Ekskluzive nga sekretari i Shoqatës së Invalidëve në Vlorë, Azis Binjaku: “Ne për kryetarin jemi biznesi i tij personal”
Në Vlorë janë 2000 invalidë, ku përfshihen të gjitha kategoritë si paraplegjikët, të verbëritë, invalidët e punës dhe kështu me radhë. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, sekretari i Shoqatës së Invalidëve, Azis Binjaku tregon problemet duke filluar nga transporti i invalidëve që është një gozhdë e përhershme. “Nuk na respektojnë as shërbimi privat urban, as ai publik. Ne paraqesim librezën e invalidit, por fatorinot dhe shoferët e shërbimit urban na thonë se nuk vlejnë. Duhen rinovuar çdo vit. Në të vërtetë është vërtetimi i kempit që tregon se është invalid, por ata e shpërfillin. Këtë problem ia ngritëm ish-ministrit të Brendshëm z. Nishani, që ia përcolli shqetësimin prefektit, ky ia dërgoi bashkisë dhe gjendja është po ajo. Kërkesë i kemi bërë edhe Ministrit të Transporteve dhe Ministrit të Punëve dhe çështjeve sociale, që jo vetëm nuk e kanë vënë në lëvizje shqetësimin tonë, por as kanë marrë mundimin të na përgjigjen”, tha Binjaku.
Çfarë lehtësira të tjera u janë dhënë invalidëve në bazë të paketës ligjore mbi aftësinë e kufizuar?
Asnjë lehtësi, nuk është zbatuar asnjë dispozitë, madje të verbërve, paraplegjikëve ju hoq edhe dhënia falas e impulsive të telefonit dhe energjia. Pra, invalidët në Shqipëri me gjithë kufizimet që u ka dhënë natyra, apo gjatë jetës e në punë, konsiderohen njësoj si njerëzit e aftë.
Po pushteti vendor çfarë ndihme u ka dhënë invalidëve?
Kemi bërë kërkesa, por nuk na janë përgjigjur. Kësisoj kemi kërkuar që invalidët të punësohen në kioska, kuptohet duke zbatuar procedurat ligjore, në mënyrë që të nxjerrin një përfitim dhe të mos i bëhen barrë familjes, por kjo nuk na ka ndodhur.
Ka një dispozitë ligjore që shprehet se në 24 punëtorë, në një ndërmarrje, apo shoqëri, njëri duhet të jetë invalid. Sa është zbatuar kjo në Vlorë, sa invalidë kemi të punësuar?
Kjo nuk ka ndodhur, as e përfill kush këtë ligj, madje do të thosha që edhe atje, ku kanë qenë prej vitesh në punë, me një profesion dhe përvojë shumëvjeçare, invalidët janë pushuar nga puna, janë hedhur në rrugë të madhe.
Keni ndonjë rast konkret?
Po, mund të përmendim sektorin e naftës, ku janë pushuar 10 invalidë, që kishin profesion dhe përvojë. Është e kotë të kërkojmë që të zbatohen dispozitat ligjore që janë miratuar për këtë kategori shoqërore, ato janë miratuar në litër, por asnjëherë nuk janë në funksion të tyre. Do t’ju përmend një rast. I shkruam një kërkesë Kryeministrit Berisha dhe kërkuam që ata invalidë, kudo ndodhen, që kanë kërkesa për një vend, që të ngrenë një kioskë, tua japin falas, është një lehtësi, por kërkesa jonë nuk mori asnjë përgjigje me dy rreshta.
Çfarë ka menduar të bëj më tej shoqata?
Shoqata e Invalidëve të Shqipërisë me Avdulla Omurin, ka falimentuar, sepse nuk kemi parë që t’u vijnë në ndihmë invalidëve thjeshtë dhe vetëm për të zbatuar ligjit që janë miratuar për këtë kategori shoqërore. Nuk janë parë as kur ka një fatkeqësi në familje, apo ka ndërruar jetë invalidi, të vijnë njerëzisht të pinë një kafe.
I keni ngritur këto probleme me masën e invalidëve?
Kush i takon invalidët? Omuri deklaroi në një konferencë në Vlorë se: “Invalidët janë biznesi im personal”. E kemi dëgjuar me veshët tanë, madje mund të bisedoni me Enver Qamon, që është i punësuar në Prefekturë.
Nëse është kështu, përse nuk vendosni ta largoni si kryetar shoqate?
Kush do të vendosë, ai kryetarët nëpër qytete i emëron, nuk zgjidhen, kontakt me masën e invalidëve nuk bën, sidoqë paguajnë kuotën dhe duhet të votojnë e ngrenë shqetësimet që kanë. Ai u përball në gjykatë me kryetarin e Kontrollit të Revizionimit të Shoqatës në Fier dhe padrejtësisht e fitoi gjyqin me të. Kështu bëri me zëvendësen e tij, Daie Kurti, e hoqi edhe atë. Ndërsa nëpër qytete ai ka vendosur njerëzit që i binden. Për të kuptuar shqetësimin që ka Omuri dhe të emëruarit e tij, shiko situatën në të cilën ndodhen invalidët në Shqipëri. Pra edhe në këto shoqata, ku dominon dhimbja, bëhen klane, shpërdorime në kurriz të kësaj kategorie fatkeqe.