Shkatërrimi i kalasë së Beratit, një tjetër humbje për monumentet tona kulturore

1006
Qyteti i Beratit edhe pse i mbrojtur nga UNESCO, përsëri ka shumë probleme në lidhje me gjendjen që paraqitet në kalanë e këtij qyteti, e cila është thuajse shkatërruar. Por shkatërrimi i vlerave historike të këtij qyteti, nuk është duke ndodhur vetëm në brendësi të kalasë, por edhe në shumë rrugica që të çojnë në drejtim të kalasë, të cilat janë plotësisht të amortizuara, për shkak të mungesës së financimeve nga ana e shteti dhe hartimit të planeve nga ana e Ministrisë së Kulturës. Edhe pse projektet e aplikuara në këtë qytet, si nga ana e qeverisë, Bashkisë së Beratit apo dhe financime të tjera, të ardhura në formën e fondeve nga organizata dhe institucione të huaja, për të rregullimin e ndërtesave të vjetra, rrugëve me kalldrëm, apo dhe kalasë, nuk kanë munguar, përsëri ato nuk kanë qenë të mjaftueshme, aq sa për të mbyllur plotësisht disa probleme, që janë emergjente për këtë zonë, e cila po shkon drejt degradimit total Ky qytet, si dhe kalaja e tij, vuajnë prej shumë vitesh një investim të mirëfilltë, për të bërë rregullim e plotë të kësaj pjese me vlera historike të qytetit. Gjendja që paraqitet brenda kësaj kalaje, të bën të mendosh se shumë shpejt, kjo kala do kthehet në gërmadha. Braktisja që i është bërë kësaj pjese të veçantë të qyteti, të bën të ndihesh keq, pasi muret e kalasë së Beratit i kanë mbuluar ferrat dhe barishtet, duke bërë që këto të fundit të mos duken, apo të zhduken nën dhe. Shembja e disa mureve, kanë prishur strukturën e vjetër të kalasë. Projektet e reja, më shumë kanë prishur imazhin e kësaj ndërtese historike, sesa e kanë rregulluar, pasi restaurimet nuk janë bërë ashtu siç duhet, duke prishur strukturën origjinale të mureve apo ndërtesave brenda kalasë së Beratit. Investimet që janë bërë për ndriçimin e rrugëve të kalasë para disa kohësh, që kapnin vlerën e 2 milionë eurove, nuk janë bërë siç duhet, sepse sot, më shumë se gjysma e këtyre ndriçuesve nuk punojnë, duke bërë që errësira në orët e vona të natës, të mbulojnë bukurinë e kësaj kalaje. Për këtë zonë një tjetër problem është dhe furnizimi me ujë, i cili është i kufizuar me orare, duke bërë që banorët e kësaj zone të vuajnë çdo ditë mungesën e ujit të pijshëm. Të gjitha këto probleme, por dhe shumë të tjera, të cilat rëndojnë mbi historinë e këtij qyteti dhe ndërtesave të vjetra të vjetruara, vijnë jo nga vitet, por nga mungesa e investimeve, të cilat kanë bërë që turistët, të cilët vizitojnë këtë zonë, që nuk janë të paktë në numër, të mos mbeten të kënaqur, por të ndihen të dëshpëruar për shkak të mirëmbajtjes së këtyre monumenteve me vlera historike, të cilat koha po i shkatërron plotësisht. Thirrja që i bëhet Ministrisë së Kulturës, por dhe qeverisë shqiptare, është ajo e ndërhyrjes në mënyrë të menjëhershme, për të bërë të mundur evitimin në kohë të shkatërrimit total të kësaj kalaje dhe të rrugëve me kalldrëm, pasi shkatërrim i këtyre vlerave historike, do të çonte në një dështim të radhës për vendin tonë, ashtu siç ka ndodhur me shumë zona të tjera të mbrojtura, të cilat sot për fat të keq nuk ekzistojnë më. 
Sigal