Kastriot Kotoni/ Turistët e huaj në Shqipëri

817
Të huajt Malësinë e Madhe e quajnë me emrin shumës “Alpet e Shqipërisë”, fjalë që po e përdorin edhe studiuesit tanë, të cilët e përsërisin shpesh nëpër hartat gjeografike e nëpër librat shkollorë. Është një gabim ky, por ne nuk kemi qëllim të merremi me këtë temë. Ne duam të theksojmë rëndësinë e madhe që Malësia jonë kreshnike paraqet para shkencëtarëve, të cilët, duke qëndruar mbi çdo çështje që i sjell ngatërresa njerëzimit me sentimentalizma e me fjalë të kota, janë apostujt më të shquar të afrimit midis popujve dhe më tepër të asaj vëllazërie njerëzore që bota rënkon të arrijë, për të shpëtuar nga çdo rrezik, qoftë ky material, intelektual apo spiritual. Studimi më i ri mbi Malësinë, i bërë prej shkencëtarëve, është ai i botuar në revistën Buletin i Shoqërisë Gjeografike Italiane, në Romë, ku shpalosen njëri pas tjetrit dy artikuj mbi Shqipërinë: 1. Vëzhgime të bëra gjatë një udhëtimi në Malësinë e Madhe më 1931, shkruar prej Z. Giovani Batista Florida; 2-“Gjurmë të periudhës së akujve në Malësinë e Pindit të Epirit”, shkruar prej Z. Aldo Setini. Revista në fjalë në numrin e saj të plotë, pothuajse i ka dedikuar vendit tonë, pasi të dy artikujt zenë 52 faqe. Ne do të flasim më poshtë për artikullin interesant të Prof. Florida-s mbi Malësinë e Madhe. Ky artikull do të ishte shumë i gjatë po t’a përktheje të gjithë, me raportet shkencore e shënimet që janë si përgjigje e studimeve dhe komenteve të mëparshme, me të cilat revista merret hollësisht. Nga ana e saj kjo na hidhëron, që për arsye vendi, nuk mund të përshkruajmë rëndësinë e madhe që kanë malet tona,si nga pikpamja shkencore, ashtu dhe nga pikpamja turistike e alpinistike. Për të dhënë një ide më të qartë mbi këtë cështje, duhet vënë në dukje fakti që mbushen dy shekuj, që Malësia e Madhe është bërë objekt studimi, me të famshin Novack, pa harruar dhe Madame de Cizancou. Instituti i Gjeologjisë së Milanos si dhe Ministira e Bujqësisë së Italisë krijuan një bazë të mjaftueshme të dhënash të cilat u kthyen në një kontribut të madh, për shkencëtaret. Lartësia e maleve, temperaturat e zonës në cdo stinë, bimësia dhe bagëtitë, apo shpeshtësia e dëborës, por mbi të gjitha mënyra e jetesës e mjetet e trasporti të banorëve si dhe etnologjia e pasur e maleve tona.
Si të ndihmohet sa më shpejt ekonomia shqiptare? Pse është i nevojshëm zhvillimi i turizmit në Shqipëri dhe si duhet zhvilluar?
Bilanci tregtar i Shqipërisë është jashtëzakonisht pasiv, aq pasiv sa pasiviteti i tij është dy deri tre herë më i madh se sa i gjithë eksportit shqiptar. Duke mos hyrë në bilancin e pagesave (i cili paraqitet edhe më i rëndë) vetkuptohet duhet me kërku një mjet që gjendja të përmirësohet. Në vështrim të gjendjes ekonomike së përgjithshme të saj, është e nevojshme që kjo mundësi të japë rezultate në një kohë sa më të shkutër. Është e vërtetë që qeveria shqiptare është përpjekë me i dalë përpara kësaj gjendje deri diku me mjaftë sukses, por qëllimi është gjithmonë larg e nevoja është shumë e shpejtë. Pas masave që duhen marrë për prioritetin e bujqësisë shqiptare dhe në krijimin e industrisë, nji prej mjeteve efikase, më i shpejtë e më i fuqishëm, padyshim është krijimi i turizmit. Shumë prej miqve të mi shqiptar më pyesin, po si ta zhvillojmë këtë turizmin. Për çdo veprim racional, ose me mirë me thënë, për çdo veprim që kërkon sukses nevojitet nji plan i studiuar mirë e me themel. Hapi i parë i këtij plani është zbërthimi i disa çështjeve të këtyre themeleve. Cilat janë themelet për turizëm? Fillimi dhe themeli për krijimin e cilitdo turizëm është në radhë të parë dora e njeriut. Prandaj, duhet më hetu para së gjithave nëse bukuritë natyrore dhe veprat e njeriut në Shqipëri janë me një pamje të përshtatshme për zhvillimin e turizmit shqiptar. Shumë shpesh ndigjojmë se Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore. Bukuritë natyrore. Një kuptim relativ ky. A thua se kjo bukuri do të japë diçka origjinale, diçka që ta tërheqi të huajin nga vendet e tjera. Mendoj se edhe mbi këtë pyetje, një pjesë e madhe mund të përgjigjet pozitivisht. Shqipëria ka male shumë të bukur e tërheqës, mes të cilëve dallohet me bukurinë e me formën e tij, vecanërisht Tomorri. Por edhe malet e tjera nuk rrijnë fort pas. Ka edhe lugina të bukura të thella, plot pyje, shkëmbinj dhe