Sami Repishti – Veprimtari që luftoi për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës

443
Sigal

Thanas L. Gjika

Fjalimi në Kongresin amerikan në mbrojtje të Kosovës dhe Shqipërisë. Krijimi i shoqërisë “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. Vlerësimet e politikanëve amerikanë

(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar Profesor Sami Repishtit)

Vijon nga numri i kaluar

Me shaminë e bardhë i fshiu lotët dhe pasi kreu një frymëmarrje të thellë, disi i çliruar, filloi të fliste për bashkëvuajtësin Milto Lito.

Tha se me Milton nuk ishte njohur gjatë kohës së hetuesisë, sepse atë periudhë e kishin kaluar në kohë të ndryshme. Kishin qenë bashkë në kampin e Maliqit, ku punonin për tharjen e kënetës. Theksoi se Miltua ishte një burrë i urtë. Shihte punën e vet dhe nuk afrohej me njerëzit, nuk hapte kurrë muhabet. As ndihmë nuk kërkonte, gjithshka e zgjidhte vetë. Për shkak të karakterit të tij të tërhequr, Samiu tha se nuk kishte pasur rast të miqësohej me të.

Këtë mënyrë jete, Miltua e kishte zgjedhur për arsye se nuk donte të binte viktimë e informatorëve, të cilët ato që dëgjonin i raportonin në komandë, e komanda ua shtonte të dënuarve vitet e burgut. Për ta maskuar shkakun e vërtetë, Miltua thoshte se rrinte larg njerëzve sepse ishte miop i theksuar dhe u tregonte syzet me numur të madh duke thënë: “Po m’u thyen këto, nuk punoj dot. Njerëzit bëjnë lodra të ndryshme dhe syzet e mia janë prej qelqi e mund të thyhen.

Pastaj, Profesori, tregoi sesi mbas daljes nga burgu, u njoh me vëllain e Miltos, me doktor Spiro Liton, specialistin pneumatolog, të cilin e kërkoi për të vizituar kunatin, burrin e motrës së madhe, që vuante nga tuberkulozi, sëmundje shumë e përhapur në atë kohë për shkak të ushqimit të pakët.

Pasi doktori më la orën e vizitës, shtoi Samiu, i thashë në vend të lamtumirës: “Miltua asht mirë”. Ai hapi sytë dhe më pyeti: Ku e dini ju? E unë iu përgjigja: Këto ditë kam dalë prej asaj shtëpie. Mos keni merak se vllau juej asht shumë i kujdesshëm dhe nuk ka me pësue ndonji ridënim, ka me ardhë shpejt në shtëpi. Pasi e vizitoi kunatin dhe na dha këshilla si me e trajtue, më tha se donte të pinte kafe me mue dhe më porositi se kur ta shifsha te “Kafe e Madhe”të shkojsha e të ulesha te tavolina e tij, pa ça kokën se kush do t’ ishte me te. Mirëpo pas nja dy ditësh, kur po kaloja para Kafes së Madhe pashë Dr. Liton me shefin e Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Seitin, tue pi kafe. Ula kokën dhe u largova. Të nesërmen, Doktori ishte me do miq tjerë e un u futa mbenda. Sa më pa ma bani me dorë e un shkova u ula te tavolina e tij. Më pyeti për kunatin a kishte ndonji përmirësim dhe pastaj sqaroi se shefi i Degës së Punëve të Brendshme dhe sigurimsa të tjerë e qirasshin me kafe, sepse ia kishin nevojën për me ua kurue njerëzit e fisit të tyne. Mesa dukej më kishte pa ditën e maparshme kur kalova para kafes e nuk hyna mbrenda…

