Sërish grabitje në Qarkun e Elbasanit, vidhet biznesi

Grabitësit nuk ndalin vjedhjet në Bashkitë e Qarkut të Elbasanit. Vjedhja e radhës me thyerje është rregjistruar natën e fundit në qytetin e Belshit.

Burime konfindenciale bënë me dije se rreth orës 01.30, që gdhinte e enjte, dy persona të maskuar kanë vjedhur me thyerje një biznes, në anë të rrugës kryesore, pranë qendrës së këtij qyteti.

Sigal

Vjedhësit edhe në këtë rast nuk janë frikësuar aspak nga rënia e sinjalit të alarmit dhe kamerat e sigurisë. Pasi kanë vjedhur çfarë kanë mundur, personat me maskë e kapele janë larguar me automjetin që e kishin parkuar fare pranë biznesit, ku edhe kryen vjedhjen.

Policia ka dokumentuar ngjarjen dhe paraprakisht ka rënë në gjurmët e njërit prej dy autorëve të dyshuar të kësaj vidhje mjaft të mirëorganizuar. Nuk janë bërë të ditura nga policia detaje rreth kësaj vjedhjeje, si dhe nuk dihet vlera e mallit të marrë nga ky biznes prej vjedhësve me maska.

Një natë më parë nga vjedhës me maska në qytetin e Librazhdit u vodh me thyerje një supermarket dhe një market, ku kishte kamera të shumta sigurie dhe sinjal alarmi që u aktivizua.

Vjedhje të kryera në biznese me kushte sigurie kaq të mëdha duken të pabesueshme, por në Qarkun e Elbasanit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.