lumenj të këndshëm. Liqeni i Shkodrës në nji anë dhe liqenet e Ohrit e të Prespës, nga ana tjetër, bashkë me liqene të tjerë më të vegjël, krijojnë një atraksion turistik të klasit parë, të cilit i shtohet vlera kur merret parasysh se këto atraksione janë një pasuri e përbashkët krahasuar me një vend deri diku më të përparuar në turizëm, siç është Jugosllavija. Brigjet Shqiptare, në pamjen e pare, nuk paraqesin ndonji gjë tërheqëse, me përjashtim të bukurisë së egër të brigjeve të jugut prej Vlorës e tutje. Po kjo pjesë e Shqipërisë, që në pamje të parë, nuk duket interesante fshef në vend pasuri të madhe turistike e ndoshta, edhe një madem floriri të cilin duhet ta vemë në lëvizje për shfrytëzim. Aty kemi plazhet që nuk gjendjen në tërë Detin Mesdhe e ndoshta në tërë Evropën. Format e mrekullueshme, të prera dhe të ndarat e brigjeve jugosllave me ishujt e panumërt, fjordet me shkëlqimin e linjave të tyre dallohen në barabijte në bregun e cekët e të rrafshët të Shqipërisë veriore e të mesme. Ky breg, monoton në pamje të parë, me rërën e mëndafsht, me cektësinë e gjerësinë e madhe të tij jep plotësimin më të mirë të brigjeve të egra romantike të Kroacisë, Damalcisë e të Malit të Zi, nga ana e brigjeve të Shqipërisë së Jugut dhe të Greqisë. Nga ana tjetër forma e këtij duhet shfrytëzuar pa vonesë, që kështu, nga kjo zhvillohet dicka që në kohë të tjera të jenë më të mira se sa Ostenda,Lidosa e plazhet franceze të veriut. Por Shqipëria me liqenet e saj, lëndinat si dhe kodrat e saj fshehin shumë gjëra të tjera interesante e tërheqëse, të cilat natyra nuk i ka krijuar, këto janë vepër e dorës së njeriut. Duhen përmendur disa qytete piktoreske të zbukuruara e me famë si Shkodra kreshnike e me histori të vjëtër qysh prej kohërave të lashta, çerdhen e shqiponjës trime të Skënderbeut, Krujën, kryeqytetin e saj perëndimor e të ri Tiranën dhe vendet romantike të Shqipërië së Mesme dhe të Jugut, siç janë Korca, Berati e Gjirokastra.
Por nuk duhen përmendur vetëm qytetet e saj dhe vendet më të mëdha; aty kemi edhe gërmallat e kohës së vjetër e të mesme, në kulla e kala qytetesh[Butrinti,Pojani] e shumë monumente të tjerë, veçanërisht ndërtime artistike, si janë në rradhë e parë xhamitë edhe kishat e objekte të tjera akitektura të shekujve me influenca të ndryshme, të cilat duhen studiuar e zbuluar që të munden me u bë faktor i fuqishëm i turizmit shqiptar. Ndërmjet të tjerash një gjë, për evropianin e perëndimit e jo për ballkanasit, që ka interes është orienti ballkanik i yni, i cili në Shqipëri ka shumëformësinë e kulturave me një kolorit si askund në botë e me nji tolerancë fetare që sjell një dobi të vlerave morale e kombëtare.
Ndër majave të panjojtura të Dukagjinit
Iniciativa e një grupi turistik italian, që një vit më parë e kaluan verën majave të Cukalit, kah lindja e Shkodrës, i dha nji hov të shpejtë zhvillimit të turizmit shqiptar sidomos ndër këto anë. Grupe pas grupesh kanë ardhë këndej, me kërku naltësitë e afërta të Shkodrës si Bog, Rrazna në Vrithë, Theth, Pult etj. Gjithkush shijonte natyrën sipas mënyrës së vet, shumë shkruajtën për visaret e panjohura deri tani në alpet e veriut. Kujtimet e tyre entuziaste na gëzojnë edhe ne kur pamë se me çfarë zelli ndiqej turizmi, prej të gjitha klasave të shoqërisë, si punëtorë, zejtarë, studentë, zyrtarë, privatë, mësuesa por pa harruar ca grupe familjare që patën marrë guximin për herë të parë në Shqipëri me u ngjit në shtegun e Dhenve e më pas ne u drejtuan për nga Thethi, qendra e natyrshme e turistave. Të gjitha këto me arrdhjen e turistave të huaj, na japin shpresa më të mira, se në të ardhmen turizmi në Shqipëri do jetë një ekonomi e domosdoshme e me fitim. Një ndër grupet e një viti më parë mbrritën më 17 korrik në orën 4 të pasdites në Prekal, një katund me afro 229 frymësh, të pajisur me çadra kanopë, harta e aparate fotografikë e me altometra. Në këtë udhëtim 11 orësh kaluam së bashku me turistët italianë në Fushën e Shtojit, ku katundet e reja të hotjanëve e kosovarëve emigrantë japin një shembull të gjallë pune e përparimi në një tokë që përpara ishte djerrë. Në të aguar të ditës tjetër e lamë Prekalin e u drejtuam për nga Guri i Kuq i njojtur për një terren tepër të vështirë malor. Për një orë kalojmë bri Kirit tërthorazi maleve të veshura, ku agimin e ditës e shijojmë dyfish me ajrin e freskët.