Më tej Johni e pyeti për familjen e fëmijët dhe Profesori sqaroi se familja e tij ka dy fëmijë, djalin Daren Repishti mjek të specializuar në radiologji, sot shef pavioni në spitalin Norton Louisville KY dhe vajzën Ava Safir ish-avokate pranë administratës së Major Giuliani-t, sot e kualifikuar si “nutritionist” punon për të ndihmuar pacientët në dietat ushqimore. Të dy kanë fëmijë të rritur, studentë e disa në marrëdhënie pune. Daren ka tre fëmijë: djalin Bryan, i cili ka mbauar Central College KY dhe punon si bankier, vajzën Julia që ka mbaruar Kentucky University për pedagoge e gjuhës angleze dhe vajzën e dytë Nicole studente e vitit të tretë në Ohio State University ku studion për histori e marrëdhënie ndërkombëtare. Kurse vajza Ava, ka dy fëmijë: vajzën Audrey, nxënëse në gjimnazin Laurenceville pranë Princeton University dhe djalin Alexander, student i vitit të tretë në Ridgefield Academy.

Ndjehemi plotësisht të bekuem, tha në fund profesori dhe shtoi, këtë apartament ku banojmë prej dhjetë vjetësh pranë vajzës, na e ka ba dhuratë djali.

Më tej u foli shkurt për pasionin dhe veprimtarinë e tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për krijimin dhe veprimtarinë e tij si anëtar i shoqërisë “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë” (RShKBL); si bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv (1986 – 1992) i shoqërisë American Albanian Civic League (AACL / Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane) me drejtues politikanin Dio Guardi; si bashkëkrijues dhe kryetar i parë (1996 – 1998) i shoqërisë lobiste Natcional Albanian American Council (NAAK), etj, veprimtari për të cilat ai më dha dhe disa materiale të shkruar.  Kur biseda po i afrohej fundit, zonja e shtëpisë, pa bërë zhurmë e pa rënë në sy, kishte shtruar te diningroom-i tavolinën me keke, fruta e pije freskuese e na ftoi të kalonim atje. Unë shfrytëzova rastin për të bërë disa foto, si kujtim.

Në ora 4:00 PM u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërisht gjatë pranverës së ardhshme…

