pakta një prezantim diletant e qesharak e deri skandaloz siç është rasti i panairit të Berlinit që sapo u mbyll.

Në panairin më të madh botëror të turizmit, ITB Berlin, që u zhvillua në datat 6 -10 Mars 2019, i cili mbledh mbi 10.000 ekspozues nga 181 vende të botës, Ministria e Turizmit që përbetohet se “e ka prioritet” turizmin, dhe paraqet shifra të rreme mbi gjasme 6 mil turistë/vit, çuditërisht e paraqiste vendin vetëm me një stendë të vogël me disa poste për operatorët turistike, dhe një për AKT-në, pjesë e ministrisë.

Dhe ku gjendej stenda mikroskopike e Shqipërisë do thoni ju?

Brenda pavijonit të Turqisë! Madje në një cep në fund të saj.

Dmth, një operator turistik apo një turist që viziton pavionin e Turqisë, dhe që diku andej nga fundi i del stenda me emrin Albania përpara, do pyeste me të drejtë: në cilën krahinë(vilajet) të Turqisë ndodhet kjo Albania juaj??

Pergjigjen për këtë mund ta kenë vetëm Kryeministri Rama dhe Ministri i Turizmit Klosi.”, shkruan aktivisti.

”Stenda e Shqipërisë gjithmonë e më e vizituar dhe gjithmonë e më shumë nën interesin e lartë të Tour Operatorëve më të njohur ndërkombëtarë, duke konfirmuar edhe një herë rritjen e turizmit dhe potencialet e larta të vendit tonë për konsolidimin e Shqipërisë si destonacion turistik”, janë fjalët e Klosit.

Një tjetër aktiviste, Alida Karakushi, pas publikimit të videos nga Gjonaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Klodi.

“Ftoj mediat shqiptare (ato që nuk i ka kapur pushteti) ta kumbojë fort këtë lajm që denoncohet nga aktivisti Martin Gjonaj. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, z. Klosi ju sot duhet të jepni DORËHEQJEN për paaftësinë e theksuar që tregoni.”, janë fjalët e aktivistes.