“Shqipëria po zbrazet”- Erisa Xhixho për Ditën e Rinisë: Qeveria ka prioritet skemat mafioze të inceneratorëve dhe tenderat pa garë

115
Sigal

Në Ditën e Rinisë, nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ngritur shqetësimin e shpopullimit të vendit dhe ikjen e të rinjve.

Me anë të një deklaratë për mediat, Xhixho thekson se qeveria nuk ka prioritet që ti sigurojë qytetarëve të ardhmen në Shqipëri, por kërkon vetëm të vjedhë përmes tenderave pa garë dhe inceneratorëve.

“Skema mafioze e inceneratorëve, koncesionet dhe tenderat pa garë janë mjeti i saj për të çuar para në xhepat e vet e të klientëve të vet, ndërsa shqiptarët nuk përballojnë dot muajin”, thotë Erisa Xhixho.

Deklarata e plotë e nënkryetares së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho

Dita e Rinisë i gjen të rinjtë shqiptarë pa përkrahje dhe pa shpresë. Fenomeni i emigracionit ka marrë përmasa alarmante, të rinjë janë të parët që ikin.

Përmasat e kësaj drame dalin në shifrat e Eurostatit. Pjesa dërrmuese e aplikimeve për azil në vendet e BE janë të rinj. 78% e azilkërkuesve i përkasin moshës nën 34 vjeç.

79% e studentëve shqiptarë dhe 59% e maturantëve dëshirojnë të largohen nga vendi. Nga ana tjetër, 95% e atyre që studiojnë jashtë nuk dëshirojnë të kthehen.

Ikin sepse janë zhgënjyer, ikin sepse nuk kanë shpresë.

Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, në veçanti atyre që lidhen direkt me të rinjtë.

Ndërsa Shqipëria zbrazet nga grupmosha më vitale, kryeministri Rama mjaftohet duke thënë se nuk i ndalon dot.

Nuk harton dot politika efektive për punësimin e te rinjve, nuk u garanton arsim cilësor dhe as mbështetje ekonomike.

Sepse kjo qeveri ka prioritete të tjera.

Skema mafioze e inceneratorëve, koncesionet dhe tenderat pa garë janë mjeti i saj për të çuar para në xhepat e vet e të klientëve të vet, ndërsa shqiptarët nuk përballojnë dot muajin.

Me mijëra të rinj i drejtohen vendeve të Europës dhe Britanisë çdo vit. Mijëra të tjerë ëndërrojnë ta bëjnë.

Partia e Lirisë e ka parë arsimin dhe mbështetjen e të rinjve si mjetin më efektiv për të luftuar shpopullimin.

Katër amendamente për projekt-buxhetin e vitit 2023, përmes të cilave kërkuam mbështetje për nxënësit, pedagogët, mësuesit dhe studentët u hodhën poshtë nga maxhoranca me forcën e kartonit.

I kërkuam kësaj qeverie të rrisë pagat e pedagogëve në nivele të krahasueshme me Kosovën, të mbështesë studentët me 100 euro në muaj, të rrisë pagat e mësuesve dhe të garantojë realisht tekste te rinj falas për nxënësit.

Asnjë prej këtyre propozimeve nuk u mbështet, sepse maxhoranca qeverisëse ka halle të tjera.

Qeveria të vetmet ligje që nxiton të sjellë në Parlament janë ato që pastrojnë paranë e krimit dhe korrupsionit.

Më 8 dhjetor 1990 studentët dhe pedagogët e Universiteteve të Tiranës, u bënë nismëtarë e protagonistë të kthesës së madhe historike të Shqipërisë dhe shembjes diktaturës komuniste.

Ndaj sot duhet të bëjmë çdo sakrificë që kjo tragjedi të ndalet dhe të rinjtë të ndërtojnë jetën e tyre nē atdheun e tyre.

Duhet të bëjmë gjithçka që kjo qeveri që u ka vrarë shpresën të rinjve të largohet.

Duhet të ndërmarrim çdo aksion që ky kryeministër armik i të rinjve të largohet një orë e më parë.

Thirrja mitike “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” edhe sot pas 32 vitesh buçet e na ngarkon me përgjegjësi shumë më të mëdha të gjithëve ne.