Në Kongresin Amerikan kërkohet mbrojtja e shqiptarëve të Kosovës

Më 1948, mbasi J. B. Titua, udhëheqësi i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, u grind me J. V. Stalinin, udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, ShBA-të e mbështetën Jugosllavinë si një aleat të preferuar. Përmes ndihmave amerikane e të vendeve të tjera perëndimore në këtë shtet multietnik u përmirësua shumë gjendja ekonomike e vendit. Po ashtu u përmirësuan dhe marrëdhëniet midis popujve sllavë që jetonin aty. Mirëpo politika liberale e “bashkim-vllazërimit” që zbatohej midis popujve sllavë të kësaj federate, u zbatua në një nivel shumë të ulët ndaj shqiptarëve që u ishin dhënë padrejtësisht shtetit serb e atij malazes që më 1913-n. Populli shqiptar tashmë, brenda kësaj federate, jetonte i ndarë administrativisht si minoritet në Republikën e Sërbisë, në atë të Malit të Zi dhe në atë të Maqedonisë. Ishte krijuar dhe një krahinë e quajtur Krahina Autonome e Kosovës dhe e Metohisë, e cila përbënte një njësi administrative të varur drejtpërdrejt nga Republika e Serbisë. Në këtë krahinë shqiptarët, duke përbërë shumicën dërmuese, gëzonin disa të drejta më shumë se shqiptarët që jetonin si minoritet në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Me pak fjalë populli shqiptar në Jugosllavi shihej e trajtohej si popull i dorës së dytë, me të drejta më të pakta se popujt e tjerë të federatës, edhe pse ai ishte banor autokton në trojet e veta që nga koha e Dardanisë antike. Ai quhej dhe trajtohej si popull i ardhur prej Shqipërisë, me prapamendimin djallëzor që një ditë të dëbohej e të kthehej te vendi i origjinës… Sami Repishti mbas ardhjes në ShBA, prill 1962, filloi të merrej me përvetësimin e anglishtes dhe shkollimin e tij në universitet. Ende pa u bërë qytetar amerikan (American Citizen), ai filloi të interesohej për gjendjen e komunitetit shqiptar, u bë anëtar i Federatës “Vatra” dhe filloi të mendojë si të ndihmojë përmirësimin e gjendjes së popullit shqiptar që jetonte nën zgjedhën komuniste në Shqipëri dhe pjesës tjetër të tij që trajtohej si popull i dorës së dytë në Jugosllavi. Në prill të vitit 1965 Kongresi Amerikan organizoi një seancë dëgjimore (Hearings) mbi gjendjen e popujve në botën komuniste. Administrata e Kongresit Amerikan i dërgoi një ftesë “Komitetit Shqipëria e Lirë” për të dërguar një person që të jepte dëshmi për gjendjen e popullit shqiptar. Prof. Nexhar Peshkëpia, personalitet politik i përgatitur dhe njeri serioz, propozoi që për këtë problem të dërgohej Sami Repishti, edhe pse nuk ishte anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, por e njihte më mirë se të tjerët situatën e popullit shqiptar ku ai kishte vuajtur burg para pak vitesh. Samiu pranoi dhe foli jo vetëm për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar nën zgjedhën komuniste, por edhe për gjendjen e popullit shqiptar në Jugosllavi, ku ai trajtohej si popull i dorës së dytë dhe i mohoheshin shumë të drejta. Ndaj folësit u krijua një atmosferë armiqësore, sepse ai guxoi të kritikonte politikën e brendshme të Jugosllavisë, një shteti aleat. Kryetari i Komisionit, kongresisti Lee Hamilton, si ka sqaruar vetë Samiu në një arkull, iu drejtua: Zoti Repishti, Shqipëria na sulmon 7 ditë në javë me radio dhe shtyp. Ashtë nji fat për të, që ne nuk dijmë shqip me lexue e kuptue këto shamje të përditshme. Presidenti Tito asht mik i yni. Ju vini këtu e kërkoni që ne të marrim qëndrim kundër Titos, nji mik, e të përkrahim kërkesat e Shqipërisë. Nuk mund ta bajmë këtë. (Gazeta Dielli, N.Y, December 2018, f. 32)

I prekur në sedër, Samiu iu përgjigj se ai nuk donte të bënte politikë, por si aktivist i të drejtave të njeriut, kërkoi ndihmën e Kongresit Amerikan që shtypja e popullit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë të pushonte. Për këtë, tha ai me guxim, unë ngul kambë.

Ky fjalim i Sami Repishtit ishte artikulimi i parë në Kongresin Amerikan për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës, por atmosfera e miqësisë midis ShBA-ve dhe Federatës Jugosllave nuk lejonte të merrej seriozisht problemi i gjendjes së popullit shqiptar në Jugosllavi. Kjo situatë filloi të përmirësohej nga fillimi i viteve 1970-të, kur u forcua puna propagandistike e shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL), dhe sidomos pasi u firmos Akti Final i Helsinki-t më 1975 për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe pasi u krijua American-Albanian Civic League (AACL / Lidhja Qytetare Amerikano-Shqiptare) më 1986 prej politikanit me origjinë arbëreshe, ish-kongresistit Jozeph Dio Guardi. Kjo organizatë e ngriti disa herë këtë problem në Kongresin Amerikan me anë të kongresistëve Tom Lantosh, Eliot Engel dhe senatorit Robert (Bob) Dole – kandidat për President dhe senatorit. Sami Repishti shërbeu si drejtor ekzekutiv i kësaj organizate politike. Në vitin 1996, ky veprimtar themeloi shoqërinë National Albanian American Council (NAAC / Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKShA) si shoqëri lobiste në Washington DC, kryesisht për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës nga shtypja e Slobodan Milosheviçit.

