Shirat e dendur shkaktojnë rrëshqitje gurësh në aksin Berat-Skrapar, vështirësi në qarkullim

214
Sigal

Shirat e rrëmbyeshëm dhe të pandërprerë, që kanë filluar që prej mesditës së sotme kanë sjellë problemet e para në aksin nacional Berat-Skrapar. Në fshatrat Vodicë dhe Fushë-Peshtan ka filluar rrëshqitja e gurëve në rrugë, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks.

Aksi Berat-Skrapar është një aks nacional me shumë kthesa dhe i pandriçuar, gjë që jo vetëm sjell vështirësi në qarkullimin e mjeteve kur në rrugë ka prezencë të shtuar gurësh duke u shndërruar edhe në burim aksidentesh. Shkëputja e gurëve nga faqja kodrinore përgjatë këtij aksi gjatë stinës së dimrit, vijon të jetë një problem i pazgjidhur prej vitesh, edhe pse drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës janë ankuar shpeshherë.

Rënia e gurëve ka sjellë dimrin e vitit të kaluar edhe rrëshqitje të masiveve gurësh të mëdhenj, që fatmirësisht nuk kanë rënë mbi mjetet në ecje. Prej vitesh është folur për një projekt, siç është rrethimi i zonës kodrinore me rrjeta metalike por projekti nuk është hedhur asnjëherë në letër. Situata në këtë aks vijon të jetë e njëjta që prej 1 ore, ndërsa pritet që punonjësit e mirëmbajtjes së bashkisë Poliçan për pastrimin e saj.