Shqipëri-BE, zhvillohet mbledhja e 15-të e Nënkomitetit për Ekonominë, Çështjet Financiare dhe Statistikat

32
Sigal

Nënkomiteti për Ekonominë, Çështjet Financiare dhe Statistikat mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian zhvilloi mbledhjen e tij të 15-të, në Bruksel, ku pala shqiptare u kryesua nga zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Adela Xhemali.

Zëvëndësministrja Xhemali vlerësoi Nënkomitetin ECOFIN si një nga platformat kryesore të dialogut dypalësh midis Komisionit Evropian dhe Shqipërisë, i cili monitoron progresin në fusha të rëndësishme për integrimin e vendit në BE.

Znj. Xhemali theksoi se gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka shfaqur qëndrueshmëri përballë disa goditjeve të jashtme, duke përfshirë tërmetin, pandeminë globale dhe ndërprerjen e furnizimit për shkak të konfliktit në Ukrainë. Pavarësisht këtyre sfidave, ekonomia jonë u rimëkëmb në vitin 2021 dhe vijoi  rritjen në vitin 2022.

Përfaqësuesit e palës shqiptare diskutuan mbi zhvillimet dhe perspektivat e fundit në çështjet ekonomike, monetare dhe financiare të Shqipërisë, si edhe disa prej sfidave me të cilat është përballur vendi.

Gjithashtu, u diskutua mbi zhvillimet në tregun e punës; lëvizjen e lirë të kapitalit, forcimin e konkurueshmërisë së ekonomisë, përmirësimin e funksionimit të ekonomisë së tregut, kontrollin e brendshëm financiar publik, menaxhimin e financave publike, auditin e jashtëm, si edhe zhvillimet në fushën e statistikave.

Përfaqësuesit e KE-së vlerësuan zhvillimet në këto fusha, veçanërisht qëndrueshmërinë e ekonomisë përgjatë sfidave të njëpasnjëshme, menaxhimin e financave publike dhe statistikat.