Truri i shoqërisë: “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”

Nacionalisti shqiptar, Tahir Curran Kërnaja, i cili para se të vinte në ShBA-të (1962) kishte përjetuar burg dhe internim në Shqipëri dhe tortura çnjerëzore në Jugosllavi, në vitet 1963-1964 filloi të fliste poshtë e lart midis emigrantëve shqiptarë të New Yorku-t për shtypjen e popullit shqiptar në Jugosllavi e, sidomos, në Kosovë. Pas demonstratave që  shpërthyen nëpër komuna të ndryshme të Kosovës gjatë muajit nëntor 1968, të cilat arritën kulmin me demonstratën e 27 nëntorit të studentëve në Prishtinë, Besianë, Ferizaj dhe Gjilan, Tahir Kerrnaja u takua me ish-bashkëvuajtësin e tij të burgut të Shkodrës; Sami Repishtin, vëllezërit Sergio e John Bitici dhe Prof. Rexhep Krasniqin për të krijuar një bërthamë atdhetarësh me të cilët të fillohej lufta e organizuar propagandistke në New York për të popullarizuar shtypjen e rëndë që i bëhej popullit shqiptar në Kosovë dhe për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Që në fillim, me propozim të Rexhep Krasniqit, grupit iu dha emri Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL). Shpejt u zgjerua edhe me pjesëmarrjen e Prof. Peter Priftit dhe Dr. Safete Juka, e më vonë u bashkua dhe Maliq Arifaj, i cili u zgjodh sekretar ekzekutiv.

Punën organizative, atë të botimit dhe të shpërndarjes së materialeve (artikuj, pamflete, memorandume, lajme etj.,) e kryenin Tahir Curran Kernaja, Maliq Arifaj, Kujtim Zherka, Merxhan Hyseni, vëllezërit Sergio e John Bitici, etj. Adresa e banimit të Tahirit përdorej si adresë e shoqërisë. Kurse Maliq Arifaj firmoste shumicën e shkrimeve, ndërsa autorët e vërtetë nuk e shënonin emrin e tyre në fund të shkrimeve. Vëllezërit Sergio dhe John Bitici krahas punës organizative mbulonin dhe shpenzimet e botimit të shkrimeve trakte, si dhe shpenzimet e shpërndarjes me postë të tyre nëpër zyra, ambasada të ndryshme dhe miq nëpër botë. Tahir Kernaja me dy nipat e tij, bashkë me vajzën e madhe të Sergios i shpërndanin traktet te dera e godinës së OKB-së duke ua dhënë në dorë atyre që hynin e delnin aty, politikanë e zyrtarë të ndryshëm, si dhe nëpër vende ku kishte grumbullim njerëzish.

Profesor Sami Repishti midis grupit intelektual të përbërë prej tij, Prof. Peter Priftit, Dr. Safete Jukës dhe Prof. Rexhep Krasniqit, ishte personi që hartoi gati 90 % të të gjithë shkrimeve, qofshin artikuj, memorandume, komente etj. Pikërisht për faktin se ai ishte prodhimtari më i madh dhe më cilësor i shkrimeve, guxojmë ta quajmë Truri i shoqërisë RShKBL. Duke i dhënë këtij veprimtari këtë epitet, nuk nënvlerësojmë punën e bashkëpunëtorëve të tjerë të kësaj shoqërie, sespse truri në një organizëm, vërtet është organi më i rëndësishëm, por ai nuk mund të funksionojë pa ndihmën që merr prej organeve të tjera si zemra, veshkat, mushkëritë, stomaku, etj. Edhe shprehja jonë popullore “Trimi i mirë me shokë shumë”, tregon se veprimtari / luftëtari i arrin rezultatet jo i vetëm, por duke bashkëpunuar e luftuar me shumë shokë. Duke parë ecurinë e rritjes së përpjekjeve kundër shtypjes së të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës në politikën amerikane që nga puna e gjatë dhe e pandërprerë e hartimit, botimit e shpërndarjes së trakteve të shoqërisë RShKBL, te krijimi dhe veprimtaria e organizatave lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane (1986) dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (1996), nuk ka pse të mos shohim se ka një lidhje në këtë proces, ku ndikimi i punës së kësaj shoqërie si nismëtare nuk mund të anashkalohet. Pra shoqërisë RShKBL, edhe pse nuk u regjistrua si organizatë zyrtare, sepse ashtu mbrohej nga zbulimi jugosllav, e ai shqiptar që ishin prezent në New York, i duhet njohur merita e nismëtares së kësaj lufte dhe i duhet dhënë vlerësimi i merituar. Efektivitetin e aktivitetit të kësaj shoqërie ndaj politikës jugosllave e ka njohur dhe e ka vënë në dukje Sinan Hasani gjatë viteve 1984 – 1989 kur ishte zgjedhur kryetar i Presidencës Jugosllavise me rrotacion. Ai pati thënë disa herë: Organizata “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë” është më e rrezikshmja për ne, sepse shpërndan materialet e veta armiqësore para OKB-së dhe informon gjithë botën mbi gjendjen në Kosovë’.

