Familjarët e fëmijëve në Siri protestë përpara kryeministrisë: Shteti të mos i braktisë, janë në prag vdekje

305
Sigal

Pasditen e sotme në Tiranë është zhvilluar një protestë përpara kryeministrisë.

Qytetarë të shumtë, përfshi të afërm dhe familjarë të fëmijëve që kanë mbetur në kampet siriane kanë bërë thirrje drejt kryeministrisë që shteti t’i kthejë ato tek familjet e tyre.

Organizatorët e protestës shprehen se janë plot 51 fëmijë që jetojnë atje në kushte çnjerëzore.

Me pankarta në duar, ata kërkojnë që shtetit të marrë masa dhe të rikthejë fëmijët pranë familjeve të tyre.

‘Janë 51 fëmijë që rrinë atje në prag të vdekjes. Familjarët kanë 6 vjet që derdhin lot për humbjen e të afërmve të tyre.

Këta fëmijë nuk mund të bëhen turpi i Shqipërisë. Qeveria duhet ti rikthejë ata fëmijë dhe të mos i braktisë,” është shprehur imami Ylli Gurra.

Ndërkohë policia u ka kërkuar protestuesve të shpërndahen, pasi protestat dhe grumbullimet janë të ndaluara në kohë pandemie.