Shqipëria ngjitet me 10 vende në indeksin global për sundimin e ligjit

399
Në indeksin global mbi sundimin e ligjit për vitin 2015, Shqipëria ngjitet me plot 10 vende në renditjen e përgjithshme në krahasim me vitin e shkuar. Vendi ynë renditet i 53 ti në listën ku përfaqësohen 102 shtete, ndërkohë që një vit më parë mbante pozicionin e 63 të ndër 99 vende.
Për sa i përket rajonit, që përshin veç Europës Lindore, edhe Azinë Qendrore, Shqipëria renditet e 5 ta ndër 13 vende, ndërkohë që një vit më parë mbante pozicionin e 7 të. Pavarësisht renditjes disi të favorshme në terma të përgjithshëm krahasuar me rajonin, për sa i përket Ballkanit, Shqipëria arrin të lejë pas vetëm Serbinë, që nga ana e saj ka humbur plot 6 vende në renditjen globale. Maqedonia, Bosnje Hercegovina, Kroacia dhe Greqia ndërkohë renditen në pozita disa herë më të favorshme se vendi ynë. Ky indeks merr në konsideratë disa faktorë për të arritur në indikatorin përfundimtar, ku përfshihen të drejtat themelore, ato civile, mungesa e korrupsionit, forcimi rregullator apo edhe siguria. Për sa i përket këtyre sub indekseve, vendi ynë performancën më të dobët e regjistron në drejtim të korrupsionit dhe forcimit të rregullatorëve, ku zë vendin e 78 të dhe 71 të respektivisht në nivel global.
Ndërkohë, performancën më të mirë e regjistron rendi dhe siguria, që i japin vendit tonë pozicionin e 47 të ndër 102 shtete të listuara. Shqetësues mbetet fakti se korrupsioni më i lartë vlerësohet në sistemin e drejtësisë dhe pushtetin legjislativ. Ndërkohë në nivel global, vendet e para mbeten një monopol i shteteve skandinave, ku Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Finlanda mbajnë respektivisht katër vendet e para në listë.
Ndër 10 vendet e para, Europa përfaqësohet me 7 shtete. Ndërkohë dy vendet e fundit në listë mbahen nga Afganistani dhe Venezuela. 
Sigal