Ndonëse pa i përmendur me emër shoqëritë RShKBL, AACL, NAAC, etj edhe njohësi i mirë i politikës së jashtme të ShBA-ve, ish-ambasadori amerikan në Tiranë, z. William E. Ryerson në letrën që i dërgoi Profesor Repishtit më 6 shtator 2001, e ka shprehur rëndësinë e veprimtarisë së anëtarëve të këtyre shoqërive:

I nderuemi Sami

“… Pa dyshim merita për lirimin e Kosovës i takon Sekretares [së shtetit] M. Albright, që pati urtësinë me përkrahë atë që ishte e drejtë si dhe aftësisë së saj me bindë “boss-in” [Presidentin Clinton] dhe kolegët e tij me veprue e jo me u kufizue në deklarata pa efekt. Megjithatë, kjo nuk do të dilte me sukses sikur ju, dhe të tjerë si ju, të mos kishin shpenzue vite të gjata sidomos me edukimin e publikut amerikan dhe akoma ma me randësi me edukimin e udhëheqësve tanë [amerikanë] mbi problemin serioz që paraqiste shtypja serbe në kurriz të shqiptarëve të Kosovës… (Dielli, NY December 2018, f. 33. Tekstin e kemi cituar sipas përkthimit shqip të bërë prej z. Sami Repishti.) Rreshtat me shkronja të nxira i theksuam ne me qëllim që të vemë në dukje faktin se politikani amerikan W. Ryerson ia njihte vlerat punës së gjatë që kishte kryer veprimtari Sami Repishti, jo si individ, por me gjithë kolegët e tij, pra me veprimtarët kryesorë të shoqërive RShKBL, AACL , NAAC etj.

Rezultatet që arriti shoqëria RShKBL janë pasojë e bashkëveprimit të anëtarëve kryesorë që përmendëm, prandaj sugjerojmë që qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, t’i akordojnë kësaj shoqërie, pra anëtarëve kryesorë të saj (Tahir Curran Kernaja, Sami Repishti, Maliq Arifaj, Sergio e John Bitici, Peter Prifti, Rexhep Krasniqi dhe Safete Juka) nga një medalje ari për veprimtari atdhetare për lirinë e popullit shqiptar të Kosovës. E kërkojmë këtë vlerësim sepse arritja e suksesit, arritja e e lirisë, nuk ka qenë pasojë vetëm e lëvizjes ilegale dhe legale brenda Jugosllavisë e heronjve si Adem Demaçi, e studentëve e pedagogëve demonstrues, dhe as vetëm e heroizmit të Adem Jasharit me fisin e tij dhe të UÇK-së. Ky sukses duhet parë si pasojë e një veprimtarie të vijueshme brenda dhe jashtë Jugosllavisë. Dhe kur themi jashtë Jugosllavisë kuptojmë punën e shoqërive RShKBL, AACL dhe NAAC, të cilat me punën e tyre ndërgjegjësuan politikanët dhe politikën amerikane ndaj këtij problemi derisa u morrën masat shtrënguese ndaj politikës së Milosheviçit dhe së fundi ndërhyrja e forcave të armatosura të NATO-s.

Vijon…