Sarandë, njësitë vendore ndërpresin shërbimet publike

515
Sigal

Merren masa të rënda për ata që nuk paguajnë taksat. Qytetarët: Jetojmë në kushte të vështira ekonomike   

Njësitë vendore ndërpresin shërbimet publike ndaj taksapaguesve jo korrekt. Kjo bëhet e ditur, madje publike nga administrata e njësive vendore, në hyrjet e të gjitha njësive vendore të n/prefekturës së Sarandë-Delvinë. Ky vendim unanim i të gjitha njësive vendore, vjen pas një situate kaotike të krijuar nga mospagesa e taksave vendore, kjo me vite të tëra, duke krijuar një ngërç ekonomik të funksionimit të pushtetit vendor. Kjo ka detyruar titullarët e këtyre njësive të marrin masën ekstreme ndaj mos taksapaguesve, duke ndërprerë çdo shërbim publik ndaj tyre, shërbim që kryhet nga njësitë vendore.

Shërbimet e ndërprera

Dhe këto shërbime nuk janë të pakta. Mund të përmendet vetëm shërbimi i zyrave civile me lëshimin e certifikatave se sa pengesë u sjell qytetarëve për procese të ndryshme të problematikës aktuale si, karta identiteti, probleme me gjyqësorin, me hipotekën, me policinë, me vet pushtetin vendor dhe disa shërbime të tjera të domosdoshme për qytetarin. Duket se vendorët janë të palëkundur, me tolerancë zero, ndaj këtij fenomeni. Drejtuesit e njësive vendore edhe njëherë u kanë bërë thirrje qytetarëve për korrektësi ndaj tatimeve dhe detyrimeve të tjera financiare ndaj pushtetit vendor, ndryshe do të mbeten pa shërbimin e këtyre njësive. Por vet qytetarët shprehen se, kjo vjen, jo vetëm nga kushtet ekonomike të diktuara nga kriza rajonale, por edhe nga një moskorrektësi nga ana e pushtet vendor, e pse jo edhe atij qendror.

Faktorët që ndikuan në marrjen e këtij vendimi

Ata përmendin një sërë faktesh që i kanë çuar në këtë situatë, apo më mirë të themi vendim i mospagesës së taksave vendore, pavarësisht se janë të ndërgjegjshëm se ato duhen paguar. Dhe faktet, apo më mirë argumentet e tyre vijnë rresht: mospagesa e asistencës që në disa njësi vendore nuk mbahet mend sa vite ka pa u marrë nga qytetarët, apo njësi vendore si Komuna e Lukovës që kërkon taksën e tokës, por ka bllokuar shteti dhënien e certifikatës së pronësisë, komunat e Livadhjasë, Alikos e Bashkia e Sarandës nuk ka politika për fermerët bujqësor në tregtimin e prodhimit të brendshëm, këtu mund të përmendet prodhimi i misrit që mbetet stok nga importi që vjen nga republikat e ish-Jugosllavisë. Komuna e Xarrës dhe Bashkia e Konispolit ka probleme me subvencionet e shtetit për mbjelljen e agrumeve dhe instalimin e rrjetit ujitës, ku sipas fermerëve ka patur selektim dhe ndarje të padrejtë dhe në fund problemi i kufijve dhe ndarja e kullotave.

Qytetarët

Të gjitha këto, qytetarët i përmendin teksa përballen me këtë vendim unanim të pushtetit vendor për ndërprerjen e shërbimeve publike. Ndërkohë që nuk janë kundër pagesës së tarifave, por kërkojnë përmirësim të situatës së lartë përmendur, pasi, sipas tyre, të kërkosh duhet të japësh dhe të japësh atë që ligji garanton. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, njësitë vendore janë të vendosura të mos tërhiqen nga vendimi i tyre, pavarësisht nga problemet që mund të krijohen, sidomos për emigrantët që do të vijnë për festat e fundvitit dhe do t’u duhet rifreskim dokumentacioni, apo shërbime të tjera publike, por edhe qytetarëve të tjerë që mund të kërkojnë shërbime publike, apo veprime bankare të çfarëdollojshme. Sipas burimeve nga njësitë vendore, kjo situatë do të zgjidhet vetëm pas pagesës së detyrimeve dhe korrektësisë qytetare do t’i përgjigjen me korrektësi zyrtare.