Shezai Rrokaj: Kjo maxhorancë nuk ka arsye ta gjejë armikun brenda vetes

626
Prof. Dr. Shezai Rrokaj, kryetari i LSI Tiranë, në intervistën për gazetën “Telegraf” shpreh mendimin se kryeministri duhej të ndodhej pranë qytetarëve që u përmbytën në Jug, që të prekë nga afër problemet, që t’u japë zgjidhje, sa ato të mos rëndohen edhe më shumë. Prof. Rrokaj shpjegon se LSI është në rritje dhe në 2017 do të përmbysë raportet politike të deritanishme, sepse LSI është pranë qytetarëve, ndërsa shteti mungon. LSI është gjithnjë e interesuar që t’u zgjidhë problemet, që nga lidershipii saj, Ilir Meta. Por, kjo konkurencë brenda së Majtës, thotë Prof. Rrokaj, nuk duhet të krijojë xhelozi te PS dhe kjo maxhorancë nuk duhet ta kërkojë armikun e saj në rradhët e veta, duke bërë aludimin e qartë, që PS të mos e kërkojë armikun e humbjes të elektoratit të saj te rritja e LSI në të Majtën shqiptare. 
-Prof. Rrokaj, pas përmbytjeve në Jug, e sidomos në Vlorë, a duhej të shkonte pranë qytetarëve në nevojë edhe kryeministri, për më tepër që është edhe zona e tij elektorale?

– Djemtë tanë, me djersën e tyre në fushën e futbollit, e çuan Shqipërinë në Europë, më përpara se politika dhe ishte shumë e rëndësishme që kryeministri ynë t’u kushtonte vëmendje. Natyrisht, gjykoj që kryeministri, që mban peshën kryesore të shpresës dhe të vendimmarrjes në funksionin qeveritar, duhej patjetër që shkojë dhe t’i prekë nga afër problemet dhe t’u japë zgjidhje sa më të shpejta, në momentin e duhur, sepse problemet nuk duhen të agravohen, të rëndohen, pasi pritet që të ketë edhe rreshje të tjera. Është në detyrimin e një kryeministri të përgjigjet të gjitha problematikave që ka vendi, edhe mirëpritjen e Kombëtares, por edhe problemeve që kanë qytetarët tanë në zonat e përmbytura. 
– Prof. Rrokaj, tashmë është fakt i pakundërshtueshëm, që në marrëdhëniet PS-LSI, sidomos në pushtetin vendor ka çarje, jo thjesht mosmarrëdhënie individësh të caktuar. Mos vallë kjo vjen ngaqë PS shikon tkurrjen e elektoratit të saj dhe rritjen e LSI brenda së Majtës?

– Kjo nuk është një dukuri që është shtrirë në të gjithë pushtetin vendor, në të gjitha strukturat, në të gjitha qarqet. Në bashki të caktuara, në qarqe të caktuara, sigurisht gjërat nuk mund të shkojnë vaj. Të mos harrojmë që PS dhe LSI janë dy parti të ndryshme.
– Por janë të të njëjtit elektorat, të së Majtës…

– Janë të së njëjtës së Majtë, por secila parti shikon elektoratin e vet. Detyrimisht, në bazë, aty ku lëviz elektorati, ka dhe lindin problematika, konflikte, sepse njerëzit janë konkretë. Unë e përjashtoj, absolutisht se ka një dirigjim nga lart nga ana e LSI, për të krijuar një çarje në marrëdhëniet LSI-PS në bazë. Por, natyrisht, lidershipi politik duhet të ndjekë me vëmendje mënyrën sesi bëhet fushata, në mënyrë që kohezioni i partive politike të Majta të shkojë në vullnetit të plotë të bashkëjetesës dhe bashkëqeverisjes, sepse nëse nuk nxirren mësime nga sjellje të caktuara të anëtarëve dhe të deleguarve, të cilët përpiqen të bëjnë politika të ndryshme nga ato të udhëzimeve të lidershipit, ndaj këtyre njerëzve duhen mbajtur qëndrime politike të caktuara. 
– Mos vallë të zgjedhurit vendorë kanë nxitje të prishin marrëveshjen e kualicionit PS-LSI nga deputetët dhe koordinatorët e PS në ato qarqe?
– Nuk përjashtohen edhe raste të kësaj natyre, por në të gjitha rastet kur ka një problematikë të tillë, lidershipi, që ka deleguar deputetin, koordinatorin e partisë, duhet të analizojë se humbja e LSI në një zonë është po aq humbje e PS. Ne nuk mund ta tjerrim dhe trajtojmë partinë si pronë vetiake, kur shkojmë në bazë. Ka një koncept politik të bashkëjetesës politike nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, patjetër që lidërshipi politik duhet të jetë shumë herë më i kujdesshëm në zgjedhjen e figurave që janë e krijojnë integritet në komunitet. 
– Në disa qarqe është bërë publike, që koordinatorët dhe deputetë të PS kanë dhënë urdhër të verifikojnë nga çdo i punësuar, përkatësinë e tij partiake. Ju nuk dini asgjë?

– Unë nuk e kam këtë informacion. Nuk shikoj arësye që ne të spiunojmë njëri-tjetrin. Duhet që të mbajmë sa më larg trusninë politike nga emërimet në administratën publike, që kërkojnë të zëvendësojnë njeriun e njeriun e meritës, njeriun profesionist me njeriun militant. 
– Prof. Rrokaj, ka një ftohje midis PS-LSI, që tashmë nuk mund të mohohet. Shkaqet janë politike, personale?

– Unë nuk mund të them që ka një ftohje PS-LSI. Mund të kenë grupe dhe qarqe të interesuara, që investon për të krijuar një përplasje midis PS-LSI. Fakti që ka një ftohje, ka një krisje dhe gjithë kjo tymnajë, u shpërnda, kur doli kryeministri dhe kryetari i Kuvendit dhe mohuan krisjen. Unë jam që ky kualicion të funksionojë për të mirën e shqiptarëve, unë them që energjitë të shpenzohen pozitivisht, sesa të harxhojmë energjitë se cili ministër do iki dhe cili do vijë. 
– Kjo krizë ekonomike, a është përgjegjësi e kësaj qeverisjeje?
– Asnjëherë nuk është vonë për të ndërmarrë politika më të drejtpërdrejta, më dinamike, me efekt të menjëhershëm, që përmirësojnë kushtet e shqiptarëve.
-Mos vallë masat e qeverisë, kundër informalitetit, politika fiskale, janë në drejtimin e kundërt, derisa kriza thellohet?

– Në parim LSI mbështet konceptin e formalizimit të ekonomisë.Por, LSI mbështet edhe parimin që ky formalizim i ekonimisë të vijë nga sipër deri poshtë, që të mos jetë selektiv dhe të shtrihet në të gjitha drejtimet që e bëjnë qytetarin të përgjegjshëm ndaj shtetit, ndaj të drejtave dhe detyrave. Jemi kundër ndaj orientimit të sektorit tatimor, më shumë ndaj shtresave vunerabël, që janë ambulante, ose të ashtuquajtur biznes familjar i vogël, por duhet të jetë ballor, që nga biznesi më i madh, që është mbartësi kryesor i gjithë detyrimeve tatimore që mbushin arkën e shtetit dhe të mos fillojë nga fshatari që sjell e shet 2 tufë me qepë. 
– Pse Ilir Meta është në qëndër të akuzave, të cilat më vonë, bëhen tymnajë?

– Ilir Meta dhe LSI ç’faj kanë që rriten nga një proces elektoral te tjetri! LSI dhe Ilir Meta asnjëherë nuk kanë ndërtuar politika që të rriten në elektorat, duke goditur lidershipin e partive kundërshtare. Partitë i matin fuqitë në fushata elektorale, ku në ato LSI po gjen përherë e më shumë mbështetje. Dhe kjo, detyrimisht krijon një politikë xhelozie, te PD dhe PS. Në 2017 është shumë e qartë, që LSI do të përmbysë renditjen politike të deritanishme. 
Sigal