Sekuestrohen 150 mijë € dhe mbi 160 mijë £ të fshehura në kamion në portin e Durrësit

116
Sigal

Policia ka sekuestruar në portin e Durrësit 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik.

Në pranga është vënë drejtuesi i kamionit që transportonte paratë nga Italia dhe tentoi t’i fuste ato në Shqipëri, nëpërmjet portit të Durrësit, pa i deklaruar.

Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në portin e Durrësit, falë inteligjencës informative për një shtetas që po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë të madhe parash në euro dhe në paund, kanë organizuar punën me qëllim goditjen e këtij rasti.

Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”