Sekuestrohen 2 ton naftë e kontrabanduar në Tiranë, arrestohet një 47-vjeçar

43
Sigal

Një sasi prej 2 ton naftë e kontrabanduar u sekuestrua nga policia në Tiranë, teksa në pranga përfundoi 47-vjeçari që e mbante naftën në një depozitë në banesë, me qëllim tregtimin e saj.

Operacioni i koduar “Diesel 3”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas tregtonte naftë të kontrabanduar, në banesën e tij, në Kashar.

“Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 47 vjeç, banues në Kashar, pasi në ambientet e jashtme të banesës së tij u konstatua një depozitë metalike, e mbushur me 2000 litra naftë, të dyshuara të kontrabanduara.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 47-vjeçari e mbante naftën e kontrabanduar, me qëllim tregtimin e saj”, tha policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.