Petrit Vasili: PD t’i kërkojë Brukselit të shprehet për draftin 88 të Venecias

531
Legjitime e ka konsideruar Lëvizja Socialiste për Integrim garancinë që kërkon Partia Demokratike për moskapjen e sistemit të drektësisë. Në një komunikim me mediat, zv.Kryetari i LSI-së, Petrit Vasili, njëherëz edhe Kryetar i Grupit Parlamentar të kësaj partie, theksoi se Partia Demokratike duhet t’i kërkojë në mënyrë të qartë Bashkimit Europian në nivele më të larta në Bruksel të shprehen lidhur me pretendimet e saj për zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, dhe të kërkojë e të gjejë një zgjidhje të pranueshme me mazhorancën për të vetmen çështje që e pengon konsensusin. Një tjetër kërkesë, zv.Kryetari i LSI-së e kishte për Bashkimin Europian, në mënyrë që ky i fundit të japë garanci të qarta se në momentin e miratimit të Reformës në Drejtësi edhe pa konsensusin e opozitës, Shqipërisë do t’I hapen negociatat. “Nëse BE dhe opozita nuk dakordësohen për këtë çështje dhe për një zgjidhje të pranueshme për të gjithë spektrin politik, pra për të gjithë ato forca politike që kanë përgjegjësi dhe që do të marrin përgjegjësinë e madhe për ta votuar reformën pa opozitën dhe për të gjetur sigurisht edhe vota të ndershme, individuale për të plotësuar ato vota që kërkohen në Parlament për ta votuar këtë reformë, përpara se të bëjnë një veprim të tillë është e nevojshme, e domosdoshme, është një detyrim madhor që Bashkimi Evropian në nivelet më të larta institucionale në Bruksel do të duhet të na garantojë, që megjithëse ne do ta ndërmarrim këtë hap të njëanshëm, pra do t’i hapim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE edhe nëse dialogu politik do të ndërpritet.

 Pasi ky veprim i njëanshëm e çon në ndërprerjen e dialogut politik. Këto garanci janë të domosdoshme pasi bëhet fjalë për hedhjen e një hapi shumë të rëndësishëm, ndaj të cilit ne duhet t’i japim garanci të plota shqiptarëve që po ndërmarrim këtë pasi kemi edhe garancitë që ky hap do të çojë në një hap tjetër shumë të rëndësishëm, siç është ai për hapjen e negociatave, pra për ecjen përpara të procesit të integrimit europian në mënyrë të sigurt”, u shpreh Vasili. Për zv.Kryetarin e LSI-së është e domosdoshme që opozita të kërkojë nga BE të shprehen për pretendimet e saj, pasi Komisioni i Venecias është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të pranuara të reformës, apo ndryshe siç thuhet me termat e rinj të ditëve të fundit të përcaktojë pra vijat e kuqe të reformës. “Meqenëse siç është thënë dhe vazhdon të thuhet nga BE në mënyrë të veçantë në Tiranë se Brukseli ka vendosur vija të kuqe mbi vijat e kuqe të Venecias, vlerësoj se duhet dhënë fund përsëritjes së vazhdueshme të të njëjtave konferenca shtypi, të cilët në distancë ruajnë të njëjtat distanca dhe të njëjtat dallime dhe diferenca të mëdha e të pakapërcyeshme”, tha Vasili. Sipas tij, LSI mbështet edhe mbajtjen e një referendumi për miratimin e Kushtetutës, pasi në këtë mënyrë, duke iu drejtuar shqiptarëve për shkak se opozita shqiptare në mënyrë të njëanshme edhe duke u zbatuar rekomandimi 88 përsëri nuk do ta jepte dakordësinë e saj, referendumi do të ishte një instrument normal kushtetues për të ecur përpara me miratimin e reformës.
Sigal