Djalëria, fuqia organizuese e turizmit të ardhshëm Shqiptar.
Porsa afrohet korriku,vapa e madhe bëhet e padurusehme. Në Shkodër rinia përshpejton me veru në ndonjë breg deti apo në një cep të bjeshkëve. Edhe ndër ne nuk është gjë e jashtëzakonshme me pa undësa e tregëtarë të pasur e lekci, të dalin me veru në bjeshkë me kursimet e vitit, me kalu dy muaj larg zhurmave e laparisë. Ata që shkojnë drejt bjeshkëve kanë ngelë përherë të kënaqur. Këtu dal e gjej rastin me shkruajt për ca shqiptarë, që i kalojnë pushimet në vendet të huaja e kursimet e tyre i çojnë jashtë. Jashtë, na thonë, kemi komoditet e kushte më të mira se në Shqipëri, por disa dalin me shit mendë, edhe për marrinë me u duk se diçka janë që nuk ju mjafton komoditeti i vendit. Kjo është një kob e madhe. A thua lypset ndonjë komoditet i madh me kalu pushimet në alpet? Vëreni të huajt që kanë arrdh në këto anë, të cilët janë mësuar me një jetë më të rehatshme se e jona, udhëtojnë me këmbë prej vendeve të largëta, me ryçk-sachk-a të rëndë mbi shpinë për të vizituar bjeshkët krenare tona duke u bindur nga madhësia e bukurive të natyrës ndër vendet tona. E këta vijnë ndër bjeshkët tona me pak shpenzime e duke hequr keq ngjiten majave të thepisura deri tek dëbora e pashkrirë, nëpër sa e sa majave që ne nuk i dimë. Të huajt, në bazë të këtyre njoftimeve që kanë marrë prej këtyre udhëtimeve në vendin tonë, botojnë libra e artikuj duke përshkruar bukuritë e Alpeve të Shqipërisë, sa ne vetë nuk i njohim. Mund të thotë ndokush që ata janë mësuar ashtu me eskursione qysh në fimijëri.Turizmi ndër ato vende është pëhapur para disa vjetëve. Po, por ndërsa rrimë pa e organizu një punë përparimi, kurrë s’kemi për të pas guxim me u dhënë pas saj. Derisa përtacija të na pengojë në qytet, plot vapë e sëmundje, kurrë s’kemi me qenë të zotë me e shiju Turizmin, atë ëndje që çdo njeri, e sidomos çdo i ri e ka me e pa; vende e panorama të reja duke dominu kepa e maja, ku i duket njëri – tjetrit e pamundur me hip, ku këmba e njeriut nuk mundet me shklasë, posi dhi të egra e ku veç shqipja, mbreti hapësirave, munden të lëvizin lirisht. Kësaj shqipe djalëria shqiptare duhet t’ia ndjeki për tokë gjurmët, që kjo shkon duke fluturuar nëpër qiejt e lire e ku kthetrat e saja të kapen, aty ku këmba e djaloshit të qëndrojë pa u dridhë. Me iniciativë turizmi, bashkësitë e djemve aq të organizuar në shtete të tjera nën emrin boy-skauts. Kështu turizmi ka për të bërë këmbë edhe tek ne. Me një ndihmë të pakursyer të shtetit, që të organizojë këtë çetë sa më fort, prej të cilës vijnë aq të mira si në përparimin e vendit edhe ashtu dhe në dobinë ekonomike të tij. Këtej nevojave një klubi turistik shqiptar me udhëheqësa e me njerëz sa më të zellshëm të tërheqin vëmendjen e të huajve që vizitojnë Shipërinë krenare duke filluar më parë me frymëzimin e Djalërisë shqiptare me dëshirën e ëndjen e lëvizjeve turistike. Kjo Djalëri duhet të shohë të ngulur në secilën majë arbërore stemën e klubit ngjitur me emblemën e gjallë tonën. Flamurin tonë të shenjtë të thotë: “Shqiptari është me të vërtetë “Zogu i Shqipes.
Sigal