Shkodër, lirohet drejtori i Tatimeve

478
Sigal

Gjykata e Shkodrës liroi drejtorin e Tatimeve, Hysen Hysajn, i cili u arrestua më 13 qershor. Gjykata dha masën detyrim paraqitjeje për Hysajn, i cili u arrestua të hënën pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Drejtori dyshohet se ka kredituar në mënyrë të kundraligjshme 10 milionë lekë të reja si TVSH për një subjekt tregtar.

Prokuroria e rrethit bën të ditur se administratori i kësaj kompanie është djali i motrës së drejtorit dhe se kompania e tij kishte humbur të drejtën e rimbursimit të TVSH-së.  Në bazë të legjislacionit fiskal, kompanitë që importojnë mallra nga jashtë për efekt të biznesit duhet të paguajnë detyrimet doganore para se të përfshihen në skemën e rimbursimit të TVSH-së.

Në rastin konkret, shoqëria nuk e ka shlyer detyrimin doganor për disa blerje në vitin 2012 dhe ndërkohë ka bërë kërkesë për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.  Nga ana e administratës tatimore rezulton se nuk është kryer asnjë verifikim për kërkesën e subjektit, si edhe nuk është ushtruar kontroll mbi aktivitetin e tij. Po ashtu, subjekti nuk është shpallur debitor nga administrata tatimore për borxhin doganor.

Pavarësisht këtyre mosveprimeve të administratës tatimore, nga ana e Prokurorisë së Shkodrës janë krijuar dyshime të arsyeshme se drejtori rajonal i Tatimeve ka favorizuar subjektin tregtar, duke i rimbursuar në mënyrë të kundraligjshme 10 milionë lekë të reja.