Shqipëria në 20 vendet më të korruptuara në botë

402
Sigal

Raporti i OKB-së dhe GALLUP/ Publikohen treguesit që e rendisin Shqipërinë në vendin e 134 për korrupsion duke u renditur në 20 më të korruptuarat e botës dhe e 107 për indeksin e lumturisë. Sipas sondazhit jemi të parët për korrupsion në Evropë duke lënë pas në botë; Ruandën, Tanzaninë, Afganistanin dhe Sudanin e Jugut

Shqipëria renditet në vendin e 107 nga 156 shtete në Indeksin e Lumturisë 2019, të publikuar sot nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, duke qenë e fundit në Evropë, pra më e palumtura, ndonëse ka shënuar përmirësim të lehtë prej 5 vendesh në raport me renditjen e vitit të mëparshëm.

Shqipëria renditet në pothuajse të njëjtat nivele me shtete të tilla si Venezuela, Kamboxhia, Territoret Palestineze, Somalia, Namibia, Laosi etj. Ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, ata të Kosovës janë shumë më pozitivë dhe të lumtur me jetën e tyre. Kosova, renditet në vend të 46, me një përmirësim të ndjeshëm prej 20 vendesh dhe duke qenë më e lumtura në rajon dhe e 16-a në botë për ndryshimin pozitiv të këtij indeksi për periudhën 2016-2018. Nga vendet e rajonit, Bosnja është në vend të 78, me një përmirësim të dukshëm nga 98 që ishte vitin e mëparshëm, Maqedonia në vend të 84 (përmirësim me 5 vende), Mali i Zi në vend të 73 (përmirësim me 8 vende), Serbia në vend të 70 (8 vende më shumë). Vendet nordike vijojnë të jenë më të lumturat. Në renditjen e fundit, në vend të parë për të dytin vit radhazi është Finlanda, e ndjekur nga Danimarka, Norvegjia, Islanda, Holanda, Zvicra, Suedia, Zelanda e Re, Kanadaja dhe dhjetëshen e mbyll Austria. Shtetet më të palumtura në botë janë Ruanda, Tanzania, Afganistani, Sudani i Jugut.

Ndër 20 vendet më të korruptuara në botë

Treguesi me renditjen më të keqe është korrupsioni, ku Shqipëria renditet në vendin e 134, sërish ndër 20 më të korruptuarat në botë, siç e kanë nxjerrë dhe raporte të mëparshme. Marrja e korrupsionit është mesatarja rajonale e përgjigjeve të të anketuarve ndaj dy pyetjeve të sondazhit të GALLUP: “A është korrupsioni i përhapur nëpër qeveri apo jo” dhe “A është korrupsioni i përhapur mes bizneseve apo jo?” Përgjigjja është mesatarja mes përgjigjeve 0 ose 1 (sa më afër zeros aq më pak i korruptuar), ku Shqipëria vlerësohet me 0.9, pra shumë afër 1, që tregon një vend të korruptuar dhe me rritje në këtij treguesi në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 0.87.

Në Evropë, krahas Shqipërisë, perceptimi për korrupsionin është i lartë dhe në Itali, Bullgari, Kosovë, Maqedoni. Treguesi tjetër problematik është ai i mbështetjes sociale, ku jemi në vend të 133, i ndjekur nga ndjenja negative (108), ndërsa më mirë renditemi në pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje (40).

Raporti

Raporti i Lumturisë është i bazuar në një anketë vjetore, ku pyeten rreth 1000 individë në më shumë se 150 vende të botës, të cilëve ju kërkohet që të rendisin, nga 1 në 10, për të parë nëse janë duke jetuar mirë apo jo. (Shqipëria ka marrë këtë vit 4.719 pikë).