Shqipëria, 83 mijë kërkesa për azil në vitet 2015-2017 në Gjermani

98

Në 1 mars në Gjermani hyn në fuqi ligji për emigrantët e kualifikuar, që parashtron rregulla më të lehta për personat që duan të punojnë në vend me një diplomë profesionale.

OECD-ja thotë se mijëra azilkërkues hasin vështirësi në vend për këtë shkak, përfshirë shtetasit nga Shqipëria që ndër vite numërohen në dhjetëra mijëra.

Gjermania është një destinacion i dëshiruar për refugjatët dhe azilkërkuesit shqiptarë, por edhe një vend i vështirë për të gjetur punë për ata që nuk kanë njohuri të gjuhës dhe arsimin përkatës.

Në këtë konkluzion arrin Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në një studim mbi pengesat që hasin në vend të ardhurit e huaj.

Sipas analizës, aplikantët nga Kosova dhe Shqipëria pesë vite më parë përbënin grupet më të mëdha të azilkërkuesve në vend.

Zyra federale për emigrantët dhe refugjatët mësohet se në vitet 2015-2017 trajtoi 83,200 kërkesa për azil në rastin e Shqipërisë dhe 53,700 të tilla nga Kosova.

Për Tiranën, norma e njohjes së azilit ishte më pak se 0,5 për qind, 81 për qind e aplikimeve u refuzuan dhe 19 për qind u cilësuan të papranueshme.

Sipas OECD-së, nga ata pak aplikantë që arritën të fitonin azilin, pak shqiptarë por edhe të huaj kanë mundur të avancojnë me sukses në shkollimet profesionale për të siguruar një vend pune.

Deficite paraqesin edhe rrjetet e kufizuara shoqërore, apo punëdhënësit që nuk marrin refugjatët në punë, jo detyrimisht prej racizmit apo diskriminimit, por prej keqkuptimeve, thekson studimi i financuar nga Ministria gjermane e Arsimit.

Rregulla të reja po përpilohen në favor të refugjatëve të cilëve u është refuzuar azili, dhe që tani mund ta përfundojnë pa problem kontratën e shkollimit profesional dhe të punojnë për dy vite.

Rregullat janë pjesë e Ligjit për Emigracionin Profesional që do hyn në fuqi më 1 mars.