Shkodër, 500 fidanë kanabisi në afërsi të lumit Drin, policia vihet në ndjekje të kultivuesve të drogës

116
Sigal

Një parcelë me bimë narkotike është zbuluar në Vaun e Dejës, Shkodër.

Mësohet se uniformat blu kanë zbuluar një ambient të hapur ku ishin mbjellë në kubikë rreth 500 fidanë kanabisi, të cilat më pas janë asgjësuar me anë të djegies.

Ndërkohë, policia është vënë në ndjekje të autorëve të cilët kishin kultivuar këtë parcelë.

Njoftimi i policisë:

Vau i Dejës, Shkodër/Vijon kontrolli i territorit për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për kultivimin të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Ashta”. Operacioni, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara nga strukturat e DVP Shkodër dhe të komisariateve në varësi, për goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Si rezultat i kontrolleve me dron, zbulohet një ambient i hapur ku ishin mbjellë në kubikë, 500 fidanë narkotikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, si rezultat i kontrolleve me dron, të zhvilluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Ashta”, kanë konstatuar në fshatin Ashtë, Shkodër, përgjatë bregut të lumit Drin, një ambient të hapur (pronë publike), ku ishin mbjellë në kubikë, rreth 500 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Një pjesë e vogël e fidanëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies. Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe ato të komisariateve në varësi, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.