Elbasan, 28 fshatra pa ujësjellës dhe ujë të pijshëm

576
Mbi 28 fshatra në qarkun e Elbasanit prej vitesh janë pa bulën e ujit të pijshëm. Edhe pse prej vitesh janë hedhur miliona lekë për gjoja “ndërtimin e ujësjellësve”, duket se lekët kanë mbushur xhepat e ish-kryekomunarëve dhe ndërtuesve që kanë fituar tenderat, kurse banorët e fshatrave mbushin ujë me gomerë si në mesjetë. Fshatrat e zonës së Gjinarit, Funarit, Labinotit Mal, Gracenit, Belëshit, apo dhe shumë fshatra të ish-komunave të tjera, gjenden prej kohësh pa ujë, pavarësisht se de facto “ujësjellësit e tyre janë ndërtuar”, por që realisht atje mungojnë qindra metra tubacione, motopompa, madje po shemben edhe godinat e depozitave të ujit, që brenda janë bosh. Banorët e fshatrave pa ujë, shpresën e fundit e kanë tashmë tek Bashkia e re, e cila prej shtatorit 2015, ka nën administrim gjithë ish-komunat e Elbasanit. Mungesa e ujit tek dhjetëra fshatra dhe tek mbi 35 mijë banorët e tyre, ka sjellë degradimin e gjithçkaje, të jetesës së tyre, dhe zhvillimin e atij pak biznesi, të cilin banorët e atyre zonave mundohen ta mbajnë në këmbë. Me qindra herë banorët e fshatrave të Elbasanit, kanë ardhur në Prefekturë dhe Këshillin e Qarkut, por asnjëherë nuk kanë zgjidhur problemin e tyre, duke marrë vazhdimisht premtime boshe. Banorët e 28 fshatrave që jetojnë si në Mesjetë, të mbetur pa ujë të pijshëm, ndjehen të braktisur edhe nga deputetët e pushtetit, pasi edhe ata nuk janë takuar dhe nuk takohen qoftë edhe njëherë me votuesit e tyre. Mungesës së kanaleve vaditës, mungesës së tregjeve të shitjes së prodhimeve të stinës, u janë shtuar edhe shqetësimet e mungesës së ujit të pijshëm, produktit bazë të jetës. 
Miliona lekë kanë shkuar në xhepa pushtetarësh
Miliona lekë të dhëna nga qeveritë në vite, kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve dhe firmave mashtruese. Miliona lekë për ujësjellës, janë zhdukur pa nam e nishan, duke tharë për ujë të pijshëm dhjetëra fshatra e mijëra banorë. Madje paradoksi arrin deri atje sa, edhe në fshatra kodrinore dhe malore, ku nuk mungojnë burimet natyrale të ujit, mungon ai, duke detyruar banorët e atyre zonave të hapin puse si qëmoti apo dhe shpesh ta pësojnë me jetën e tyre këtë veprim. Prej 2 vitesh, asnjëherë nuk është dukur në fshatrat pa ujë, deputeti zonës, ministri apo ndonjë zyrtar i lartë vendor, ndërkohë që shpresa e fundit e tyre mbetet Bashkia e re, e cila ndoshta do t’u mundësojë ngritjen e ujësjellësve dhe zgjidhjen e problemit të vjetër. Banorët e Labinotit Mal, Gracenit, Gjinarit, dhe zonave të tjera shprehen se “ore nuk po duam qendra shëndetësore, sepse ato nuk i kemi prej 25 vitesh, apo kopshte, çerdhe e shkolla, por të paktën të kemi ujë të pijshëm, u thamë, po sëmuremi duke pirë ujin me pisllëqe, nuk ka javë të mos shtrojmë familjarët në spitale, nga infeksionet që marrin me ujin e puseve të ndotur, të ndërtuar si 70 vite para”. Situata e rënduar kërkon masa urgjente, kërkon projekte konkrete dhe premtime të mbajtura, pasi është një komunitet i konsiderueshëm, që jeton sikur të ishin në situatë lufte, dhe jo sikur të gjendeshin gjeografikisht në qendër të Shqipërisë. Ata banorë, kanë marrë boll premtime, kanë dëgjuar boll lajka dhe mashtrime nga kollarexhinjtë e Parlamentit, që u kërkonin votat, tani ka ardhur koha të shohin realisht ujin e pijshëm në lagjet dhe çezmat e tyre, ndryshe 35 mijë votat e tyre do të jenë “shuplakë” kundër në zgjedhjet e ardhshme. 
Sigal