Shkodër, qëllon me armë në drejtim të një lokali, kërkohet nga policia

115
Sigal

Një person për të cilin policia thotë se ende nuk e ka identifikuar ka qëlluar me armë në drejtim të një lokali  në Shkodër.

Ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë në lagjen “Qemal Stafa”.

Sipas burimeve një person rreth 30 vjeç ka qëlluar me pistoletë në drejtim të një grupi fëmijësh 13- 15 vjeçarë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës “28 nëntori”, në qendër të qytetit të Shkodrës. Personi, i cili lëvizte me biçikletë, është afruar pranë vendit të quajtur “Lapidari” ku po rrinin fëmijët dhe në rrethana të paqarta, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre.

Fatmirësisht fëmijët kanë pikasur personin dhe janë larguar me shpejtësi. Plumbi fatmirësisht nuk ka prekur asnjë nga fëmijët, teksa ka përfunduar në pjesën e pasme të një kondicioneri në një lokal aty afër.

Sipas burimeve ky person, ka goditur me qytën e pistoletës një nga fëmijët.

Ashtu siç ka ardhur me biçikletë, personi rreth 30 vjeç është larguar.

Deklarata

Rreth orës 18:00 në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku është dëmtuar vetrata e një lokali aty afër dhe më pas është larguar.

Nga të shtënat  nuk ka persona të lënduar.

Nga veprimet paraprake hetimore të kryera nga grupi hetimor në vendngjarje është gjetur një gëzhojë.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit.