Shëndeti i qytetarëve peng i korrupsionit me koncesionet

221
Sigal

Drejtoritë e spitaleve urdhërojnë ndërprerjen e analizave të pacientëve dhe të urgjencës, pasi nuk kanë më para për të paguar koncesionarin e laboratorëve. Denoncimet therëse të pacientëve: Në spital më morën 5 mijë euro dhe më thanë s’kemi ç’të bëjmë, ndërsa një i ri 31 vjeçar u la pa shërbim dhe për pasojë humbi jetën

Bllokohet shërbimi i analizave, shëndeti i qytetarëve peng i koncesionarëve

Prej nëntorit të vitit 2021, Spitali i Beratit ka paguar mbi 350 milionë lekë kompanitë koncensionare “Laboratory Netëork” për kryerjen e shërbimeve laboratorike për pacientët. E, megjithatë, ka urdhëruar pezullimin e pjesës më të madhe të ekzaminimeve, përfshirë edhe ato të Urgjencës

Drejtoria e Spitalit të Beratit ka urdhëruar pezullimin e pjesës më të madhe të analizave laboratorike, pasi ka ezauruar fondin për të paguar laboratorin privat që ka fituar koncesionin e ministrisë së Shëndetësisë. Ndonëse paratë janë paguar për disa muaj kompania koncesionare ka reduktuar shërbimin e ekzaminimeve, përfshirë edhe ato të urgjencës. Shkak për këtë pezullim është bërë plotësimi me 75% i tavanit buxhetor mujor, pavarësisht se kompania koncensionare është paguar me mbi 350 milionë lekë të vjetra nga muaji nëntor.

Prej nëntorit të vitit 2021, Spitali i Beratit ka paguar mbi 350 milionë lekë të vjetra kompanitë koncensionare “Laboratory Network” për kryerjen e shërbimeve laboratorike për pacientët.

E, megjithatë, në mesin e muajit mars të këtij viti, drejtoria e spitalit të qytetit ka urdhëruar pezullimin e pjesës më të madhe të ekzaminimeve, përfshirë edhe ato të Urgjencës, për shkak të paaftësisë financiare.

Drejtoresha e Spitalit, Anila Kala, ka kërkuar pezullimin e të gjithë analizave laboratorike gjatë marsit për pacientët ambulantë ditorë në shërbimet e poliklinikave dhe në spital.

Sipas urdhrit, do të kryhen analiza laboratorike vetëm për një numër tepër të kufizuar të pacientëve të Urgjencës, ndërsa të tjerët do të ekzaminohen në muajin prill.

Ky vendim ka ardhur për faktin që është plotësuar sasia prej 75 përqind e Tavanit Buxhetor mujor të parashikuar dhe analizat e domosdoshme për qytetarët do të kryhen në muajin prill.

Kontrata koncensionare ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë private “Laboratory Network”, e cila sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është lidhur në mënyrë të paligjshme dhe duhet anuluar, parashikon hapësira për ofrimin e shërbimit edhe kur buxheti mujor për analiza i afrohet limitit të parashikuar. Sipas kontratës, në rastet kur arrihet 75 përqind e Tavanit Buxhetor mujor për faturat e Koncensionarit, ekzistojnë dy alternativa. E para: Shërbimet vijojnë të plota deri në faturimin e të gjithë buxhetit mujor .E dyta: Vijojnë vetëm shërbimet e Urgjencës, deri sa të arrihet 100 përqind e Tavanit Buxhetor. Madje, kontrata parashikon që edhe kur shpenzohet i gjithë buxheti mujor për koncensionarin e Laboratorëve, shërbimi i analizave nuk ndërpritet dhe faturat kalojnë për muajin pasardhës. Por, në rastin e Spitalit të Beratit, shërbimi i analizave është pezulluar në shumicën absolute të tij që në 18 Mars 2022, duke bllokuar ekzaminimet laboratorike për më së paku 2 javë.